Liturgjia e Fjalës – 12 qershor – e martë – Java IX gjatë vitit

Written by on June 10, 2018

JAVA E X GJATË VITIT
 
E MARTË
 
 
  Leximi i parë  (1 Mbr 17, 7-16)
 
  Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë.
 
  Lexim prej Librit të parë mbi Mbretër
 
  Në ato ditë, 7 përroi, shteri, sepse nuk binte shi. 8 Atëherë Elisë i qe drejtuar fjala e Zotit e i tha: 9 »Ngrihu e shko në Sareptën e sidonasve dhe qëndro atje. I kam urdhëruar një vejushe të të ushqejë.« 10 Elia u çua e shkoi në Sareptë.
  Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të ve duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: »Ma sill pak ujë në katrovë që të pi.« 11 Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: »Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!«
  12 Ajo iu përgjigj: »Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy-tri dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim, do ta hamë e do të vdesim.« 13 Por Elia i tha: »Mos ki frikë aspak, por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. 14 Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Në tinar mielli s’do të mbarojë në qyp vaji s’do të mungojë derisa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë.«
  15 Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. 16 Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 4
 
Ref.  KUSH VEPRON ME ZOTIN, NUK MBETET I TURPËRUAR
 
2 Ti që më shpëtove në vështirësi:
ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!
3 Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë?
Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?
 
4 Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet,
Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
5 Zemërohuni e mos mëkatoni, përsiatni në zemrat tuaja,
në shtrojat tuaja e qetësohuni.
 
7 Shumë thonë: “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?”
Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
8 Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim
sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!
 
  Aleluja!
Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.« (Mt 5,16)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 5,13-16)
 
  Ju jeni drita e botës.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
 
  Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 13 »Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.
  14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Priri, o Zot, sytë e tu
mbi shërbesën tonë të përvuajtur,
që dhurata jonë të të pëlqejë ty
dhe ne të na e shtojë dashurinë ndaj teje.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 17, 3
Zoti është fuqia ime dhe strehimi im:
Ai është çliruesi im, Hyji im, ndihmëtari im.
Ose:  1 Gjn 4, 16
Hyji është dashuri, dhe kush mbetet në dashuri,
mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.
Lutja pas kungimit
Në saje të veprimit tënd shërues, o Zot,
bëj të lirohemi nga prapësitë tona,
dhe të drejtohemi udhës së të vërtetës.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST