Liturgjia e Orëve – 19 maj – e shtunë – Java VII e Pashkëve

Written by on May 17, 2018

JAVA E SHTATË E PASHKËVE E SHTUNË
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
 
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
 
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’” !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. !
 
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot,
  që e dërgon Shpirtin e vet, aleluja.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE E shtunë
 
Shërbesa e leximeve
 
  Himni
 
  O i epri mbret i amshueshëm,
  dhe Shëlbues i besimtarëve,
  atje ku vdekja bën plojë,
  jepet triumfi i hirit.
 
  Ngjitesh në gjykatë në qiell
  rri në krah të djathtë të Atit
  mbi të gjithë të jepet pushteti,
  që si njeri nuk e kishe.
 
  Makina treshe e sendeve
  qiellore e tokësore,
  e nën  tokë të fshehura,
  tash e gjunjëzuar të nënshtrohet.
 
  Dridhen duke parë engjëjt
  ndryshimin e vdekatarëve,
  mishi fajëson, mishi pastron,
  mishi, Fjala e Zotit mbretëron.
 
  Ti, o Krisht, je gëzimi ynë,
  ti je çmimi i përjetshëm,
  që drejton këtë ndërtesë të botës
  dhe i mund gëzimet e jetës.
 
  Prandaj me lutje të lypim,
  na i fal të gjitha fajet
  e zemrat na i ngre lart
  tek ti me hir hyjnor.
 
  Që kur të fillosh të ndriçosh
  me të kuqen re të gjykatësit,
  me hak t’i shlyesh mëkatet,
  të humburat kurora ktheji.
 
  Ty, o Krisht, të qoftë lavdia,
  që po ngjitesh ndër qiellore,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në amshim je burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për mëshirën e tij:
  për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve.
  Aleluja!
 
Psalmi 107 /106/  Falënderim për lirim
 
  Kjo është Fjala që Hyji u dërgoi izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve (Vap 10, 36).
 
  I (1-16)
 
Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, *
  sepse e amshueshme është dashuria e tij.
Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, *
  që i çliroi nga kthetrat e armikut
dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme †
  nga ku lind dielli e ku perëndon, *
  nga veriu e nga ana e detit.
 
U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, *
  nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.
 
Të uritur e të etur *
  shpirti i tyre ishte mekur në ta!
 
Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *
  dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.
 
Ai i qiti në udhën e drejtë *
  që të shkonin në qytetin e banimit.
 
Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, *
  për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,
 
që ngiu shpirtin e të eturit, *
  e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.
 
Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, *
  të lidhur në mjerim edhe në pranga,
sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit *
  dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit.
 
Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, *
  rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte.
 
Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit *
  dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.
 
I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes *
  e i këputi zinxhirët e tyre.
 
Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *
  për mrekullitë e tij ndaj bijve të njerëzve,
 
sepse i theu dyert e bronzta *
  dhe i këputi shulat e hekurt.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ta falënderojmë Zotin për mëshirën e tij:
  për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve. Aleluja!
 
Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua,
  mrekullitë që ti bëre për ne. Aleluja!
 
  II (17-32)
 
Të marrë për shkak të jetës së paudhë, *
  të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit,
shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, *
  arritën në dyert e vdekjes.
 
Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *
  Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.
 
E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, *
  i shpëtoi nga gropa e varrit.
 
Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, *
  për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,
 
le t’i flijojnë flinë e lavdit, *
  me hare le t’i shpallin veprat e tija!
 
Ata që me anije lundruan deteve *
  që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,
ata i panë veprat e Zotit, *
  mrekullitë e tija në thellësitë e detit.
 
Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, *
  lart u ngritën valët e stuhishme.
 
Ngrihen deri në qiell, †
  zbresin deri në pështjerrë: *
  shpirti i tyre mekej prej së keqes.
 
Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, *
  asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre.
 
Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, *
  Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.
 
Stuhinë e shndërroi në puhi *
  e valët e detit e shuan gjëmën e vet.
Iu gëzuan qetësimit të valëve, *
  ai i qiti në portin e dëshiruar.
 
Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, *
  për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,
le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, *
  le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 I pamë, o Zot, veprat e tua,
  mrekullitë që ti bëre për ne. Aleluja!
 
Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit,
  le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.
  Aleluja!
 
  III (33-43)
 
Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, *
  në vende të thata burimet e ujërave,
tokën e pëlleshme në këneta *
  për shkak të veprave të këqija të banorëve.
 
Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, *
  tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla.
Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, *
  dhe themeluan qytetin e banimit.
 
Mbollën arat e vunë vreshtat *
  dhe u prodhuan fruta me shumicë.
Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, *
  as grigjat e tyre nuk u pakuan.
 
Mandej qenë dhjetuar e munduar *
  nga vuajtjet edhe nga dhembjet.
Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, *
  i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.
 
I shpëtoi skamnorët nga mjerimi *
  dhe i shumoi si grigjat familjet.
 
Shohin të drejtët e le të gëzohen, *
  kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet.
Kush është i mençur le t’i kujtojë këto, *
  do ta shohë mirësinë e Zotit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Të drejtët le të shohin veprat e Hyjit,
  le të gëzohen e le ta kuptojnë dashurinë e tij.
  Aleluja!
 
  D Zoti na rilindi në një shpresë të gjallë, aleluja,
  C në Krishtin që u ringjall prej së vdekuri, aleluja.
 
  Leximi i parë
  Letra e tretë e shën Gjonit apostull  1-15
 
  Të ecim në të vërtetën
 
  Udhëheqësi, Gajit të dashur, të cilin e dua në të Vërtetën.
  Fort i dashuri,
  Dëshiroj të jesh mirë me gjithçka, siç është mirë edhe shpirti yt.
  Për të vërtetë shumë u kënaqa kur erdhën disa vëllezër dhe bënë dëshmi për sjelljen tënde në të vërtetën: se si ti jeton në dritën e së vërtetës. Për mua s’ka gëzim më të madh se të dëgjoj se fëmijët e mi jetojnë në dritën e së Vërtetës.
  Fort i dashur, vepro porsi besimtar i vërtetë në gjithçka që bën për të mirën e vëllezërve, madje edhe për të huaj. Ata e dëshmuan dashurinë tënde para Kishës dhe do të bësh mirë nëse u jep çka lypet për udhëtim në mënyrë të denjë para Hyjit. Sepse për dashuri të Emrit të Jezusit e morën rrugën pa marrë farë ndihme prej paganëve. Ne e kemi për detyrë t’i pranojmë njerëzit e tillë që të jemi bashkëpunëtorë të së Vërtetës.
  I kam shkruar pak fjalë Kishës, por Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na pranon. Prandaj, kur të vij, do t’ia them ndër sy veprat që bën duke folur keq kundër nesh. Veçse atij as aq nuk i duket mjaft, por nuk dëgjon t’i pranojë vëllezërit dhe, atyre që do të donin, u kërcënohet dhe i përjashton prej Kishës.
  I dashur,
  Mos e ndiq të keqen, por të mirën! Kush bën mirë, është prej Hyjit, kurse kush bën keq, nuk e ka parë Hyjin.
  Për Demetrin po dëshmojnë mirë të gjithë, madje edhe vetë e Vërteta. Po edhe ne dëshmojmë për të. Ti e di se dëshmia jonë është e vërtetë.
  Kam shumë gjëra për të shkruar, por s’po dua të vazhdoj t’i shkruaj me ngjyrë e me pendë, sepse shpresoj se do të të shoh për së shpejti dhe do të flasim gojarisht.
  Paqja me ty!
  Të përshëndesin miqtë.
  Përshëndeti miqtë emër për emër!
 
  Përgjigjja  Krh. 3 Gjn 11; 1 Pjt 2, 19
  C Mos e ndiq të keqen, por të mirën. * Kush bën mirë, është prej Hyjit, aleluja.
  D Me të vërtetë është hir, kur ndokush pëson vështirësi duke vuajtur padrejtësisht.
  C Kush bën mirë, është prej Hyjit, aleluja.
 
  Leximi i dytë
  Nga “Ligjëratat” e një autori afrikan të shekullit VI
  (Ligj. 8, 1-3; PL 65, 743-744)
 
  Njësia e Kishës flet në të gjitha gjuhët
 
  Apostujt folën në të gjitha gjuhët. Me siguri, në këtë mënyrë Hyji deshi ta tregojë atëherë praninë e Shpirtit Shenjt, kështu që kush ta pranonte të mund të fliste në të gjitha gjuhët. Duhet të kuptojmë mirë, o vëllezër fort të dashur, se pikërisht falë Shpirtit Shenjt dashuria e Hyjit gjendet në zemrat tona. Dhe mbasi dashuria kishte për ta mbledhur Kishën e Hyjit nga çdo anë e botës, një njeri i vetëm që ta pranonte Shpirtin Shenjt mund të fliste atëherë në të gjitha gjuhët. Kështu tani Kisha, e bashkuar për virtyt të Shpirtit Shenjt, e shpreh njësinë e vet në të gjitha gjuhët.
  Pra, nëse dikush do t’i thotë ndonjërit prej nesh: E more Shpirtin Shenjt, pse nuk flet në të gjitha gjuhët? Duhet të përgjigjesh: Po, unë i flas të gjitha gjuhët, pasi jam pjesëtar në atë trup të Krishtit që është Kisha, e cila flet në të gjitha gjuhët. Çka tjetër deshi të tregojë Hyji në saje të pranisë së Shpirtit Shenjt, në mos se Kisha e tij do t’i fliste të gjitha gjuhët?
  U plotësua kështu çka Zoti pati premtuar: Askush nuk e shtien verën e re në rrëshiqa të vjetër, por vera e re duhet të qitet në rrëshiqa të rinj, kështu që të ruhen të dyja (krh. Lk 5, 37-38). Pra, kur u dëgjua të flitej në të gjitha gjuhët, disa me të drejtë thoshin: “Janë dehur me musht!” (Vap 2, 13). Vërtet, ishin bërë rrëshiqa të rinj, të përtërirë nga hiri i shenjtërisë, kështu që, të mbushur me verë të re, d.m.th. me Shpirtin Shenjt, duke folur në të gjitha gjuhët, ishin plot zell dhe shfaqnin me atë mrekulli aq të qartë se Kisha do të bëhej katolike me anë të gjuhëve të të gjithë popujve.
  Pra, kremtoni këtë ditë si gjymtyrë të të vetmit trup të Krishtit. Njëmend, nuk do ta kremtoni kot nëse ju vetë do të jeni çka kremtoni, nëse do të jeni pjesëtarë në atë Kishë, të cilën Zoti e mbush me Shpirt Shenjt, e përhap me fuqinë e vet në mbarë botën, e njeh si të veten, dhe është njohur prej saj.
  Dhëndri nuk e braktisi Nusen e vet, pra, askush s’mund t’ia japë një tjetër.
  Vetëm juve, që formoheni nga bashkimi i të gjithë popujve, juve, Kishës së Krishtit, Trupit të Krishtit, Nuses së Krishtit, Apostulli thotë: Durojeni njëri-tjetrin në dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon (krh. Ef 4, 2). Shihni se ku na urdhëroi ta durojmë njëri-tjetrin, aty e vendosi dashurinë. Ku e gjeti shpresën e bashkimit, aty e tregoi lidhjen e paqes.
  Kjo është shtëpia e Hyjit, e ndërtuar me gurë të gjallë, në të cilën ai gëzohet të banojë dhe ku sytë e tij s’kanë për t’u therur nga asnjë përçarje e zezë.
 
  Përgjigjja  Krh. Vap 15, 8-9; 11, 18
  C Hyji, që e njeh njeriun, ua dha edhe paganëve, si neve, Shpirtin Shenjt, dhe i pastroi zemrat e tyre me anë të fesë, * dhe nuk bëri kurrfarë dallimi midis nesh e tyre, aleluja.
  D Pra, edhe paganëve Hyji u dhuroi kthimin që shpie në jetë,
  C dhe nuk bëri kurrfarë dallimi midis nesh e tyre, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm, pasi i kryem festat e Pashkëve, po të lutemi bëj që krejt jeta jonë të jetë një dëshmi e vazhdueshme e Krishtit të ngjallur. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE E shtunë
 
Lavdet e mëngjesit
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  I mirëpritur prej të gjithëve
  zbardhi dita e shenjtëruar,
  ku Krishti Zot, shpresa e botës,
  u ngjit në qiejt e lartë.
 
  Triumf i luftës së madhe,
  nga princi i vrarë i botës,
  duke shfaqur ndër sy t’Atit
  lavdinë e trupit fitimtar.
 
  Mbartet në re të shkëlqyeshme
  e jep shpresë ndër besimtarë,
  duke hapur tash parajsën
  që pat mbyllur njeriu i parë.
 
  O hare për t’gjithë e madhe,
  nga Virgjëra jonë lindur,
  pas rrahjesh, pështymash, pas kryqit
  në selinë atërore është ngjitur.
 
  Prandaj ta falënderojmë
  këtë mbrojtës të shpëtimit,
  që trupin tonë do ta mbartë
  lart në mbretërinë e qiellit.
 
  Qoftë për ne bashkë me qiellorët
  përherë gëzimi i përbashkët,
  për ata që u shfaq atyre,
  për ne që nuk është larguar.
 
  Tash, Krisht, në qiell duke u ngjitur
  tek ti zemrën tonë e ngrite,
  Shpirtin tënd edhe të Atit
  duke na çuar prej qiellit. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. 1 Fjalët që ju thashë
  janë shpirt dhe jetë, aleluja.
 
Psalmi 119 /118/  XIX (145-152) 
  Premtimi për mbajtjen e ligjit të Zotit
 
  Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e tija (1Gjn 5, 3).
 
Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo, *
  dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua.
Klitha drejt teje, më shpëto, *
  që t’i ruaj dëshmitë e tua.
 
Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë, *
  shpresoj në fjalën tënde.
Sytë e mi zgjohen para rojës së natës *
  për të përsiatur fjalët e tua.
 
Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot, *
  e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd.
U afruan ata që më salvojnë dijekeqas, *
  janë larg nga Ligji yt.
Por ti, o Zot, je afër, *
  besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.
Që moti di për urdhërimet e tua, *
  se i themelove për amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Fjalët që ju thashë
  janë shpirt dhe jetë, aleluja.
 
Ant. 2 Në kohën e Pashkëve
  O Hyj, mbi malin tënd të shenjtë e ndërtove për ne
  një altar dhe një tempull, aleluja.
 
Kënga Urt 9, 1-6. 9-11  O Zot, më jep urtinë
 
  Unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj (Lk 21, 15).
 
O Hyj i etërve të mi dhe Zoti i mëshirës, *
  ti që me anë të fjalës sate krijove rruzullin,
që njeriun e krijove me anë të urtisë sate *
  për të sunduar krijesat që ti i përftove,
 
për ta drejtuar botën me shenjtëri e drejtësi *
  dhe për të gjykuar gjyqin me shpirt të drejtë:
ma jep urtinë që rri në fron pranë teje *
  dhe mos më përjashto nga numri i fëmijëve të tu,
 
sepse jam shërbëtori yt, biri i skllaves sate,
  njeri i vogël e jetëshkurtër, *
  i paaftë për të kuptuar gjyq e ligj.
 
Sepse, edhe po t’u gjente ndër bijtë e njerëzve
  ndokush i përsosur, †
  por, në qoftë se i mungon urtia jote, *
  do të vlerësohej për asgjë.
Me ty është urtia që i njeh veprat e tua, *
  që ishte pranë edhe atëherë kur e krijove rruzullin,
dhe e dinte çfarë është e pëlqyeshme në sytë e tu *
  dhe çfarë është e drejtë në urdhërimet e tua.
 
Dërgoje prej qiejve të tu të shenjtë, *
  çoje prej selisë së madhërisë sate,
që të jetë me mua
  e të mundohet krah për krah me mua, *
  që të di çka është e pëlqyeshme para teje.
 
Sepse ajo di dhe gjithçka kupton,
  të më përcjellë me maturi në veprat e mia *
  e të më mbrojë me lavdinë e vet.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 O Hyj, mbi malin tënd të shenjtë e ndërtove për ne
  një altar dhe një tempull, aleluja.
 
Ant. 3 Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, aleluja.
 
Psalmi 117 /116/  (1-2) 
  Grishje për të lavdëruar Zotin për dashurinë e tij
 
  Këtë unë e them: Paganët e lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij (Krh. Rom 15, 8. 9).
 
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, *
  madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
 
Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh, *
  besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Jud 20-22
  Ju o të dashur, ndërtoni veten mbi themelin e fesë suaj tejet të shenjtë duke u lutur në Shpirtin Shenjt. Qëndroni në dashurinë e Hyjit duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për jetën e pasosur. Disa – të ndërdyshmët – qortoni.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Dërgoje, o Zot, Shpirtin në zemrat tona,
  * aleluja, aleluja.
  Dërgoje, o Zot, Shpirtin në zemrat tona,
  aleluja, aleluja.
  D Në të jemi bijtë dhe trashëgimtarët e tu.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Dërgoje, o Zot, Shpirtin në zemrat tona,
  aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
  Ant. Ja unë jam me ju gjithmonë
  deri në të sosur të botës, aleluja.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Ja unë jam me ju gjithmonë
  deri në të sosur të botës, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Të Shenjtëruar në Pagëzim për të paraqitur flinë e lavdit, ta lavdërojmë Hyjin, Atin tonë, së bashku me vëllezër të shpërndarë nëpër botë. Të themi me fe të gjallë:
 
  O Zot Jezu, na ripërtërij në Shpirtin tënd.
 
Dërgoje mbi ne Shpirtin tënd,
  që të kumtojmë para të gjithëve si Mbret dhe Zotëri.
Rrite në ne dashurinë e sinqertë,
  bëj që ta duam njëri-tjetrin si na mësove ti vetë.
Përgatite bashkësinë tonë që ta pranojë dhuratën e Shpirtit Shenjt,
  ardhja e tij le të jetë fillimi i jetës së re.
Na e dhuro forcën e Shpirtit Shenjt,
  që t’i shërojë plagët tona dhe të na japë forca të reja për të ecur drejt shëlbimit.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm, pasi i kryem festat e Pashkëve, po të lutemi bëj që krejt jeta jonë të jetë një dëshmi e vazhdueshme e Krishtit të ngjallur. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
JAVA E SHTATË E PASHKËVE E shtunë
 
Ora e mesme
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
  Himni
 
Ora e tretë
 
  Ja po vjen ora e tretë,
  kur Krishti i ngjitet kryqit;
  për keq mos të shkojë mendja,
  të shtojë dashurinë e lutjes.
 
  Kush e merr në zemër Krishtin,
  fiton ndjenja frytdhënëse,
  me kushte të zellshme bëhet
  i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
 
  Kjo është ora që i dha fundin
  letargjisë së krimit t’egër,
  nga kjo fill kohë të lume
  nisën nga hiri i Krishtit.
 
  Jezus, që ndër të gjithë shekujt
  shndrit me mundje të vdekjes,
  bashkë me Atin e me Shpirtin
  e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Eni, o ju skllevër, që luteni,
  me mendje e gojë madhëroni
  emrin e lumë të Hyjit
  me këngë e lavde të denja.
 
  Sepse kjo është koha,
  kur me vendim të padrejtë
  ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
  gjykatësin e të gjithë shekujve.
 
  E shtyrë nga dashuria,
  nga frika e drejtë të nënshtruar,
  kundër të gjitha sulmeve
  që na shtie armiku i egër.
 
  Të vetmin Zot ta adhurojmë,
  Hyjin Atë e Birin e tij
  së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
  një Zot të vetëm në Trini. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Kjo është ora, që shkëlqeu
  edhe hoqi retë nga kryqi,
  botës duke i zhveshur terrin,
  i dha dritat e kthjellëta.
 
  Kjo orë që duke i ngjallur
  Jezusi prej varresh trupat,
  me shpirt të gjerë u dha urdhër
  të kthehen në jetë pas vdekjes.
 
  Zgjidhur ligjet e vdekjes
  besojmë shekuj të përtërirë,
  ndjekin rrjedhë të përjetshme
  dhuntitë e jetës së lume.
 
  Jezus, ty të qoftë lavdia,
  që shndrit me mposhtje të vdekjes,
  bashkë me Atin dhe me Shpirtin
  në gjithë shekujt burim jete. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 119 /118/  XVI (121-128)
 
Veprova me drejtësi e me të drejtë, *
  mos më dorëzo te shpifësit e mi.
Hyr dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd, *
  që të mos më shpifen krenarët.
 
Sytë po më shteren prej dëshirës së shëlbimit tënd *
  dhe të fjalës së drejtësisë sate.
Bëj me shërbëtorin tënd sipas dashurisë sate *
  dhe m’i mëso rregulloret e tua.
 
Unë jam shërbëtori yt, *
  më jep kuptim t’i njoh dëshmitë e tua.
Koha është të dëftohesh, o Zot, *
  se e prishën Ligjin tënd.
Oh, sa i dua urdhërimet e tua: *
  më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.
Ndërgut i mbaj urdhërimet e tua të gjitha, *
  e urrej çdo udhë gënjeshtre.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Psalmi 34 /33/  Zoti është shpëtimi i të drejtëve
 
  E keni sprovuar se Zoti është i mirë (1Pjt 2, 3).
 
  I (2-11)
 
Përherë do ta bekoj Zotin, *
  në gojën time përherë lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: *
  le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
 
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit, *
  le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi *
  edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
 
Shikojeni atë e do të ndriçoheni *
  fytyra juaj nuk do të turpërohet.
 
Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi *
  dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre *
  që e kanë frikë dhe i shpëton.
 
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! *
  I lumi ai që shpreson në të!
Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij, *
  s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
 
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, *
  ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
  II (12-23)
 
Ejani, o bij, e më dëgjoni: *
  do t’jua mësoj frikën e Zotit.
A e dëshiron jetën, o njeri? *
  A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?
 
Rrudhe gjuhën tënde prej së keqes, *
  gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.
Ik prej së keqes e bëj të mirën, *
  kërkoje paqen e ndiqe atë!
 
Sytë e Zotit këqyrin të drejtët, *
  veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
Fytyra e Zotit është kundër keqbërësve *
  për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
 
Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon, *
  i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër, *
  i shpëton shpirtpërgrirët.
 
Sado të vështira të ketë i drejti, *
  prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Zoti i ruan eshtrat e tyre: *
  asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.
 
E keqja e vet do ta vrasë bakeqin, *
  e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, *
  nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
 
Ora e tretë
  Leximi i shkurtër  Rom 5, 10-11
  Në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! Dhe, jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin.
  D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
  C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
 
Ora e gjashtë
  Leximi i shkurtër  1 Kor 15, 20-22
  Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën.
  D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
  C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.
 
Ora e nëntë
  Leximi i shkurtër  2 Kor 5, 14-15
  Dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën; e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.
  D Rri me ne, o Zot, aleluja,
  C tashmë është mbrëmje, aleluja.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm, pasi i kryem festat e Pashkëve, po të lutemi bëj që krejt jeta jonë të jetë një dëshmi e vazhdueshme e Krishtit të ngjallur. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
 
 
 
E diela e rrëshajëve
 
E kremte
 
Mbrëmësorja I
 
  Himni
 
  Eja, o Shpirt Krijues
  vizito mendjet tona,
  mbushi me hirin tënd,
  zemrat që ke krijuar.
 
  O këshilltar i ëmbël,
  dhuratë e Atit të Tejetlartë,
  ujë i gjallë, zjarr, dashuri,
  krizmë e shenjtë e shpritit.
 
  Gisht i dorës së Zotit,
  i premtuar nga Shëlbuesi
  rrezato shtatë dhuratat e tua,
  ngjalle në ne fjalën.
 
  Të jesh dritë e diturisë,
  flakë e ndezur në zemër,
  shëroji plagët tona
  me balsamin e dashurisë sate.
 
  Na mbro nga armiku,
  na jep dhuratë paqen,
  udhëheqja jote fitimtare
  na ruajtë nga e keqja.
 
  Dritë e pashtershme diturie
  na zbulo misterin e madh
  të Hyjit Atë dhe të Birit
  të bashkuar në një dashuri të vetme. Amen.
 
  (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Në ditën e Rrëshajëve,
  pesëdhjetë ditë pas ngjalljes së Krishtit,
  nxënësit ishin të gjithë të mbledhur, aleluja.
 
Psalmi 113 /112/  (1-9)
 
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *
  lavdërojeni, Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit *
  qysh tash e deri në amshim,
 
Që kur lind dielli e derisa perëndon *
  qoftë bekuar Emri i Zotit!
I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *
  lavdia e tij i tejkalon qiejt
 
Kush është si Zoti, Hyji ynë, †
  që fronin e ka në Lartësi, *
  e nga lart vrojton qiellin e tokën?
 
Nga pluhuri e ngre skamnorin, *
  nga llomi e lartëson të vobektin
për ta vënë të rrijë me princa, *
  me princat e popullit të vet.
 
Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *
  nënë fëmijësh të gëzueshme.
 
Ant. 1 Në ditën e Rrëshajëve,
  pesëdhjetë ditë pas ngjalljes së Krishtit,
  nxënësit ishin të gjithë të mbledhur, aleluja.
 
Ant. 2 Gjuhë të zjarrit mbi çdonjërin apostull:
  Shpirti i Hyjit i paraqitej botës, aleluja.
 
Psalmi 147 /146/  (1-11)
 
Lavdërojeni Zotin, sepse është mirë, †
  është bukur t’i këndosh Hyjit tonë, *
  është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!
 
Zoti e rindërton Jerusalemin, *
  i bashkon izraelitët e mërguar!
Ai i shëron zemrat e copëtuara, *
  i lidh plagët e tyre!
 
Ai e njeh numrin e yjeve *
  dhe e thërret secilin me emër.
 
I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm, *
  e pakufishme është dija e tij.
Zoti i lartëson të përvujtët, *
  kurse përdhe i shtron keqbërësit.
 
Këndojani Zotit këngën e falënderjes, *
  bini harpës për nder të Hyjit tonë!
 
Ai me re e mbulon qiellin *
  dhe ia përgatit dheut shiun.
 
Bën të rritet maleve bari *
  edhe bimë për të mirën e njeriut.
 
Ai u jep ushqime bagëtive, *
  deri edhe zogjve të korbave kur ia kërkojnë.
S’i jep rëndësi fuqisë së kalit, *
  s’i merr parasysh kërçikët e trimit:
 
Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë, *
  ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
 
Ant. 2 Gjuhë të zjarrit mbi çdonjërin apostull:
  Shpirti i Hyjit i paraqitej botës, aleluja.
 
Ant. 3 Shpirti që vjen prej Atit
  e zbulon lavdinë e Krishtit Zot, aleluja.
 
Kënga Krh. Zb 15, 3-4
 
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
  o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
  Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
  o Mbreti i popujve!
 
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
  dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
  Ti i vetmi, je Shenjti!
 
Të gjitha kombet do të vijnë †
  dhe do të adhurojnë para Teje, *
  sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
 
Ant. 3 Shpirti që vjen prej Atit
  e zbulon lavdinë e Krishtit Zot, aleluja.
 
  Leximi i shkurtër  Rom 8, 11
  Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Shpirti i Atit do të jetë në ju, * aleluja, aleluja.
  Shpirti i Atit do të jetë në ju, aleluja, aleluja.
  D Ai do t’ju mësojë çdo gjë.
  aleluja, aleluja.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Shpirti i Atit do të jetë në ju, aleluja, aleluja.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55
  Ant. Eja, o Shpirt Shenjt,
  mbushi zemrat e besimtarëve tu,
  ndize zjarrin e dashurisë sate:
  ti që në larminë e gjuhëve njerëzore
  i bashkon të gjithë popujt në një fe të vetme, aleluja.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Eja, o Shpirt Shenjt,
  mbushi zemrat e besimtarëve tu,
  ndize zjarrin e dashurisë sate:
  ti që në larminë e gjuhëve njerëzore
  i bashkon të gjithë popujt në një fe të vetme, aleluja.
 
  Lutjet e besimtarëve
Pasi kaluan ditët e Pesëvjetores së vjetër zbriti nga qielli mbi apostuj Shpirti Shenjt Ngushëllues. Duke festuar misterin e madh, po i lutemi Hyjit Atë që këtë mister ta ripërtërijë në ne:
 
  Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot,
  dhe përtërije fytyrën e tokës.
 
Ti që Krijove Botën dhe e shpërbleve përmes Birit tënd,
  dërgoje Shpirtin tënd që ta ripërtërijë fytyrën e tokës.
Ti që e formove njeriun në përngjasimin tënd dhe ia dhe Shpirtin e pavdekshëm,
  dërgoje Shpirtin Shenjt në Kishën tënde që në përngjasim të Krishtit të bëhet shpirt i botës.
Bëj që të ndriçojë në mesin e njerëzve të kohës sonë drita e Shpirtit tënd,
  ku ka urrejtje, bëj të lulëzojë dashuria, ku ka dhembje sille gëzimin, ku ka luftë sille paqen.
Pastroji mëkatet tona në ujin e gjallë të Shpirtit tënd,
  shëroji plagët e mëkateve tona.
Ti që për virtyt të Shpirtit Shenjt ua fal njerëzve jetën e lavdishme,
  bëj që të vdekurit të pastruar me hirin tënd të hyjnë në gëzimin e përhershëm.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm, ti deshe që kremtimi i Pashkëve të zgjasë pesëdhjetë ditë: bëj që Shpirti Shenjt t’i bashkojë popujt e dëmtuar nga dasitë e llojllojshme që të gjithë njerëzit, secili në gjuhën e vet, të lavdërojnë ty. Nëpër Zotin.
 
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST