Liturgjia e Fjalës – 12 gusht – e dielë – Java XIX gjatë vitit

Written by on August 10, 2018

JAVA E XIX GJATË VITIT
 
E DIEL
 
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 73, 20.19.22.23
Shiko, o Zot, mbi besëlidhjen tënde
dhe mos e harro kurrë jetën e të varfërve të tu.
Ngrihu, o Hyj, dhe mbroje çështjen tënde,
e mos e harro britmën e atyre që të kërkojnë.
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
të mësuar nga Shpirti Shenjt guxojmë të të thërrasim Atë:
përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore,
që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (1 Mbr 19, 4-8)
 
  I forcuar me atë shujtë, Elia udhëtoi dyzet ditë e dyzet net në malin e Hyjit.
 
  Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
 
Në ato ditë, 4 Elia e mori rrugën e shkretëtirës e udhëtoi një ditë rrugë. Kur mbërriti, u ul të pushojë nën një dëllinjë, i dëshiroi vetes vdekjen e tha: “S’mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi”! 5 Atëherë ra e fjeti në hijen e dëllinjës. Por ja, e preku engjëlli dhe i tha: “Çohu e ha”!
6 I hapi sytë, kur qe, te koka e tij një bukë e pjekur në vatër të skuqur dhe një katrovë me ujë. Elia hëngri e piu dhe përsëri ra e fjeti. 7 Porse engjëlli i Zotit u kthye edhe të dytën herë, e preku dhe i tha: “Çohu e ha, sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë”. 8 Elia u çua, hëngri e piu. I forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 34 (33)
 
Ref.  USHQIMI YT, O ZOT, I FORCON SKAMNORËT NË UDHËN E TYRE.
 
2 Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë lavdi i tij.
3 Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen.
 
4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
 
6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
7 Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
 
8 Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
9 Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
 
Leximi i dytë  (Ef 4, 30-5, 2)
 
  Ecni në dashuri sikurse Krishti.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
 
Vëllezër, 30 mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit. 31 Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. 32 Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; faleni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.
1 Përngjani Hyjit porsi bij të dashur 2 dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli “që jep erë të mirë”.
 
  Fjala e Zotit
 
  Aleluja!
 Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit, thotë Zoti; kush ta hajë këtë bukë do të jetojë për amshim. (Gjn 6, 51)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 6, 41-51)
 
  Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
 
Në atë kohë, 41 Judenjtë nynykatnin kundër Jezusit pse tha: “Unë jam buka që zbriti prej qiellit.” 42 Ata thoshin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit? Po, a nuk ia njohim babain e nënën? Si mund të thotë tani: ‘Kam zbritur prej qiellit?’“
43 Jezusi iu përgjigj: “Mos nynykatni me njëri-tjetrin! 44 Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit. 45 Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. 46 Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! 47 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur.
48 Unë jam buka e jetës. 49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. 50 Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë.
51 Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është trupi im për jetën e botës.”
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate,
të cilat Ti vetë ia dhe për t’i kushtuar
dhe me pushtetin tënd
shndërroji në sakramentin e shpëtimit tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 147, 12.14
Lëvdoje, o Jerusalem, Zotin,
sepse ai të ushqen me më të mirin grurë.
Ose:  Krh. Gjn 6, 52
Buka që unë do t’ju jap
është Trupi im për jetën e botës, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Na shpëtoftë, o Zot,
pjesëmarrja në sakramentet e tua
dhe na forcoftë në dritën e së vërtetës sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist