Liturgjia e Fjalës – 10 shtator, e martë – Java XXIII gjatë vitit

Written by on August 10, 2024

JAVA E XXIII GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124
 
I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.
 
Kolekta
 
O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shokoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (1 Kor 6, 1-11) (fq. 1613)
 
Vëllai me vëlla paditet, madje para të pafeve.
 
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
Vëllezër, 1 a do të guxojë ndokush prej jush, nëse ka ndonjë padi kundër ndonjë tjetri, të kërkojë të drejtën në gjyq para paganëve e jo para shenjtërve? 2 Po a nuk e dini se shenjtërit do ta gjykojnë botën? E, nëse ju do ta gjykoni botën, po a thua s’jeni të zotët t’i gjykoni sendet më të vogla? 3 Po a nuk e dini se do t’i gjykojmë edhe engjëjt e jo më gjërat e përditshme? 4 E ju, kur keni ndonjë pleqësi për gjërat e përditshme, shkoni e më vini pleq disa që Kisha i mban për asgjë? 5 Le t’ju vijë turp që më detyroni t’jua them këtë gjë! Kështu a? A thua nuk gjendet ndër ju asnjë i dijshëm, i cili do të mund të pleqëronte mes vëllezërve të vet? 6 Por vëllai me vëlla paditet, madje para të pafeve?! 7 Po edhe vetë puna që paditeni njëri me tjetrin është e metë për ju. Pse më mirë nuk e duroni padrejtësinë? Pse më mirë nuk duroni të plaçkiteni? 8 Por, përkundrazi, ju vetë bëni padrejtësi dhe plaçkitni, e kë se? Vëllezërit! 9 A thua nuk e dini se ata që bëjnë padrejtësi nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit? Mos u tradhtoni! As fëlligështarët, as idhujtarët, as kurorëthyesit, as homoseksualët e çdo lloji, 10 as vjedhësit, as pijanecët, as shpërralluesit, as cubat nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit. 11 Pra, të tillë ishit disa, por u latë, por u shenjtëruat, por e fituat shfajësimin në saje të Emrit të Jezu Krishtit Zot dhe të Shpirtit të Hyjit tonë.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   149 (148) (fq. 829)
 
Ref.   TË SHPËTUAR MË ANË TË DSHURISË E KËNDOJMË NJË KËNGË TË RE
 
1 Këndoni Zotit një këngë të re,
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
2 Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet,
bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet!
 
Ref.   TË SHPËTUAR MË ANË TË DSHURISË E KËNDOJMË NJË KËNGË TË RE
 
3 Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle,
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
4 sepse Zoti kënaqet në popullin e vet,
të përvujtët i nderon me shëlbim.
 
Ref.   TË SHPËTUAR MË ANË TË DSHURISË E KËNDOJMË NJË KËNGË TË RE
 
5 Le të galdojnë të drejtët në lumturi,
le të brohorisin nga shtrojat e veta!
6 E paçin lavdinë e Zotit në gojë,
9 ‑ ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
 
Ref.   TË SHPËTUAR MË ANË TË DSHURISË E KËNDOJMË NJË KËNGË TË RE
 
Aleluja!
Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju, thotë Zoti; Ati im do t’ju japë çkado që të kërkoni në emër tim. (Krh. Gjn 15, 15)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Lk 6, 12-19) (fq. 1468)
 
E kaloi natën duke u lutur, pastaj i zgjodhi dymbëdhjetë nxënës të cilët i quajti apostuj!
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit.13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre i zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15 Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.
17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë. 19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3
 
Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.
 
Ose: Gjn 8, 12
 
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.
 
Lutja pas kungimit
 
O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

Current track

Title

Artist