Liturgjia e Fjalës – 19 korrik – e enjte – java XV gjatë vitit

Written by on July 17, 2018

JAVA E XV GJATË VITIT
 
E ENJTE
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje;
do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate
atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde:
bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë,
të flakin çka i kundërshton këtij emri
e të pranojnë çka i përket.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Is 26, 7-9.12.16-19)
 
  Mbretëria e Davidit do të mbetët për amshim.
 
  Lexim prej Librit të Isaisë profet
 
  Udha e të drejtit është e drejtë, të drejtit ti ia rrafshon shtegun. 8 Udhës që endin gjyqet e tua, ne, o Zot, në ty shpresojmë; Emri yt e kujtimi yt është dëshira e shpirtit tonë. 9 Shpirti im të dëshiron natën me mend të mia, në veten time të kërkoj. Kur zbatohen vendimet e tua në tokë, banorët e botës e mësojnë drejtësinë. 12 Ti,o Zot, do të na e dhurosh paqen, pasi ti të mbarën ua jep të gjithave që ne ndërmarrim. 16 Ty o Zot, të kërkuan në ngushticë, t’u lutën në provë, kur ti i ndëshkoje. 17 Si shtatzëna, kur për të lindur i afrohen dhimjet, me ofshame bërtet nga dhimjet e veta, e tillë u bënë përpara teje, o Zot. 18 Ngjizëm, në dhimje jemi thua se do të lindim: lindëm erë; vendit shpëtim nuk i sollëm, as nuk lindën banorët e botës. 19 Por përsëri do të rijetojnë të vdekurit, të vrarët e mi do të ringjallen. Çohuni e brohoritni, ju që banoni në pluhur, sepse vesa jote është vesa e dritës edhe toka hijet e të vdekurve në dritë do t’i qesë!
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 112 (101)
 
Ref.  UDHA E TË DREJTIT ËSHTË E DREJTË
 
13 Por ti, o Zot, qëndron për amshim,
prej breznie në brezni Emri yt.
14 Ngrihu, ki dhembje për Sionin:
ka ardhur koha të kesh mëshirë për të
– shi tani është koha!
15 Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij
e u dhembet edhe pluhuri i tij.
 
16 Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot,
të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.
17 Sepse Zoti e ndërtoi Sionin,
u dëftua në lavdinë e vet.
18 E mori parasysh lutjen e të vobektëve
dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.
 
19 Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme
dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.
20 Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë,
nga qielli ai vrojton mbi tokë,
21 për t’i dëgjuar ofshamat e robërve,
për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje.
 
  Aleluja!
Ja shërbëtori im të cilin e përkrahi. Zëri i tij nuk dëgjhet në sheshe, kallamin e krisur nuk do ta thejë. (Krh. Is 42,1.3)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 11, 28-30)
 
  Do të vije që të na vizitojë nga lart një Diel që shndrit.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  Në atë kohë Jezusi tha: 28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet
dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve,
të cilët do të ushqehen me këto dhurata.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet
edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet:
e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im!
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde,
do të të lavdërojnë për amshim.
Ose:  Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim,
ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua
dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri,
të na shtohet fryti i shpëtimit.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist