Liturgjia e Fjalës – 13 gusht – e hënë – Java XIX gjatë vitit

Written by on August 11, 2018

JAVA E XIX GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 73, 20.19.22.23
Shiko, o Zot, mbi besëlidhjen tënde
dhe mos e harro kurrë jetën e të varfërve të tu.
Ngrihu, o Hyj, dhe mbroje çështjen tënde,
e mos e harro britmën e atyre që të kërkojnë.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
të mësuar nga Shpirti Shenjt guxojmë të të thërrasim Atë:
përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore,
që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Ez 1, 2-5.24-28)
 
  E tillë m’u paraqit duka e lavdisë së Zotit.
 
  Lexim prej Librit të Ezekielit profet
 
2 Të pestën ditë të muajit të vitit të pestë të mërgimit të Joakinit Mbret, 3 fjala e Zotit i qe drejtuar Ezekielit prift, birit të Buziut, në tokën e kaldenjve, përgjatë lumit Kobar. Aty u ul mbi të dora e Zotit. 4 Shikova dhe, ja, një erë shtjelle po vinte nga veriu, re e madhe, zjarr i mbledhur lëmsh, që ndriçonte përreth tij e brenda tij, brenda zjarrit, shkëlqente diçka në përngjasim të qelibarit. 5 Në qendër, diçka në përngjasim të katër gjallorëve; dhe, ja, pamja e tyre: kishite pamjen e njeriut! 24 E dëgjoja rrahjen e krahëve të tyre: thua se ushtonin ujërat e mëdha, porsi zëri i të Gjithëpushtetshmit. Kur lëviznin, ushtimë e fortë si ushtimë ushtrie. Kur ndaleshin, krahët i lëshonin poshtë. 25 E njëmend, kur dëgjohej një zë mbi kupën qiellore, që ishte përmbi kokat e tyre, zinin vend dhe i lëshonin krahët poshtë. 26 Përmbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ishte porsi gur i çmueshëm safiri një gjë porsi fron, përmbi këtë gjë që i përngjante fronit, ishte dikush në përngjasim të njeriut, mbi të. 27 Pastaj pashë diçka të ndritshme porsi qelibari, thua se ishte zjarr nga aty që dukej se kishte ijët e përpjetë gjithkund përreth; kurse nga aty që dukej se kishte ijët e poshtë, dukej si zjarr ndriçues gjithkund përreth. 28 Porsi dukja e ylberit kur duket në re ditën e shiut: e rrethonte një pamje e tillë! E tillë m’u paraqit dukja e lavdisë së Zotit. Kur e pashë e rashë me fytyrë përdhe.”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 148 (147)
 
Ref.  QIELLI E TOKA I KËNDOJNË LAVDE ZOTIT.
 
1 Lavdëroni Zotin prej qiellit,
lavdërojeni Atë në lartësi!
2 Lavdërojeni, të gjithë engjëjt e tij,
lavdërojeni, të gjitha ushtritë e tija!
 
11 Ju, o Mbretërit e dheut e popuj të gjithë,
princa e të gjithë gjykatësit e dheut!
12 Djelmosha e vajza, pleq e foshnja.
 
13 Le ta lavdërojnë Emrin e Zotit,
sepse i madhërueshëm është veç Emri i tij!
Madhëria e tij tejkalon qiell e dhe,
14 Ai e ngre fuqinë e popullit të vet,
për bijtë e Izraelit – popull i afërm i tij.
 
  Aleluja!
Hyji na grishi më anë të Ungjillit që ta fitojmë lumturinë e Zotit tonë Jezu Krishtit. (Krh. 2 Sel 2, 14)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 17, 22-27)
 
  Do ta vrasin e do të ngjallët. Fëmijët nuk paguajnë taksën.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
 
Në atë kohë, 22 kur u bashkuan në Galile, Jezusi u tha nxënësve të vet: “S’do të vonojë e Biri i njeriut do t’u lëshohet në duart e njerëzve 23 dhe ata do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.”
Ata u pikëlluan për së tepërmi.
24 Kur arritën në Kafarnaum, iu afruan Pjetrit ata që mbledhin tagrin e Tempullit e i thanë: “A nuk e paguan mësuesi juaj tagrin e Tempullit?”
25 “E paguan” ‑iu përgjigj Pjetri.
Kur Pjetri hyri në shtëpi, Jezusi ia priti përpara: “Simon, çka të thotë mendja, Mbretërit e dheut, prej kujt e mbledhin taksën ose tatimin? Prej fëmijëve të vet apo prej të huajve?”
26 Kur iu përgjigj: “Prej të huajve”, Jezusi i tha: “Pra, fëmijët qenkan të lirë!”. 27 Por, për të mos i shkandulluar, shko në det, hidhe grepin dhe, peshkun e parë që të zësh, merre, hapja gojën e do të gjesh një staterë. Merre dhe jepua për mua e për ty.”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate,
të cilat Ti vetë ia dhe për t’i kushtuar
dhe me pushtetin tënd
shndërroji në sakramentin e shpëtimit tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 147, 12.14
Lëvdoje, o Jerusalem, Zotin,
sepse ai të ushqen me më të mirin grurë.
Ose:  Krh. Gjn 6, 52
Buka që unë do t’ju jap
është Trupi im për jetën e botës, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Na shpëtoftë, o Zot,
pjesëmarrja në sakramentet e tua
dhe na forcoftë në dritën e së vërtetës sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist