Liturgjia e Fjalës – 13 tetor – e shtunë – Java XXVII gjatë vitit

Written by on October 11, 2018

JAVA E XXVII GJATË VITIT
 
E SHTUNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Est 4, 17
Gjithçka, o Zot, është në dorën tënde
dhe askush s’mund t’i kundërshtojë vullnetit tënd.
Ti ke krijuar çdo gjë: qiellin e tokën,
të gjitha mrekullitë që i përfshin kupa qiellore.
Ti je Zotëruesi i të gjithave.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
mirësia jote i tejkalon meritat dhe dëshirat tona:
ki mëshirë për ne,
na fal çka ndërgjegjja jonë na padit,
e shto ato që lutja jonë nuk i përfshin.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Gal 3, 22-29)
 
  Të gjithë ju jeni bijtë e Hyjit sipas fesë.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasëve
 
Vëllezër, 22 Shkrimi shenjtë gjithçka ndryn nën mëkat që, me anë të fesë në Jezu Krishtin, t’u jepej premtimi atyre që besojnë.
23 Para se të vinte feja, ruheshin të ndryrë nën Ligj, për fenë që do të zbulohej. 24 Kështu, pra, Ligji ishte mbikëqyrësi ynë derisa të vinte Krishti që ne të shfajësoheshim me anë të fesë. 25 Por, që kur erdhi feja, nuk jemi më nën mbikëqyrës. 26 Prandaj, të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin, 27 sepse, gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin me Krishtin jeni veshur.
28 Nuk ka më: hebre grek! Nuk ka më: skllav i lirë! Nuk ka më: mashkull femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus! 29 Nëse jeni të Krishtit, jeni pasardhësit e Abrahamit, trashëgimtarë në fuqi të premtimit.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 105 (104)
 
Ref.  T’I KËNDOJMË ZOTIT, SEPSE AI ËSHTË HYJI YNË
 
1 Lavdëroni Zotin e thirreni në ndihmë Emrin e tij
shpallni midis popujsh veprat e madhërueshme të tijat!
3 Mburruni me Emrin e tij të shenjtë:
le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.
 
4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,
kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!
5 T’ju bien në mend mrekullitë që bëri,
mrekullitë e tij dhe gjyqet e gojës së tij:
 
6 ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij,
ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!
7 Ai është Zoti, Hyji ynë,
mbi mbarë tokën gjyqet e tij!
 
  Aleluja!
Të lumtë ata që e pranojnë farën e fjalës së Hyjit: prej tyre do të lind pavdekshmëria. (Krh. Lk 11, 27.28)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 11, 27-28)
 
  Të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë 27 ndërsa Jezusi po fliste, një grua në mes të turmës e çoi zërin e i tha: »Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe!«
28 Ai përgjigji: »Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e themeluar prej teje
dhe bëj që shërbesa e këtyre mistereve,
që po e kremtojmë sipas urdhrit tënd,
ta plotësojë shëlbimit tënd dhe të na shenjtërojë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Vaj 3, 25
I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në të,
ndaj shpirtit që e kërkon.
Ose:  Krh. 1 Kor 10, 17
Edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm,
sepse të gjithë marrim pjesë në një bukë e në një kelk.
Lutja pas kungimit
O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që të gjithë ne,
pasi e morëm këtë sakrament si ushqim dhe pije shpirtërore,
të shndërrohemi në atë që kemi marrë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist