Fjalimi i Atit të Shenjtë, Papa Françesku, në Udhën e Kryqit me rastin e Ditës Botërore të Rinisë

Posted · Add Comment

Udhëtimi Apostolik i Atit të Shenjtë Françesku në Poloni me rastin e Ditës XXXI Botërore të Rinisë

(27-31 korrik 2016)

 

UDHA E KRYQIT ME TË RINJTË

Parku Jordan, Błonia, Krakovë, 29 korrik 2016

papa-via-cruciscrop

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË

 

Sepse pata uri e më dhatë të ha,

pata etje e më dhatë të pi,

isha shtegtar e më përbujtët,

isha i zhveshur e më veshët,

i sëmurë e erdhët të më shihni,

isha në burg e erdhët tek unë.

                                      Mt 25, 35-36

 

Këto fjalë të Jezusit i përgjigjen pyetjes që shpesh zgjohet në mendjen dhe zemrën tonë: “Ku është Zoti?”. Ku është Zoti, nëse në botë është e pranishme e keqja, nëse ka njerëz të uritur, të etur, të pastrehë, të dëbuar, refugjatë. Ku është Zoti, kur njerëz të pafajshëm vdesin për shkak të dhunës, terrorizmit, luftrave? Ku është Zoti, kur sëmundje të pamëshirshme këpusin lidhje jete e dashurie? Apo kur fëmijët shfrytëzohen e nënshtrohen, apo vuajnë nga patologji të rënda? Ku është Zoti, përballë ankthit të dyshuesve, apo pikëllimit të tyre në shpirt. Ekzistojnë pyetje, për të cilat nuk ka përgjigje njerëzore. Vetëm mund të shohim nga Jezusi, dhe ta pyesim. Dhe përgjigja e Jezusit ëshë kjo: “Zoti është në ta”, Jezusi është në ta, vuan në ta, thellësisht i identifikuar me secilin prej tyre. Ai është aq i bashkuar me ta, gati të formojë “një trup të vetëm”.

 

Vetë Jezusi ka zgjedhur të njëjtësohet me këta vëllezër e motra të vënë në provë nga dhimbja dhe ankthi, duke pranuar të ecin në udhën e mundimshme drejt kalvarit. Ai, duke vdekur në kryq, dorëzohet në duart e Atit, dhe mban mbi vete dhe brendat vetes, me dashuri që dhurohet, plagët fizike, morale e shpirtërore të mbarë njerëzimit. Duke përqafuar drurin e kryqit, Jezusi përqafon lakuriqësinë dhe urinë, etjen dhe vetminë, dhimbjen dhe vdekjen e njerëzve të të gjitha kohërave. Sonte Jezusi, dhe bashkë me Të edhe ne, përqafon në mënyrë të veçantë vëllezërit tanë sirianë, të detyruar të largohen nga lufta. I përshëndesim dhe i mirëpresim me dashuri vëllazërore dhe simpati.

 

Duke ripërshkuar Via Crucis (Udhën e Kryqit) të Jezusit, kemi zbuluar rëndësinë e përngjasimit me Të, përmes 14 veprave të mëshirës. Ato na ndihmojnë t’i hapemi mëshirës së Hyjit, të kërkojmë hirin dhe të kuptojmë që pa mëshirë njeriu nuk mund të bëjë asgjë, pa mëshirë, unë, ti, ne të gjithë nuk mund të bëjmë asgjë. I hedhim një vështrim së pari shtatë veprave të mëshirës trupore: t’i japësh për të ngrënë të uriturve, t’i japësh për të pirë të eturve, të veshësh atë që është i zhveshur, të strehosh shtegtarët, të vizitosh të sëmurët, të vizitosh të burgosurit, të varrosësh të vdekurit. Falas kemi marrë, falas japim. Jemi të thirrur t’i shërbejmë Jezusit të kryqëzuar brenda çdo njeriu të anashkaluar, të prekim mishin e Tij të bekuar në atë që është i përjashtuar, ka uri, ka etje, është i zhveshur, i burgosur, i sëmurë, i papunë, i persekutuar, i larguar, i mërguar. Aty gjejmë Hyjin tonë, aty prekim Zotin. Na e ka thënë vetë Jezusi, duke na shpjeguar se cili do të jetë “protokolli”, në bazë të të cilit do të marrim gjykimin: çdo herë që do t’ia bëjmë këtë më të voglit nga vëllezërit tanë, do t’ia bëjmë Atij (Mt 25, 31-46).

 

Veprat e mëshirës trupore pasohen nga ato të mëshirës shpirtërore: të këshillosh ata që dyshojnë, të mësosh të paditurit, të qortosh mëkatarët, të ngushëllosh të vuajturit, të falësh fyerjet, të durosh njerëzit e mërzitshëm, të lutësh Zotin për të gjallë e për të vdekur. Në mirëpritjen e të anashkaluarit që është i plagosur në trup, në mirëpritjen e mëkatarit që është i plagosur në shpirt, shihet besueshmëria jonë si të krishterë. Jo në ide, por pikërisht aty.

 

Sot njerëzimi ka nevojë për burra dhe gra, dhe në mënyrë të veçantë për të rinj si ju, që nuk duan ta jetojnë jetën “përgjysëm”, për të rinj të gatshëm ta kalojnë jetën në shërbim të vëllezërve më të varfër e më të dobët, në përngjasim me Krishtin, që dha krejt vetveten për shëlbimin tonë. Përballë së keqes, vuajtjes, mëkatit, e vetmja përgjigje e mundshme për dishepullin e Jezusit është dhurimi i vetvetes, edhe i jetës, në përngjasim me Krishtin; është qëndrimi i të qenurit në shërbim. Nëse dikush, që e quan veten të krishterë, nuk jeton për të shërbyer, atij nuk i shërben jeta, sepse me jetën e tij, mohon Jezu Krishtin.

 

Sonte, të dashur të rinj, Zoti na ripërtërin ftesën për tu bërë protagonistë të shërbimit; Ai do që ju të bëheni një përgjigje konkrete për nevojat dhe vuajtjet e njerëzimit; do që të jeni një shenjë e dashurisë së Tij të mëshirshme për kohën tonë! Për ta përmbushur këtë mision, Ai ju tregon udhën e angazhimit personal dhe flijimit të vetvetes: kjo është Udha e Kryqit. Udha e Kryqit është rruga e lumturisë për të shkuar pas Krishtit deri në fund, shpesh në rrethana dramatike të jetës së përditshme; është rruga që nuk ka frikë nga mossukseset, përjashtimet apo vetmitë, sepse e mbush zemrën e njeriut me plotësinë e Jezusit. Udha e Kryqit është rruga e jetës dhe stilit të Hyjit, që Jezusi përshkon edhe nëpërmjet shtigjeve të një shoqërie nganjëherë të ndarë, të padrejtë dhe të korruptuar.

Udha e Kryqit nuk është një zakon sadomazokist; Udha e Kryqit është e vetmja që mund mëkatin, të keqen dhe vdekjen, sepse rrjedh në dritën rrezatuese të ngjalljes së Krishtit, duke hapur horizonte të jetës së re dhe të plotë. Është Udha e shpresës dhe së ardhmes. Kush e përshkon me bujari dhe fè, i dhuron shpresë së ardhmes dhe njerëzimit. Kush e përshkon me bujari dhe fè, mbjell shpresë. Dhe unë do të doja që ju të ishit mbjellës së shpresës.

 

Të dashur të rinj, në atë të Premte të shenjtë, shumë dishepuj u kthyen të trishtuar në shtëpitë e tyre, të tjerë zgjodhën të shkonin në shtëpitë në fshat për të harruar pak kryqin. Ju pyes, por përgjigjuni secili prej jush në heshtje, në zemrën tuaj: si doni të ktheheni sonte në shtëpitë tuaja, në vendqendrimit tuaja, në çadrat tuaja? Si doni të ktheheni sonte për tu takuar me veten? Bota na sheh. Secilit prej jush i takon t’i përgjigjet sfidës së kësaj pyetjeje.