Liturgjia e Fjalës – 21 maj – e hënë – Java VII gjatë vitit

Written by on May 18, 2018

JAVA E VII GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes  Ps 12, 6
O Zot, unë shpresoj në mëshirën tënde.
Shpirti im galdon në shpëtimin tënd.
Do t’i këndoj Zotit, bamirësit tim.
Kolekta
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj që gjithmonë të jepemi pas së vërtetës,
kështu që me fjalë e me vepra
të kryejmë çka të pëlqen ty.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Jak 3, 13-18)
 
  Në qoftë se në zemrën tuaj keni smirën e hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mbani në të madh.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull
 
  Fort të dashur, 13 a është ndokush ndër ju i urtë dhe i mençur? Me sjellje të bukur le t’i dëftojë veprat e veta të frymëzuara nga butësia me urti. 14 Por, në qoftë se në zemrën tuaj keni smirën e hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mbani në të madh dhe mos rreni kundër së vërtetës!
  15 Kjo urti nuk është ajo që vjen prej së larti, por është tokësore, shqisore, djallëzore. 16 Sepse, ku është smira dhe grindja, atje ka pështjellim dhe çdo të keqe.
  17 Kurse urtia që vjen prej së larti më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtiracake.
  18 Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 19 (18)
 
Ref.  LIGJI I ZOTIT ËSHTË BURIM I PAQES
 
8 I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
 
9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
 
10 E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njënjë të drejta.
 
15 Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime,
edhe mendimi i zemrës sime para teje,
o Zot, Shkëmbi im e Shëlbuesi im!
 
  Aleluja!
Në paçi fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi, thotë Zoti, asgjë s’do të jetë e pamundshme. (Mt 17, 20)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 9, 14-29)
 
  Besoj, o Zot, por më ndihmo që të besoj!
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë pasi që Jezusi zbriti nga mali, 14 dhe erdhi tek nxënësit pa mori të madhe njerëzish rreth tyre dhe skribët që po rrihnin çështje me ta.
  15 Tërë ajo mori, kur e pa Jezusin, u habit dhe me nxitim vrapoi për ta përshëndetur. 16 Ai i pyeti: »Mbi çka diskutoni me ta?« 17 Dikush prej morisë i përgjigji: »Mësues, e solla te ti djalin tim që ka në trup një djall që s’e lë të flasë. 18 Kudo e kap, shkapet me të e djali shkumitet e kërcëllon me dhëmbë dhe i ngrihen gjymtyrët. U thashë nxënësve të tu ta dëbojnë, por ata nuk mundën.« 19 O brezni e pafe – u përgjigji Jezusi – deri kur do të jem me ju? Ma sillni këtu!« 20 Ia sollën.
  Shpirti i ndytë, posa e pa Jezusin, menjëherë e shkapeti djalin; djali, i rënë ashtu për dhe, rrokullisej e shkumiste. 21 Jezusi e pyeti babanë e tij: »Tash sa kohë i ndodh kështu?« 22 »Që n fëmijëri – i përgjigji – Shpeshherë e ka hedhur tash në zjarr e tash në ujë për ta mbytur. Nëse mund të bësh gjë, na ndihmo! Ki mëshirë për ne!« 23 »Nëse mund të bësh gjë…! – i përgjigji Jezusi – Gjithçka është e mundshme për atë që beson!« 24 Menjëherë babai i djaloshit tha me zë të lartë: »Besoj, por më ndihmo ti të besoj!«
  25 Kur Jezusi pa se po afroheshin përherë e më shumë njerëz, i urdhëroi shpirtit të ndytë dhe i tha: »Shpirt memec dhe i shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos u kthe më në të!« 26 Ai bërtiti, e shkapeti fort djalin dhe doli prej tij. Djaloshi mbeti fill, porsi i vdekur, kështu që shumë thoshin: »Vdiq« 27 Jezusi e kapi për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.
  28 Kur Jezusi shkoi në shtëpi, nxënësit e tij e pyetën veçmas: »Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?« 29 Ai u përgjigji: »Ky lloj nuk mund të dëbohet me asgjë tjetër, përveç se me uratë.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Po i kremtojmë, o Zot, me nderim të duhur,
misteret e tua
dhe po të lutemi me përvujtëri,
që çka kushtojmë në nder të madhërisë sate,
të vlejë për shpëtimin tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 9, 2-3
I shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Gëzohem dhe galdoj në ty,
i këndoj emrit tënd, o i larti Zot.
Ose:  Gjn 11, 27
Zotëri, unë besoj se Ti je Krishti,
Biri i Hyjit të gjallë, që ke ardhur në këtë botë.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj ta fitojmë frytin e shpëtimit,
pengun e të cilit sapo e morëm.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST