Liturgjia e Fjalës – 17 korrik – e martë – Java XV gjatë vitit

Written by on July 15, 2018

JAVA E XV GJATË VITIT 
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje;
do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate
atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde:
bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë,
të flakin çka i kundërshton këtij emri
e të pranojnë çka i përket.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Is 7, 1-9)
 
  Mbretëria e Davidit do të mbetët për amshim.
 
  Lexim prej Librit të Isaisë Profet
 
  1 Në ditët e Akazit, të birit të Joatamit, të birit të Ozisë, mbretit të Judës, u çua Rasini, mbreti i Sirisë dhe Faceu, i biri i Romelisë, mbreti i Izraelit, dhe morën rrugën drejt Jerusalemit për ta luftuar por nuk mundën ta pushtojnë. 2 Atëherë i çuan këtë lajm shtëpisë së Davidit: “Sirianët ngulën fushimin në Efraim. “Atëherë zemra e Akazit e zemra e mbarë popullit u dridh siç dridhen lëndët e pyllit kur fryn era. 3 Atëherë Zoti i tha Isaisë: “Ti e yt bir Seariasubi dilni para Akazit në skaj të ujësjellësit të ujëmbajtësit të sipërm në udhën e Arës së Rrobalarësit. 4 Thuaj kështu: Kij kujdes, mos u shqetëso! Mos druaj e të mos trembet zemra jote prej këtyre dy urëve me tym, prej flakës së zemërimit të Rasinit të Sirisë e prej birit të Romelisë, 5 pse Siria, Efraimi e biri i Romelisë kanë vendosur të të shpartallojnë e thonë: 6 Të sulemi kundër Judës, t’ia shtimë frikën, ta pushtojmë e t’i vëmë për mbret të birin e Tabeelit’. 7 Kështu thotë Zoti Hyj: “Kjo s’do të ngjajë! Kështu s’do të jetë! 8 Kryet e Sirisë është Damasku e kryet e Damaskut është Rasini! Edhe gjashtëdhjetë e pesë vjet e Efraimi s’do të jetë më popull. 9 Kryet e Efraimit është Samaria, e kryet e Samarisë është biri i Romelisë. Nëse s’do t’më besoni, nuk do të shpëtoni!”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 48 (47)
 
Ref.  I MADHËRISHËM ËSHTË ZOTI E TEJET I LAVDISHËM
 
2 I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm,
në qytetin e Hyjit tonë!
3 Mali i tij i shenjtë, kodrinë e bukur,
gëzimi i mbarë botës:
 
Mali Sion, në veriun e skajshëm,
Qyteti i Mbretit të madh,
4 Hyji në pirgjet e tij
u tregua kështjellë e pathyeshme.
 
5 Dhe ja, u bashkuan mbretërit,
sulmuan së bashku,
6 posa panë,u rrudhën,
e, të hutuar, ikën praptazi.
 
7 Aty i kapën të dridhurat
si dhimbjet e lindëses,
8 ishin si stuhia e lindjes
që i thyen anijet e Tarsisit.
 
  Aleluja!
Bënu zbatues të fjalës e jo vetën dëgjues që gënjejnë vetvetën. (Jak 1, 22)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 11, 20-24)
 
  Do të vije që të na vizitojë nga lart një Diel që shndrit.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  Në atë kohë, Jezusi 20 zuri t’i qortojë qytetet, në të cilat kishte bërë shumë e shumë mrekulli, e ato nuk u kthyen. 21 »I mjeri ti, Korazin, e mjera ti, o Betsaidë! Sepse, sikur të ishin bërë të gjitha ato mrekulli në Tir e në Sidon, që u bënë ndër ju, që kaherë do të kishin bërë pendesë të veshur me thes pendese e të përhimë. 22 Prandaj po ju them: Tiri e Sidoni do të kenë më lehtë se ju Ditën e Gjyqit! 23 E ti, o Kafarnaum, a thua do të ngritesh deri në qiell? Ti do të plandosesh deri në ferr! Sepse, sikur të ishin bërë në Sodomë mrekullitë që u bënë në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite! 24 Prandaj po ju them: treva e Sodomës do ta ketë më lehtë se ti ditën e Gjyqit!«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet
dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve,
të cilët do të ushqehen me këto dhurata.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet
edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet:
e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im!
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde,
do të të lavdërojnë për amshim.
Ose:  Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim,
ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua
dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri,
të na shtohet fryti i shpëtimit.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist