Liturgjia e Fjalës – 13 korrik – e premte – Java XIV gjatë vitit

Written by on July 11, 2018

JAVA E XIV GJATË VITIT
 
E PREMTE
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 47, 10-11
E kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde
në mesin e tempullit tënd.
Sikurse emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote
arrin deri në skajin e botës,
e djathta jote është plot drejtësi.
 
Kolekta
O Hyj, Ti me përvujtërinë e Birit tënd
e ngrite botën që pati rënë poshtë:
jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë,
dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit,
bëj të gëzojnë me ty për amshim.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Oz 14, 2-10)
 
  Mbretëria e Davidit do të mbetët për amshim.
 
  Lexim prej Ozesë profet
 
  2 Kthehu, o Izrael, te Zoti, Hyji yt, faji yt pse more në thua! 3 Ju, merrni me vete, fjalët edhe kthehuni kah Zoti e thoni: ‘Na e shlyej çdo fajësi, prano çka është e mirë e do të kushtojmë frytin e buzëve tona. 4 Asyria s’do të na shpëtojë, kalit në shpinë nuk do t’i hypim as s’do t’i thërrasim më ‘Hyjnitë tona!’ veprat e duarve tona, sepse pranë teje bonjaku mëshirën e gjen.’ 5 “Do ta shëroj pabesnikërinë e tyre, do t’i dua me bujari, sepse u largua zemërimi im prej tyre. Vesë do të jem për Izraelin, porsi lili do të lulëzojë, si Libani do ta lëshojë rrënjët. 7 Hapët e drejtë do t’i shtrijë gemat, bukurinë do ta ketë të ullirit, era e tij erë e Libanit. 8 Do të vijnë të rrinë nën hijen time, do të bëjnë të përparojë gruri, porsi vreshti do të lulëzojnë; verë të përmendur si vera e Libanit. 9 Efraimi ç’ka më me idhuj të përbashkët? Unë e vështroj e kujdesem për të. Unë si bredhi gjithmonë i blertë: prej meje të vjen fryti yt!” 10 Kush është i urtë, t’i marrë vesh këto, kush është i mençur, do t’i dijë këto! Të drejta janë rrugët e Zotit e të drejtët nëpër to ecin, ndërsa të këqijtë në to marrin në thua.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 51 (50)
 
Ref.  KI MËSHIRË PËR MUA, O HYJ, SIPAS MËSHIRËS SATE
 
3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!
 
8 por ti që e do çiltërinë e zemrës,
m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
9 Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër,
më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
 
12 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shprit të qëndrueshëm!
13 Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
 
14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
17 Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
 
  Aleluja!
Të lumt ju kur të ju salvojnë për shkak timin, thotë Zoti; sepse i madh do të jetë shpërblimi i juaj në qiell. (Krh. Mt 5,11.12)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 10, 16-23)
 
  Do të vije që të na vizitojë nga lart një Diel që shndrit.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 16 »Ja, unë po ju dërgoj porsi dele midis ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat! 17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju pandehin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagoga të tyre. 18 Për shkak timin do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. 19 E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, 20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpër ju. 21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. 22 Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet. 23 Kur t’ju salvojnë në njërin qytet, ikni në tjetrin! Përnjëmend, po ju them: nuk do t’i përshkoni qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
O Zot, na pastroftë kushti që po ia paraqesim emrit tënd
dhe na drejtoftë përditë kah jeta qiellore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit  Ps 33, 9
Shijoni e shihni sa i mirë është Zoti.
I lumi ai që shpreson në të.
 
Ose:  Mt 11, 28
Ejani tek unë ju
të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë
dhe unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.
 
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na mbushe me dhurata kaq të mrekullueshme:
na ndihmo ta fitojmë shpëtimin e amshuar
dhe kurrë të mos pushojmë duke të të lëvduar.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist