Koha e Ardhjes
Të dashur vëllezër dhe motra!
Sot së bashku me mbarë Kishën po e fillojmë Vitin e Ri liturgjik: udhëtimin e ri në fe, për ta jetuar së bashku në bashkësitë e krishtera, mirëpo gjithashtu, si gjithmonë, për ta kaluar brenda historisë së botës, për ta hapur para misterit të Hyjit, shëlbimit që vjen prej dashurisë ë tij.
Viti liturgji fillon me Kohën e Ardhjes: kohë e mrekullueshme në të cilën në zemra rizgjohet pritja e kthimit të Krishtit dhe kujtimi i ardhjes së parë, kur u zhvesh nga lavdia hyjnore për ta marr mishin tonë të vdekshëm.
«Rrini zgjuar!» Kjo është kërkesa e Jezusit në Ungjillin e sotëm, ju drejton jo vetëm apostujve, por të gjithëve: «Rrini zgjuar!» (Mt 13, 37). Kjo është thirrja jetëdhënëse e cila na kujton se jeta nuk është vetëm përmasë tokësore, por është projektuar drejt një «përtej», si një bimë që lulëzon në tokë dhe hapet drejt qiellit. Një bimë që mendon, njeriu, i pajisur me liri dhe përgjegjësi, prandaj secili prej nesh një ditë do të ftohet për të dhënë llogari si ka jetuar, si i ka përdorur aftësitë e veta: a i mbajti për vete ose i bëri të frytshme edhe për të mirën e vëllezërve.
Edhe Isaia, profeti i Ardhjes, na bënë të meditojmë sot më një lutje të madhe që ia drejton Hyjit në emër të popullit. Ai i njeh mëkatet e njerëzve, dhe në njëfarë pike thotë: «S'është asnjë që e thërret emrin tënd, që të zgjohet e të mbështetet në ty, sepse e fshehe prej nesh fytyrën tënde dhe na lëshove në dorë të keqbërësisë sonë.» (Is 64, 6).
Si mos të na godas ky përshkrim? Duket se i paraqet disa dukuri të botës post-moderne: qytetet në të cilat zhvillohet jeta anonime dhe horizontale, prej të cilave dukët së Hyji është tërhequr dhe se në to mbeti njeriu si i vetmi zotërues, si të ishte ai krijuesi dhe regjisori i çdo gjëje: i ndërtimeve, punës, ekonomisë, transportit, shkencës, teknikës, të gjitha duket se varën nga njeriu. Prandaj shumë herë, në këtë botë që duket pothuajse e përsosur, ndodhin ngjarje tronditëse, ose në natyrë, ose në shoqëri, dhe ne mendojmë se Hyji është larguar, të themi ashtu, na ka braktisur , na lëshoi në duart tona.
Në të vërtetë, «Zotëruesi» i vërtetë i botës nuk është njeriu, por Hyji. Ungjilli thotë: «Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes - që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur.» (Mk 13, 35-36).
Koha e Ardhjes vjen secilin vit për të na kujtuar këtë gjë, që jeta jonë ta gjej drejtimin e duhur, drejt fytyrës së Hyjit. Jo drejt fytyrës së një «zotëruesi», por drejt fytyrës së Atit dhe Mikut. Më Virgjërën Mari, që na drejton gjatë udhëtimit të Ardhjes, t’i përvetësojmë fjalët e profetit: «Megjithatë, ati ynë je, o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të tua.» (Is 64, 7)
VATIKAN – Papa shpall Vitin e Fesë “për ta forcuar dhe thelluar atë në perspektivën misionare, të misionit të ungjillëzimit të popujve dhe të ungjillëzimit të ri"
Vatikan (Agjencia Fides) - "Për t’i dhënë një hov të ri misionit të të gjithë Kishës, me qëllim që t’i nxjerrë njerëzit nga shkretëtira në të cilën shpesh gjenden e për t’i drejtuar kah vendi i jetës, miqësia me Krishtin që na dhuron jetën në plotësi... kam vendosur ta shpall “Vitin e Fesë”, që do ta kem mundësinë ta paraqes me një Letër apostolike të posaçme. Ky “Vit i Fesë” do të nisë më 11 tetor 2012, në 50-vjetorin e hapjes së punimeve të Koncilit II Vatikanas, dhe do të mbyllet më 23 nëntor 2013, në kremtën e Krishtit Mbret të Gjithësisë. Do të jetë një kohë hiri dhe angazhimi për një kthim gjithmonë e më të plotë kah Hyji, për ta forcuar besimin tonë në Të dhe për t’ia shpallur Atë me gëzim njeriut të sotëm”. Këto janë fjalët me të cilat Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, shpalli Vitin e Fesë gjatë predikimit të Kremtimit Eukaristik që drejtoi në Bazilikën e Vatikanit të dielën, më 16 tetor, në përmbyllje të takimit të parë ndërkombëtar të përnxitur nga Këshilli Papnor për Përnxitjen e Ungjillëzimit të Ri.
Gjatë homelisë, Papa shprehu kënaqësinë e tij për faktin që takimi përkonte “me kontekstin e muajit të tetorit, pikërisht një javë para Ditës Botërore të Misioneve: kjo përkujton dimensionin e drejtë universal të ungjillëzimit të ri, në harmoni me atë të misionit të ungjillëzimit të popujve”.
Edhe para lutjes së Engjëllit të Zotit me besimtarët e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë përkujtoi takimin për ungjillëzimin e ri, që “kishte për qëllim kryesor thellimin e punës për një shpallje të përtërirë të Ungjillit në vendet me traditë të vjetër të krishterë”. Papa rikujtoi gjithashtu se i Lumi Papa Gjoni Pali II i ka folur Kishës për Ungjillëzimin e Ri si një “sfidë urgjente dhe emocionuese” dhe “në vazhdën e Koncilit II Vatikanas dhe të atij që i hapi rrugë zbatimit të tij – Papës Palit VI, – ai ka qenë një mbështetës i fortë i ungjillëzimit të popujve, pra i popujve dhe territoreve ku Ungjilli nuk ka zënë ende rrënjë, e poashtu edhe një lajmëtar i ungjillëzimit të ri. Janë këto aspekte të një misioni të vetëm të Kishës, dhe prandaj është e rëndësishme që t’i shqyrtojmë së bashku në këtë muaj të tetorit, që karakterizohet nga kremtimi i Ditës Botërore të Misioneve, pikërisht të dielën e ardhshme”.
Duke rikujtuar shpalljen e Vitit të Fesë, Papa Benedikti XVI vazhdoi: “Mendoj se, me kalimin e një gjysmë shekulli nga hapja e Koncilit, që lidhet me përkujtimin e lumtur të të Lumit Papës Gjonit XXIII, është mirë që të përkujtojmë bukurinë dhe qendërzimin e fesë, kërkesën për ta forcuar dhe thelluar atë në nivel personal dhe në nivel bashkësie, dhe t’i japim asaj një perspektivë jo vetëm kremtuese, por në fakt edhe misionare, pikërisht në perspektivën e misionit të ungjillëzimit të popujve dhe të ungjillëzimit të ri”.
(Agjencia Fides 17/10/2011)