Liturgjia e Fjalës – 10 nëntor – e shtunë – Java XXXI gjatë vitit

Written by on November 8, 2018

JAVA E XXXI GJATË VITIT
 
E SHTUNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 37, 22-23
Mos më lër vetëm, o Zot Hyji im, mos u largo prej meje!
Nxito të më ndihmosh, o Zot, fuqia e shpëtimit tim.
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm,
me hirin tënd besimtarët e tu mund të të shërbejnë me denjësi;
bëj, po të lutemi,
të nxitojmë pa pengesë nga premtimet e tua.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Fil 4, 10-19)
 
  Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
 
Vëllezër, 10 jam gëzuar në Zotin, pse kujdesi juaj ndaj meje mundi së fundi të lulëzojë. Vërtet, ju edhe më parë keni menduar të kujdeseni për mua, por nuk keni pasur rast.
11 Nuk po them kështu për arsye të skamit, sepse ju e dini se unë jam mësuar të jem i kënaqur me aq sa kam. 12 Di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak! 13 Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!
14 Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time. 15 Po edhe ju, o filipianë, e dini mirë se në fillim të predikimit të Ungjillit, kur u nisa prej Maqedonisë, asnjë kishë nuk më dha gjë lidhur me “të dala e të marra”, përveç ju të vetmit. 16 Madje edhe në Selanik kur isha në nevojë, më dërguat ndihma një herë e dy herë. l7 Jo, nuk kërkoj dhurata, por kërkoj fryt të begatshëm në dobinë tuaj. 18 Kam gjithçka më duhet, madje edhe për së tepërmi: jam plot me çdo të mirë që mora prej Epafrodit, çka ju më dërguat: “erë e mirë” ‑ fli e erëndshme që i pëlqen Hyjit.
19 Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 112 (111)
 
Ref.  DO TË JETË I BEKUAR AI QË JEP MË GËZIM
 
1 Lum ai njeri që e druan Zotin,
që kënaqet në urdhërimet e tij.
2 Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë,
do të bekohet breznia e të drejtëve.
 
5 I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon,
punët e veta i kryen me ndërgjegje,
6 ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti,
 
8 të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet
9 Është dorëdhënë, u fal skamnorëve;
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,
balli i tij ngallit për nder.
 
  Aleluja!
Nuk mund t’u shërbeni dy zotërinjve, thotë Zoti; Ku jam unë atje do të jetë edhe shërbëtori im, dhe Ati im do ta nderojë. (Krh. Lk 16, 13; Gjn 12, 26)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 16, 9-15)
 
  Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rrejshme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë?
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë Jezusi tha: 9 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rrejshme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.
10 Kush është besnik në sende të vogla, është besnik edhe në sende të mëdha; e kush nuk është besnik në sende të vogla, ai nuk është besnik as në sende të mëdha. 11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rrejshme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? 12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën? 13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve: Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.
14 Të gjitha këto po i dëgjonin farisenjtë që s’i ngin gjë me para dhe e përqeshnin. 15 Jezusi u tha: »Ju dini të paraqiteni para njerëzve të drejtë, porse Hyji i njeh zemrat tuaja! Veçse, çka është e madhërueshme para njerëzve, është ndyrësi para Hyjit.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Kjo fli qoftë për ty, o Zot, kusht i pastër
dhe për ne u bëftë dhuratë bujare e mëshirës sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 15, 11
O Zot, Ti ma tregove udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate.
Ose:  Gjn 6, 58
Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë
dhe unë jetoj nëpër Atin,
po ashtu edhe ai që më ha mua
do të jetojë për mua, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Shtoje në ne, po të lutemi, o Zot,
veprimin e fuqisë sate,
që të forcuar nga sakramentet e tua,
të përgatitemi për të marrë të mirat e premtuara.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist