Liturgjia e Fjalës – 11 qershor – e hënë – Java X gjatë vitit

Written by on June 9, 2018

JAVA E X GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 26, 1-2
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im: kë do të druaj?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime: para kujt do të dridhem?
Kundërshtarët e mi dhe armiqtë, ata ranë poshtë.
Kolekta
O Hyj, burimi i çdo të mire,
pranoji lutjet e shërbëtorëve të tu,
që, nën frymëzimin tënd, të mendojmë çka është e drejtë
dhe nën sundimin tënd, ta zbatojmë me vepra.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (1 Mbr 17, 1-6)
 
  Elia shërbëtor i Hyjit të Izraelit.
 
  Lexim prej Librit të parë mbi Mbretër
 
  Në ato ditë, 1 Eli Tesbiu, nga Tesbiu, në tokën e Galaadit, i tha Akabit: “Pasha jetën e Zotit, Hyjit të Izraelit, në shërbimin e të cilit jam unë në këto vite s’do të bjerë as vesë as shi, përveç në thaça unë”.
  2 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë. I tha: 3 “Largohu prej këndej e shko në lindje dhe fshihu në përroin Kerit, që është kundruall Jordanit. 4 Kështu do të mund të pish ujë nga përroi, kurse korbave u kam urdhëruar të ta sjellin ushqimin atje. “
  5 Elia shkoi dhe bëri si i kishte urdhëruar Zoti. Shkoi e banoi në përroin Kerit që është kundruall Jordanit. 6 Korbat i sillnin në mëngjes bukë e mish e në mbrëmje po ashtu bukë e mish, kurse ujë pinte nga përroi.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 121 (120)
 
Ref.  NDIHMA JONË ËSHTË NË EMËR TË ZOTIT
 
1 Sytë e mi i ngre drejt maleve:
prej nga do të më vijë mua ndihma?
2 Ndihma ime vjen prej Zotit,
i cili krijoi qiellin e tokën.
 
3 S’do te lejojë të të merren këmbët,
nuk do të kotet ai që të ruan.
4 Ja, s’do të kotet as s’do të flejë,
ai që e ruan Izraelin.
 
5 Zoti është rojtari yt,
Zoti është hija jote,
Zoti është në të djathtën tënde!
6 Dielli nuk do të të bëjë keq ditën,
as hëna natën.
 
7 Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe,
Zoti do ta ruajë jetën tënde.
8 Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua
që tani e përgjithmonë e jetë.
 
  Aleluja!
Gëzohuni e galdoni, ju që sot vuani, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell. (Mt 5,12)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 5,1-12)
 
  Lum skamnorët në shpirt.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
 
  Në atë kohë, 1 kur Jezusi, pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
  3 »Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! 4 Lumë ata që qajnë sepse do të ngushëllohen! 5 Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën! 6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen! 7 Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë! 8 Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin. 9 Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit. 10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
  11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Priri, o Zot, sytë e tu
mbi shërbesën tonë të përvuajtur,
që dhurata jonë të të pëlqejë ty
dhe ne të na e shtojë dashurinë ndaj teje.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 17, 3
Zoti është fuqia ime dhe strehimi im:
Ai është çliruesi im, Hyji im, ndihmëtari im.
Ose:  1 Gjn 4, 16
Hyji është dashuri, dhe kush mbetet në dashuri,
mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.
Lutja pas kungimit
Në saje të veprimit tënd shërues, o Zot,
bëj të lirohemi nga prapësitë tona,
dhe të drejtohemi udhës së të vërtetës.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST