Liturgjia e Fjalës – 20 prill – e premte – Java III e Pashkëve

Written by on April 18, 2018

PASHKËT
 
JAVA E TRETË
 
E PREMTE
 
Antifona e hyrjes  Zb 5, 12
I denjë është Qengji i prerë
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen,
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë, aleluja.
 
Kolekta
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
pasi e kemi njohur hirin e ngjalljes së Zotit,
bëj që në saje të dashurisë së Shpirtit Shenjt,
të ngjallemi për një jetë të re.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 9, 1-20)
 
  Unë e kam zgjedhur për të përgjigjur për Emrin tim para popujve paganë.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, 1 Sauli, që s’merrte frymë për tjetër veçse për t’u kërcënuar e për vrasje kundër nxënësve të Zotërisë, erdhi te kryeprifti 2 e kërkoi prej tij letrat për sinagogat e Damaskut, në mënyrë që, nëse do të gjejë ndokënd të kësaj Udhe, burra e gra, të mund t’i sjellë të lidhur në Jerusalem. 3 Kur, duke udhëtuar, iu afrua Damaskut, papritmas e shndriti një dritë prej qiellit. 4 U rrëzua për tokë dhe dëgjoi një zë që i tha: “Saul, Saul, pse po më salvon?” 5 Ai pyeti: “Kush je ti, Zotëri?” E Ai: “Unë jam Jezusi që ti e salvon! 6 Më mirë ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të tregohet se çka duhet të bësh!”
7 Bashkudhëtarët e tij, të habitur, zunë vend pa folur asnjë fjalë, sepse vërtet e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd. 8 Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte hapur sytë, nuk shihte asgjë. E shtinë në Damask duke e marrë për dore, 9 dhe për tri ditë as nuk pa as nuk hëngri as nuk piu. 10 Në Damask ishte një nxënës që quhej Anani. Këtij Zoti i tha në vegim: “O Anani!” “Urdhëro, o Zot” ‑ u përgjigj ai. 11 “Çohu ‑ i tha Zoti ‑ dhe shko në rrugën që quhet: ‘E drejtë’ e në shtëpinë e Judës lype njeriun prej Tarsit që quhet Saul. Ai tani po lutet, 12 dhe e pa [në vegim] një njeri që quhet Anani duke hyrë tek ai dhe duke i vënë duart për t’ia rikthyer dritën e syve.” 13 “O Zot ‑ iu përgjigj Anania ‑ prej shumëkujt kam dëgjuar për atë njeri sa shumë të këqija u ka bërë shenjtërve të tu në Jerusalem. 14 Ai ka edhe fuqizimin prej kryepriftërinjve për të lidhur në hekura të gjithë ata që e thërrasin Emrin tënd.” 15 “Shko ‑ iu përgjigj Zoti ‑ sepse ai është vegla ime, që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur Emrin tim para popujve paganë, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit. 16 Jo po, unë vetë do t’i tregoj se sa shumë do t’i duhet të pësojë për shkak të Emrit tim!”
17 Anania shkoi, hyri në shtëpi e, duke ia vënë duart, i tha: “Vëlla Saul, Zotëria Jezus, që t’u dëftua në udhë kur ishe duke ardhur këtu, më dërgoi që ta rifitosh dritën e syve e të mbushesh me Shpirtin Shenjt.” 18 Dhe aty për aty i ra diçka prej syve si pare peshku dhe menjëherë iu kthye drita e syve, u ngrit dhe qe pagëzuar, 19 hëngri dhe u përtëri në fuqi.
I kaloi disa ditë bashkë me nxënës në Damask 20 dhe menjëherë filloi të predikojë në sinagoga se Jezusi është Biri i Hyjit.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 117 (116)
 
Ref.  LË TË SHNDRISË MBI BOTËN MBARË, O ZOT, DRITA E UNGJILLIT TËND .
 
1 Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,
madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
 
2 Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh,
besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
 
  Aleluja!
Kush ushqehet me Trupin tim dhe pi Gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. (Gjn 6, 57)
  Aleluja!
 
 
  Ungjilli  (Gjn 6, 52-59)
 
  Trupi im është ushqimi i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, 52 judenjtë filluan të grinden me shoqi‑shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?”
53 Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! 54 Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. 55 Sepse trupi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë. 56 Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. 57 Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua. 58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.”
59 Këtë mësim Jezusi e dha në sinagogën e  Kafarnaumit.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Në mirësinë tënde shenjtëroji, o Zot, këto dhurata,
pranoje kushtin e kësaj flie shpirtërore,
dhe na shndërro në dhuratë të përhershme
për lavdinë tënde.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – I
 
Misteri i Pashkëve
 
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – IV
 
Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve
 
48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Me fitoren mbi mëkatin,
rimëkëmbet mbarë rruzullimi
e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit 
Krishti i kryqëzuar u ngjall nga të vdekurit
dhe na shëlboi, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
E morëm, o Zot, dhuratën e misterit të shenjtë,
e po të lutemi me përvujtëri,
që kremtimi i Birit tënd,
të cilin na urdhëroi ta bëjmë në përkujtimin e tij,
ta shtojë në ne dashurinë e shenjtë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST