Liturgjia e Orëve – 17 qershor – e dielë – Java XI gjatë vitit

Written by on June 14, 2018

E DIEL
 
JAVA XI GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA I
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  O Zot, krijues i të gjithave
  drejtues në botë, që ditën
  e vesh me dritë të hijshme
  natën me hir të gjumit,
 
  prehja gjymtyrëve të këputura
  t’u kthejë zellin e punës,
  të lehtësojë mendjet e lodhura,
  të heqë gjëmat ngashëruese.
 
  Falë ditës që kaloi,
  e uratëve në natë të re,
  ndihmo fajtorët me anë të premtimit
  me këngë shpalosim himnin.
 
  Thellësisht të këndoftë zemra,
  për Ty zëri të kumbojë,
  Të dashtë dëshira e pastër,
  t’adhuroftë mendja e përkorë.
 
  Kur errësira e madhe
  me net të mbulojë ditën,
  feja të mos njohë terrin,
  nga feja shkëlqeftë nata.
 
  Na ruaj, Atë plot drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin
  bashk me Shpirtin Ngushëllues,
  q n’jetë të jetës je sundues. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Që kur lind dielli e derisa perëndon,
  qoftë bekuar Emri i Zotit!
 
Psalmi 113 /112/  (1-9)  Lavdërojeni emrin e Zotit
 
  I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët (Lk 1, 52).
 
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *
  lavdërojeni, Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit *
  qysh tash e deri në amshim.
 
Që kur lind dielli e derisa perëndon *
  qoftë bekuar Emri i Zotit!
I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *
  lavdia e tij i tejkalon qiejt.
 
Kush është si Zoti, Hyji ynë, †
  që fronin e ka në Lartësi, *
  e nga lart vrojton qiellin e tokën?
 
Nga pluhuri e ngre skamnorin, *
  nga llomi e lartëson të vobektin
për ta vënë të rrijë me princa, *
  me princat e popullit të vet.
 
Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *
  nënë fëmijësh të gëzueshme.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Që kur lind dielli e derisa perëndon,
  qoftë bekuar Emri i Zotit!
 
Ant. 2 Do ta ngre gotën e shëlbimit
  e do të thërras Emrin e Zotit.
 
Psalmi 116 /115/  (10-19)  Falënderim në tempull
 
  Me anë të tij (Krishtit) t’i kushtojmë vazhdimisht Hyjit fli lavdie (Heb 13, 15).
 
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
  »Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
  »Rrenacak është çdo njeri!«
 
Si do t’ia shpërblej Zotit *
  për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
  e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
  në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
  vdekja e shenjtërve të tij.
 
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
  shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
  Ti i këpute hekurat e mi:
 
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
  me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
  në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
  midis teje, o Jerusalem!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Do ta ngre gotën e shëlbimit
  e do të thërras Emrin e Zotit.
 
Ant. 3 Jezusi e përuli vetveten deri në vdekje;
  prandaj Hyji e lartësoi në lavdi.
 
Kënga  Fil 2, 6-11  Krishti, shërbëtor i Hyjit
 
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
  barazinë e vet me Të
  nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
por ia mohoi vetvetes *
  e mori natyrën e shërbëtorit
  dhe u bë i ngjashëm me njerëz
 
dhe, për kah pamja e jashtme, *
  dukej vetëm njeri.
 
E përuli vetveten
  duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
  mu deri në vdekje në kryq.
 
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
  dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
 
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
  i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
 
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
  ‘Jezu Krishti është Zot!’
  Në nder të Hyjit Atë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Jezusi e përuli vetveten deri në vdekje;
  prandaj Hyji e lartësoi në lavdi.
 
  Leximi i shkurtër  Heb 13, 20-21
  Hyji, burimi i paqes, që e nxori lart nga të vdekurit me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar Bariun e madh të deleve, Zotin tonë Jezusin, ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë që ta kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë në ne çka Atij i pëlqen, nëpër Jezu Krishtin, të cilit i qoftë lavdi në shekuj (të shekujve). Amen.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Sa të mëdha janë * veprat e tua, o Zot!
  Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot!
  D Ti i bëre me mirësi dhe urti,
  veprat e tua, o Zot!
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot!
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Viti A:
  Ant. Jezusi pati dhembshuri për turmën:
  ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pas dore,
  si delet pa bari.
 
  Viti B:
  Ant. Me shumë shëmbëlltyra,
  Jezusi e shpallte mbretërinë e Hyjit.
 
  Viti C:
  Ant. Një grua mëkatare
  i lau me lot këmbët e Zotërisë
  dhe ia leu me parfum.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Viti A:
  Ant. Jezusi pati dhembshuri për turmën:
  ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pas dore,
  si delet pa bari.
 
  Viti B:
  Ant. Me shumë shëmbëlltyra,
  Jezusi e shpallte mbretërinë e Hyjit.
 
  Viti C:
  Ant. Një grua mëkatare
  i lau me lot këmbët e Zotërisë
  dhe ia leu me parfum.
 
  Lutjet e besimtarëve
Krishti tregoi mëshirë ndaj popullit të uritur dhe për të bëri vepra të mrekullueshme. Plot besim dhe përvujtëri ta lusim me përshpirtëri:
 
  Na e trego, o Zot, dashurinë tënde!
 
O Zot, e pranojmë se të gjitha të mirat na vijnë prej teje:
—  bëj që të mos kthehen te ti të pafrytshme, por le të sjellin fryte shëlbimi.
Ti që je drita dhe shpëtimi i të gjithë popujve, ruaji dëshmitarët që i ke dërguar nëpër tërë botën:
—  ndize në ta zjarrin e Shpirtit tënd.
Bëj që të gjithë njerëzit të bashkëpunojnë për të formuar një botë të re:
—  në përkim me aspiratat e ligjshme të përparimit në drejtësi dhe paqe.
Shërues i shpirtrave dhe trupave, shëroji të sëmurët dhe qëndro afër atyre që janë në çastin e vdekjes:
—  me mirësinë tënde na mbush dhe na forco me dhuratën e dashurisë sate.
Të vdekurit, emrat e të cilëve janë të shënuar në librin e jetës:
—  numëroji ndër të lumturit e tu.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
JAVA XI gjatë vitit
 
Pas lutjes së mbrëmësores së I të së dielës dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1  Ki mëshirë për mua, o Zot: dëgjoje lutjen time.
 
Ose:
 
Ant. 1  Në ty shpresoj, o Zot, dhe në paqe bie në gjumë.
 
Psalmi 4  (2-9)  Uratë falënderimi
 
  Hyji tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit (2 Kor 4, 6).
 
Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime! †
  Ti që më shpëtove në vështirësi: *
  ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!
 
Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? *
  Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?
Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, *
  Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
 
Zemërohuni e mos mëkatoni, †
  përsiatni në zemrat tuaja, *
  në shtrojat tuaja e qetësohuni.
 
Flijoni fli drejtësie *
  e shpresën kijeni në Zotin!
 
Shumë thonë: »Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?« *
  Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
 
Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim *
  sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!
 
Posa bie në shtrojë
  gjumi menjëherë më merr në qetësi, *
  sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1  Ki mëshirë për mua, o Zot: dëgjoje lutjen time.
 
Ose:
 
Ant. 1  Në ty shpresoj, o Zot, dhe në paqe bie në gjumë.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin gjatë natës.
 
Psalmi 134 /133/  (1-3)  Lutje nate në tempull
 
  Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Tani bekojeni Zotin †
  të gjithë ju, shërbëtorët e Zotit, *
  që qëndroni natën në Shtëpinë e Zotit.
 
Ngritni duart tuaja drejt Shenjtërores *
  e bekojeni Zotin!
 
Prej Sionit të bekoftë Zoti *
  që krijoi qiellin e tokën!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bekojeni Zotin gjatë natës.
 
  Leximi i shkurtër  Lp 6, 4-7
  Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar, kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihesh nga shtroja.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot,  derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Hyj, i gjithëpushtetshëm, kujdesohu për ne këtë natë: dora jote le të na zgjojë në ditën e re që të mund ta kremtojmë me gëzim ngjalljen e Birit tënd. Ai që është Zot
 
  Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
  Lutja
  Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 
E DIEL
 
JAVA XI GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin,
  t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin,
  t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin,
  t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin,
  t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin,
  t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin,
  t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ejani, të galdojmë në Zotin,
  t’i brohorasim Hyjit që na shëlbon, aleluja.
 
E DIEL
 
JAVA XI GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Për të tjerët koha e dita
  e tetë shkëlqen më e shenjtë
  në ty që e shenjtëron, Jezus,
  i pari i të ringjallurve.
 
  Me ty ti shpirtrat tanë
  tash sa më parë bashkë ngjalli;
  për ty të ngjallën trupat
  të lirë në vdekjen e dytë.
 
  Dhe Ty ndër re së shpejti
  o Krisht të dalim para
  me ty në vazhdim fitues:
  ti jeta dhe ringjallja.
 
  Duke parë fytyrën tënde,
  të shëmbëllejmë lavdinë,
  të njohim ty siç je:
  drita e vërtetë, kënaqësia.
 
  Mbretërinë me shtatë mirosje
  të mbushur plot me Atin,
  tek ti ne gjejmë gazmim,
  Shenjtja Trini do t’i kryejë. Amen.
 
  Kur Shërbesa e lëximeve lutet gjatë ditës:
 
  Në krye të gjitha ditëve
  kur u krijua tërë bota
  ja kur Krijuesi i ngjallur,
  mposht vdekjen, na liron,
 
  duke flakur larg mpirjet
  më shpejt të gjithë të ngrihemi,
  të drejtin të kërkojmë natën,
  sikur njohëm Profetin.
 
  Lutjet tona të dëgjojë,
  të shtrijë dorën e djathtë,
  e ky selitë ndoshta
  me fli t’i pastrojë,
 
  që ne secilit në kohën
  e shenjtë të kësaj dite
  psalim në orë të pushimit,
  të na falë dhunti të pasura.
 
  Hyut Atë i qoftë lavdia
  dhe Birit të tij të vetëm,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
 
Psalmi 145 /144/  Lavdi Zotit – Mbretit të gjithësisë
 
  E pashqyrtueshme është pasuria e Krishtit. Del në dritë para të gjithëve me anë të Kishës të synuar qysh prej amshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë (Krh. Ef 3, 8-11).
 
  I (1-9)
 
Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *
  dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.
Çdo ditë do të të bekoj *
  dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
  përgjithmonë e jetë.
 
Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *
  e pashqyertueshme është madhëria e tij!
 
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *
  dhe do ta shpallin pushtetin tënd.
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *
  do t’i tregojnë mrekullitë e tua.
 
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *
  do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.
Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *
  do t’i brohorasin drejtësisë sate.
 
Zoti është vetë butësia e mëshira, *
  i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë, *
  i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Çdo ditë të lavdëroj dhe të bekoj, o Zot, aleluja.
 
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot,
  është mbretëri e amshueshme, aleluja.
 
  II (10-13)
 
Le të të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *
  e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *
  le të kuvendin për pushtetin tënd,
 
për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde *
  dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *
  pushteti yt prej breznie në brezni.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot,
  është mbretëri e amshueshme, aleluja.
 
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit,
  dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
 
  III (14-21)
 
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *
  i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *
  i çon ata që rrëzohen.
 
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *
  ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde *
  dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
 
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *
  dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *
  të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
 
E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *
  ua dëgjon britmën dhe i shpëton.
Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *
  kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.
 
Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †
  çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *
  përgjithmonë e jetë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Besnikëri në të gjitha fjalët e Zotit,
  dashuri në të gjitha veprat e tija, aleluja.
 
  D Biri im, dëgjoji fjalët e mia,
  C vërja veshin fjalës sime.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të Gjyqtarëve  2, 6 – 3, 4
 
  Situata e përgjithshme në kohën e gjyqtarëve
 
  Në ato ditë Jozuehu e nisi popullin të shkojë dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në pronën e vet për ta marrë në trashëgim tokën. I shërbyen Zotit gjatë gjithë jetës së Jozuehut e të pleqve që jetuan një kohë të gjatë pas tij e që i kishin parë të gjitha veprat e mëdha të Zotit, që i kishte bërë për Izraelin. Vdiq Jozuehu, biri i Nunit, shërbëtori i Zotit, njëqind e dhjetë vjeç, dhe e varrosën në pronën e tij në Tamnatares, në malin e Efraimit, në anën veriore të malit Gaas. Po edhe mbarë ajo brezni u bashkua me etërit e vet dhe lindën të tjerë pas tyre që nuk e njihnin Zotin as veprën që kishte bërë për Izraelin.
  Atëherë bijtë e Izraelit bënë ç’është e keqe para syve të Zotit e u shërbyen baalëve dhe e lanë Zotin, Hyjin e etërve të vet, që i kishte nxjerrë prej tokës së Egjiptit. Shkuan pas zotave të huaj, pas zotave të popujve që banojnë përreth tyre, i adhuruan ata dhe bënë të hidhërohet Zoti duke e lënë atë e duke i shërbyer Baalit e Astarotit. Zoti u hidhërua dhe i lëshoi në duar të cubave që i plaçkitën. Ua shiti armiqve të tyre që banonin përreth dhe nuk qenë të zotët t’u qëndrojnë përballë armiqve të vet. Ngado donin t’ia mbanin, dora e Zotit ishte mbi ta për të zezën e tyre, sikurse u kishte thënë dhe u ishte përbetuar. Ishin s’ka si më zi.
  Atëherë Zoti u ngriti gjyqtarët që t’i shpëtonin nga dora e atyre që i plaçkitnin. Por izraelitët nuk donin t’i dëgjonin as ata, po lirësonin me hyjni të huaja dhe i adhuronin ato. Shpejt e lanë rrugën nëpër të cilën ecën etërit e tyre që i mbanin urdhërimet e Zotit. Këta bënë gjithçka në kundërshtim. Kur Zoti u ngrinte gjyqtarët, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i çlironte prej dorës së armiqve të tyre gjatë tërë kohës së gjyqtarit, sepse Zoti prekej në zemër dhe i dëgjonte gjëmat e të ndrydhurve. Por, posa vdiste gjyqtari, ata përsëri binin në paudhësi edhe më të liga e bënin edhe më keq seç kishin bërë etërit e tyre, duke i ndjekur hyjnitë e huaja, duke u shërbyer atyre e duke i adhuruar: nuk iu shmangën veprave të veta as udhës së vet të mbrapshtë, nëpër të cilën e kishin bërë zakon të ecnin.
  Flakë atëherë u ndez hidhërimi i Zotit kundër Izraelit e tha: “Pasi ky popull e shkeli Besëlidhjen time, që e kisha lidhur me etërit e tyre, dhe përbuzën ta dëgjojnë zërin tim, as unë nuk do t’i shpërngul popujt që i la Jozuehu pasi vdiq me qëllim që t’i vë në provë izraelitët me anë të tyre nëse do ta ruajnë udhën e Zotit e do të ecin nëpër të, siç e ruajtën etërit e tyre, ose jo.”
  Kjo pra, ishte arsyeja që Zoti i la këta popuj e nuk i dëboi me të shpejtë, as nuk i lëshoi në duar të Jozuehut.
  Këta janë popujt që Zoti i la pa i zhdukur për t’i mësuar izraelitët, të gjithë ata që nuk i sprovuan luftërat e kanaanëve. Qëllimi ishte që të mësonin të luftonin me armiq bijtë e Izraelit ‑ brezat që nuk e kishin sprovuar mjeshtërinë e luftës ‑:
  mbetën pesë princa filistenj, të gjithë kananenjtë, sidonasit, e hevenjtë, që banonin në malet e Libanit prej malit Baalhermon deri në hyrje të Ematit. Bëri kështu për t’i vënë në provë izraelitët nëse do t’i dëgjojnë urdhërimet e Zotit që ua kishte urdhëruar etërve të tyre me anë të Moisiut apo s’do t’i dëgjojnë.
 
  Përgjigjja  Ps 106 /105/, 40. 41. 44. 45; krh. Gjq 2, 16
  C Flakë u ndez Zoti me hidhërim kundër popullit të vet, i lëshoi në duar të paganëve. Përsëri i priri sytë e vet mbi ta kur e dëgjoi uratën e tyre. * I ra ndër mend Besëlidhja me ta dhe i erdhi keq sipas përdëllimit të vet të madh.
  D Atëherë Zoti u ngriti gjyqtarët që t’i shpëtonin nga dora e atyre që i plaçkitnin.
  C I ra ndër mend Besëlidhja me ta dhe i erdhi keq sipas përdëllimit të vet të madh.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga traktati “Mbi Ati ynë” i shën Ciprianit, ipeshkëv dhe martir
  (Nr. 4-6; CSEL 3, 268-270)
 
  Le të shpërthejë lutja nga një zemër e thjeshtë
 
  Për ata që luten, fjalët dhe lutja le të bëhen në mënyrë të tillë që të përfshijnë në vete heshtjen dhe druajtjen. Të mendojmë se gjendemi në praninë e Hyjit. Është e nevojshme t’i pëlqejmë syve hyjnor si me qëndrim të trupit ashtu edhe me tonalitetin e zërit. Dhe vërtet, ashtu si është vetí e çapkënëve të bëjnë potere me gërthitje, kështu, në të kundërtën i ka hije atij që është i edukuar mirë që të lutet me maturi e përqendrim. Veç kësaj, Zotëria na ka urdhëruar dhe mësuar të lutemi në fshehtësi, në vende të mënjanuara dhe të largëta, në vetë vendbanime. Është vetí që i përket fesë, të dimë se Hyji është i pranishëm në çdo vend, se ai i dëgjon dhe i sheh të gjithë, dhe se me plotësinë e lartmadhërisë së tij ai përshkon edhe vendet më të fshehta, sikurse është shkruar: A kujton se unë jam Hyj vetëm nga afër – është fjala e Zotit – e prej së largu më s’jam Hyj? A mund të fshihet kush në ndonjë skutë, ku unë atë nuk mund ta shoh? Vallë, s’i mbushkam unë qiell e tokë?” (krh. Jer 23, 23-24). Dhe prapë thotë: “Sytë e Zotit janë në çdo vend: i vrojtojnë të marrët e të urtët” (Fu 15, 3).
  E kur të bashkohemi me vëllezër dhe t’i kremtojmë me meshtarin e Hyjit misteret hyjnore, duhet të kujtojmë respektin dhe edukimin e mirë: mos t’i valëvisim në çdo anë lutjet tona me zëra të parregullt, e mos të shprehim me llafazanëri një lutje që duhet t’i besohet Hyjit me një qëndrim të përvuajtur dhe të devotshëm. Hyji nuk e dëgjon zërin, por e dëgjon zemrën. Nuk është e nevojshme të bërtasim për ta fituar vëmendjen e Hyjit, sepse ai i sheh mendimet tona. Këtë gjë e tregon shumë mirë kur thotë: “Pse mendoni keq në zemrat tuaja?” (Mt 9, 4). Dhe në një vend tjetër thotë: “Dhe të gjitha kishat do ta dinë: unë jam ai që shqyrton ndjenjat dhe zemrat” (Zb 2, 23).
  Për këtë arsye në librin e parë të Mbretërve, Ana, që mbante në vetvete figurën e Kishës, i ruan dhe i mban ato gjëra që i kërkonte Hyjit, duke mos ia kërkuar me zë të lartë, por qetë dhe me kujdes, madje, në vetë fshehtësinë e zemrës. Fliste me lutje të fshehtë, por me fe të shfaqur. Fliste jo me zë, por me zemër, meqë e dinte se Hyji kështu dëgjon. Fitoi atë që kërkoi, sepse e kërkoi me besim. Këtë gjë e pohon në mënyrë shumë të qartë Shkrimi hyjnor: Fliste në zemrën e vet, luante vetëm buzët e zëri nuk i dëgjohej fare, e Zoti e dëgjoi lutjen e saj (krh. 1 Sam 1, 13). Në të njëjtën mënyrë lexojmë edhe në psalme: Përsiatni në zemrat tuaja dhe në shtrojat tuaja (krh. Ps 4, 5). Nëpërmjet Jeremisë Shpirti Shenjt këshillon dhe mëson duke thënë: Vetëm Ty duhet të të adhurojmë në ndërgjegjen tonë, o Zot!” (krh. Bar 6, 5).
  Prandaj, o vëllezër fort të dashur, ai që lutet le të marrë parasysh se në ç’mënyrë u lut tagrambledhësi bashkë me fariseun në tempull. Nuk i mbante sytë e lartësuar në qiell me pafytyrësi, nuk i ngrinte duart në mënyrë të papërmbajtur, por duke e rrahur kraharorin e vet dhe duke i dënuar mëkatet e veta që gjendeshin në thellësinë e intimitetit të tij, kërkonte me lutje mëshirën hyjnore. Dhe ndërsa fariseu kënaqej me vetveten, qe tagrambledhësi ai që meritoi të dalë i shfajësuar, sepse lutej në mënyrë të drejtë dhe nuk e kishte vënë shpresën e shëlbimit në besim ndaj pafajësisë së vet, meqë askush nuk është i pafajshëm. Lutej pasi që i kishte rrëfyer me përvujtëri mëkatet e veta. Dhe kështu ai që i fal të përvuajturit, e dëgjoi lutjen e tij.
 
  Përgjigjja
  C Ja qëndrimi ynë para Hyjit dhe para engjëjve të tij: * në këndim të psalmeve, shpirti ynë le të akordohet me zërin.
  D Jo në saje të fjalëve të shumta, por në saje të zemrës së pastër dhe të pendesës së thellë ne e dimë se dëgjohet lutja jonë,
  C në këndim të psalmeve, shpirti ynë le të akordohet me zërin.
 
  Himni: Te Deum
 
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
  Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
  ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
  Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
  ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
  ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
  edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
  Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
  nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
  ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
  Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
  të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
  të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
  e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
  Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
  Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
  Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
  Në ty, o Hyj, shpresova, *
  e kurrë nuk do të turpërohem.
 
  Lutja
  O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
JAVA XI GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Krijues i amshuar i sendeve
  që mëson natën e ditën,
  dhe jep kohët e kohëve,
  të lehtësosh mërzinë.
 
  Ushton tellalli i ditës,
  përgjuesi i natës së thellë,
  drita e natës s’udhëtarëve
  që ndan natën prej nate.
 
  Këtej ylli i fortë i dritës
  e ndan qiellin nga mjegulla,
  këtej mbarë turma e shtegtarëve
  braktis udhët e dëmshme.
 
  Këtej mbledh fuqitë varkari,
  zbuten shtigjet e detit,
  këtej ai me shkëmb të Kishës
  shlyen fajin me anë të këngës.
 
  Jezus, shiko të lëkundurit
  e duke parë na ndreq;
  bien, po të shikosh gabimet
  e me lot shlyhet faji.
 
  Ti, dritë, shndriti shqisat,
  dëbo gjumin e mendjes,
  zëri ynë të madhëroftë,
  ty të blatojmë premtimet.
 
  Ty, o Krisht, mbreti më i drejti,
  e Ty, Atë, të qoftë lavdia
  me Shpirtin Ngushëllues,
  ndër shekujt e amshueshëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 I madh është Zoti në lartësitë qiellore, aleluja.
 
Psalmi 93 /92/  (1-5)  Madhërimi i pushtetit të Zotit
 
  Mbretëron Zoti, Hyji [ynë], i Gjithëpushtetshmi! Le të galdojmë e të brohorasim dhe t’i japim lavdi Atij (Zb 19, 6. 7).
 
Hyji mbretëron! U vesh me madhëri! *
  Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.
Të palëkundshme e bëri botën: *
  assesi s’do të trandet!
 
I patundshëm është froni yt qysh prej fillimit, *
  ti je i amshueshëm!
 
Lumenjtë e ngritën, o Zot, †
  lumenjtë e ngritën zërin e vet, *
  lumenjtë e ngritën ushtimën e vet shurdhuese!
 
Më i fortë se ushtima e ujërave të mëdha, †
  më i përfrigueshëm se deti i tërbuar: *
  i madhërueshëm është Zoti në lartësi!
 
Dëshmitë e tua janë plotësisht të besueshme, †
  shenjtëria i përket Shtëpisë sate *
  përgjithmonë e jetë, o Zot.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 I madh është Zoti në lartësitë qiellore, aleluja.
 
Ant. 2 Le ta bekojmë Zotin:
  i qoftë nder dhe lavdi në shekuj, aleluja.
 
Kënga Dan 3, 57-88. 56 
  Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
 
  Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
 
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
  lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
  bekojeni, o qiej, Zotin.
 
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
  yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
  të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
  acar e vapë, bekojeni Zotin.
 
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
  akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
  net e ditë, bekojeni Zotin.
 
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
  vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
  bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
  bekojeni, burime, Zotin.
 
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
  bekojeni Zotin, *
  të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
  bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
 
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
  shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
 
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
  shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
  lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
 
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
  ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
  i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
 
  Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdi Atit…
 
Ant. 2 Le ta bekojmë Zotin:
  i qoftë nder dhe lavdi në shekuj, aleluja.
 
Ant. 3 Lavdërojeni Zotin në lartësitë qiellore, aleluja.
 
Psalmi 148  (1-14)  Lavdërimi i Hyjit, Zot dhe Krijues
 
  Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve! (Zb 5, 13).
 
Lavdëroni Zotin prej qiellit, *
  lavdërojeni Atë në lartësi!
Lavdërojeni, të gjithë engjëjt e tij, *
  lavdërojeni, të gjitha ushtritë e tij!
 
Lavdërojeni, diell e hënë, *
  lavdërojeni, të gjitha yjet ndriçuese!
Lavdërojeni, qiejt e qiejve, *
  edhe ju, o ujëra, që jeni mbi qiell!
 
Le ta lavdërojnë Emrin e Zotit, *
  sepse ai urdhëroi e ato u bënë;
i vendosi ato për jetë të jetës *
  sipas ligjit që nuk njeh ndryshim.
 
Lavdëroni Zotin, ju që jeni mbi tokë, *
  përbindësha të detit dhe të gjitha humnerat,
ti, o zjarr e breshër, borë e mjegull, *
  ti, o erë e stuhishme, që kryen urdhrin e tij!
 
Male e kodra të gjitha, *
  lëndë frutore e të gjithë cedrat;
egërsira e të gjitha bagëtitë, *
  zvarranikë e ju, o shpendë me flatra!
 
Ju, o mbretërit e dheut e popuj të gjithë,
princa e të gjithë gjykatësit e dheut!
 
Djelmosha e vajza, pleq e foshnja: *
  le ta lavdërojnë Emrin e Zotit,
 
sepse i madhërueshëm është veç Emri i tij! †
  Madhëria e tij tejkalon qiell e dhe, *
  Ai e ngre fuqinë e popullit të vet,
mburrje për të gjithë të drejtët e vet, *
  për bijtë e Izraelit – popull i afërm i tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Lavdërojeni Zotin në lartësitë qiellore, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Ez 37, 12b-14
  Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj ‑ thotë Zoti Hyj.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, * ki mëshirë për ne.
  O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne.
  D Ti që rri në të djathtën e Atit,
  ki mëshirë për ne.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Viti A:
  Ant. Dërgo, o Zot,
  shumë korrtarë në të korrat e tua.
 
  Viti B:
  Ant. Mbretëria e Hyjit është
  porsi njeriu kur e qet farën në dhe:
  si të flejë si të rrijë zgjuar,
  fara mbin e rritet.
 
  Viti C:
  Ant. Grua të janë falur mëkatet e tua të shumta,
  sepse tregove dashuri të madhe.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Viti A:
  Ant. Dërgo, o Zot,
  shumë korrtarë në të korrat e tua.
 
  Viti B:
  Ant. Mbretëria e Hyjit është
  porsi njeriu kur e qet farën në dhe:
  si të flejë si të rrijë zgjuar,
  fara mbin e rritet.
 
  Viti C:
  Ant. Grua të janë falur mëkatet e tua të shumta,
  sepse tregove dashuri të madhe.
 
  Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Zotit, i cili na dërgoi Shpirtin Shenjt, që të jetë dritë në zemrat tona dhe me shpresë të plotë t’i brohorasim:
 
  Shndrite, o Zot, popullin tënd!
 
I bekuar qofsh, o Zot, Drita jonë:
—  ti na e dhurove këtë ditë në nder e lavd të emrit tënd.
Me ngjalljen e Birit tënd e shndrite botën mbarë:
—  bëj që Kisha jote ta përhapë këtë dritë ndër të gjithë njerëzit.
Me Shpirtin tënd i shndrite nxënësit e Birit tënd:
—  dërgoja të njëjtin Shpirt Kishës sate, që të të qëndrojë përherë besnike.
Drita e popujve, le të të bjerë ndër mend për të gjithë ata që ende gjenden në errësirë:
—  hapua sytë që të të njohin Ty, të vetmin Zot të vërtetë.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
JAVA XI gjatë vitit
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin
  dhe ai më dëgjoi, aleluja.
 
Psalmi 118 /117/  Kënga e gëzimit dhe e fitores
 
  Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’ (Vap 4, 11).
 
I (1-9)
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
  e amshuar është dashuria e tij!
 
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
  Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
 
Zoti është me mua, *
  s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
  për asgjë i bëj armiqtë e mi.
 
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
  se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
  se të kesh besim në princa.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin
  dhe ai më dëgjoi, aleluja.
 
Ant. 2 E djathta e Zotit bëri mrekulli, aleluja.
 
  II (10-18)
 
Më rrethuan të gjithë paganët, *
  i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më rrethuan porsi bletët, †
  porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
  por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
 
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
  Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
  ai është shpëtimtari im.
 
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
  në tendat e të drejtëve:
 
»E djathta e Zotit u madhërua! †
  E djathta e Zotit më lartësoi! *
  E djathta e Zotit u madhërua!«
S’do të vdes, të jetoj dua, *
  do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
  por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 E djathta e Zotit bëri mrekulli, aleluja.
 
Ant. 3 Drita e Krishtit shkëlqen mbi mbarë botën, aleluja.
 
  III (19-29)
 
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
  dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
  nëpër të do të hyjnë të drejtët.
 
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
  dhe u bëre Shpëtimtari im.
 
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
  erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
  sa mrekulli për sytë tanë!
 
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
  të galdojmë e të gëzojmë në të!
 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
  deh, o Zot, jep të mbarën!
 
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
  Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
 
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
  rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *
  me rrema në dorë deri në ballë të altarit!
 
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
  Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
  sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Drita e Krishtit shkëlqen mbi mbarë botën, aleluja.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Rom 8, 15-16
  Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit.
 
  D  Në ty, o Zot, është burimi i jetës,
  C  në dritën tënde ne e shohim dritën.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Rom 8, 22-23
  E dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin ‑ shpërblimin e trupit tonë.
 
  D  Bekoje, shpirti im Zotin:
  C  sepse ai të shpëton nga vdekja.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  2 Tim 1, 9
  Hyji na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin.
 
  D  Zoti e udhëhiqte popullin e tij në shpresë:
  C  bëri që të hyjë në tokën e tij të shenjtë.
 
  Lutja
  O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
JAVA XI GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA II
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Krijues i lartë i dritës,
  që shfaq dritën e ditëve
  që në zanafillë blaton burimin
  e dritës së re të botës.
 
  Që n’agim urdhëron ditën
  t’ia lëshojë vendin mbrëmjes,
  derdhet kaosi i zi,
  lutjet me lot dëgjoji;
 
  Mendja e rënduar nga krimi
  të mos mbesë pa shpërblim të jetës,
  ndërsa asgjë s’e mendon të përjetshme
  veten e lidh pas fajesh.
 
  Të trokasë në zemër të qiejve,
  të nxjerrë çmimin jetëdhënës;
  çdo dëmi le t’i shmangemi,
  çdo ligësi të pastrojmë.
 
  Jepna, o Atë plot drejtësi,
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  sundues ndër të gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 I tha Zoti Zotit tim:
  Rri në të djathtën time, aleluja.
 
Psalmi 110 /109/  (1-5. 7)  Mesia, mbret dhe meshtar
 
  Duhet që Ai të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1 Kor 15, 25).
 
I tha Zoti Zotit tim: *
  »Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
  shtrojë për këmbët e tua!«
 
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
  sundo midis armiqve të tu!
 
Ty të përket më i larti pushtet *
  në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
  nga kraharori para Yllit të Dritës
  unë të linda.
 
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
  Ti je prift për amshim
  në mënyrën e Melkizedekut.«
 
Zoti është në të djathtën tënde, *
  i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
 
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
  prandaj lart do ta ngrejë kokën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 I tha Zoti Zotit tim:
  Rri në të djathtën time, aleluja.
 
Ant. 2 I kumtojmë mrekullitë e tua
  e të falënderojmë, o Zot.
 
Psalmi 111 /110/  (1-10)  Veprat e mëdha të Zotit
 
  Të mëdha dhe të madhërishme janë veprat e tua, o Zot i Gjithëpushtetshëm (Krh. Zb 15, 3).
 
Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin, *
  në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.
 
Të mëdha janë veprat e Hyjit, *
  për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.
Stoli e shkëlqim është vepra e tij, *
  drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.
 
U ngreh përmendore mrekullive të veta, *
  i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.
U jep ushqim atyre që e druajnë, *
  kurrë s’e harron Besëlidhjen e vet.
 
Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta, *
  duke ua dhuruar pronën e paganëve.
 
Veprat e duarve të tij janë drejtësi e besnikëri, *
  urdhërimet e tij janë të vërteta,
të qëndrueshme në jetë të jetëve, *
  të themeluara mbi të vërtetën e drejtësinë.
 
Shpërblim i dha popullit të vet, *
  Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme:
 
i shenjtë dhe i tmerrshëm është Emri i tij. *
  Fillimi i dijes është frika e Zotit,
janë të mençur të gjithë ata që veprojnë sipas saj, *
  lavdia e Tij qëndron për amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 I kumtojmë mrekullitë e tua
  e të falënderojmë, o Zot.
 
Ant. 3 Hyji mbretëron: atij i qoftë lavdia, aleluja, aleluja.
 
  Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.
 
Kënga  Krh. Zb 19, 1-7  Dasma e Qengjit
 
Aleluja!
Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *
(C Aleluja.)
sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *
(C Aleluja.)
të gjithë ju që e droni – të vegjël e të mëdhenj!
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Mbretëron Zoti, *
(C Aleluja.)
Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Le të galdojmë e të brohorasim *
(C Aleluja.)
dhe t’i japim lavdi Atij.
C Aleluja (aleluja).
 
Aleluja!
Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *
(C Aleluja.)
Gati është Nusja e tij.
C Aleluja (aleluja).
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Hyji mbretëron: atij i qoftë lavdia, aleluja, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 1, 3-5
  Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyeshkshëm që e ruajti për ju në qiell; për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbim që është gati të zbulohet në kohën e fundit.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C I bekuar je ti, o Zot, * në lartësitë e qiellit.
  I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë e qiellit.
  D Ty të qoftë nderi dhe lavdia në shekuj,
  në lartësitë e qiellit.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë e qiellit.
 
Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Viti A:
  Ant. Predikoni Mbretërinë,
  shëroni të sëmurët, dëboni djajtë!
  Falas morët, falas edhe jepni.
 
  Viti B:
  Ant. Fara e vogël bëhet pemë e madhe,
  e zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.
 
  Viti C:
  Ant. Jezusi i tha gruas:
  Feja jote të shpëtoi.
  Shko në paqe.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Viti A:
  Ant. Predikoni Mbretërinë,
  shëroni të sëmurët, dëboni djajtë!
  Falas morët, falas edhe jepni.
 
  Viti B:
  Ant. Fara e vogël bëhet pemë e madhe,
  e zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.
 
  Viti C:
  Ant. Jezusi i tha gruas:
  Feja jote të shpëtoi.
  Shko në paqe.
 
  Lutjet e besimtarëve
Me zemra të gëzuara t’i lutemi Zotit, i cili botën e krijoi, e ripërtëriu me shëlbimin e vet dhe e përcjell me dashuri:
 
  Ripërtërij, o Zot, veprat e dashurisë sate!
 
Të lavdërojmë, o Zot i madh, për fuqinë tënde, me të cilën e krijove gjithësinë:
—  dhe për provaninë tënde që shfaqet në jetën e njerëzve.
Nëpërmjet Birit tënd, Princit të paqes dhe Ngadhënjyesit mbi vdekje:
—  lirona nga pikëllimi dhe frika.
Të gjithë atyre që e duan drejtësinë:
—  jepua mundësinë që të bashkëpunojnë në ndërtimin e një bote të re në paqe të vërtetë.
Ndihmo të shtypurit, liroji të burgosurit, ngushëlloji të mjerët, jepu bukë të uriturve, forcoji të dobëtit:
—  në gjithçka tregoje ngadhënjimin e kryqit.
Birin tënd pas vdekjes dhe varrimit, mrekullisht e ringjalle në jetë dhe lavdi:
—  bëj që ata që vdiqën së bashku me Të, të arrijnë në lumturi te Ti.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E DIEL
 
JAVA XI gjatë vitit
 
Pas lutjes së mbrëmësores së II të së dielës dhe të kremteve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit
  dhe do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
Psalmi 91 /90/  (1-16) 
  Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
  Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepa (Lk 10, 19).
 
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
  do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
  kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
 
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
  dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
  do të strehohesh nën fletët e tij,
 
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
  Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
 
as prej shigjete që fluturon ditën, †
  as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
  as prej shfarosjes që shkreton në mesditë.
 
Le të bien me mijëra rreth teje, †
  dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
  ty nuk do të të ndodhë asgjë!
 
Porsa ti me sy të vetëtish, *
  shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
  dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
 
e keqe nuk do të të gjejë, *
  dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
  të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
 
Do të të mbartin para duarsh *
  që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
  do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
 
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
  do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
 
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
  në vështirësi do të jem me të, *
  do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
 
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
  do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
  do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.
 
Leximi i shkurtër  Zb 22, 4-5
  Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Le të ngrihet para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, në të cilën e kujtojmë ngjalljen e Zotit: bëj dhe një mbarim të mirë, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd. Ti, që jeton
 
  Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
 
  Lutja
  Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST