Liturgjia e Fjalës – 14 gusht – e martë – Java XIX gjatë vitit

Written by on August 12, 2018

JAVA E XIX GJATË VITIT
 
E MARTË
 
 
Antifona e hyrjes  Mt 25, 34.40
Ejani, të bekuarit e Atit tim, thotë Zoti.
Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë
për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël,
e bëtë për mua.
 
Kolekta
O Hyj, Ti i dhe Kishës sate
shën Maksimilian Marinë, meshtar dhe martir,
të ndezur me dashuri ndaj Virgjërës së Papërlyer,
me zell apostolik dhe me bamirësi ndaj të afërmit;
bëj që edhe ne, për lavdinë tënde,
të angazhohemi në shërbimin e njerëzve
që t’i përngjajmë Krishtit deri në vdekje,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
 
  Leximi i parë  (Ez 2, 8-3, 4)
 
  Unë e hëngra atë libër dhe për gojën time qe i ëmbël si mjalti.
 
  Lexim prej Librit të Ezekielit profet
 
Kështu thotë Zoti: 8 E ti, biri i njeriut, dëgjo ç’po të them: mos ji kryekëcyer porsi kjo pjellë kundërshtarësh; hape gojën dhe ha çka unë po të të jap.” 9 Shikova dhe, ja, një dorë ishte e shtrirë drejt meje e në të ishte një libër i mbështjellë. E shtriu ndër sy të mi dhe, ja, ishte i shkruar përbrenda e përjashta: ishin të shkruara vajtime, gjëmë e dënesë.
1 Ai më tha: “Biri i njeriut, haje ç’të është vënë përpara! Haje këtë rrotull dhe nisu e folu bijve të Izraelit!” 2 Unë e hapa gojën, ai më bëri ta ha rrotullën 3 e më tha: “Biri i njeriut, ushqehu dhe ngihu me këtë vëllim që unë po ta jap.” Unë e hëngra dhe për gojën time qe i ëmbël si mjalti. 4 Atëherë më tha: “Biri i njeriut, shko te shtëpia e Izraelit dhe thuaju fjalët e mia.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 119 (118)
 
Ref.  FJALËT E TUA, O ZOT, MË MBUSHIN ME GËZIM.
 
14 Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua
se pasurisë tejet të madhe.
24 Sepse dëshmitë e tua janë kënaqësia ime,
rregulloret e tua këshilltarët e mi.
 
72 Më i mirë është për mua Ligji yt
se me mijëra ar e argjend.
103 Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua,
më të ëmbla se mjalti për gojën time.
 
111 Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm,
janë kënaqësia e shpirtit tim.
131 Hap gojën e marr frymë
i mallëngjyer për porositë e tua.
 
  Aleluja!
Kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të. (Mk 10, 15)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 18, 1-5.10.12-14)
 
  Nëse nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
 
1 Në atë kohë, nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?” 2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 3 e u tha: “Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”
10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor. [11]
12 Ç’ju thotë mendja? Po pati ndokush njëqind dele dhe po i treti njëra prej tyre, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i treti? 13 Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën. 14 Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të tretë asnjë ndër këta të vegjlit.”
 
  Fjala e Zotit
 
 
Lutja mbi dhurata
T’i paraqesim, o Zot, këto dhurata
dhe bëj, po të lutemi,
që sipas shembullit të shën Maksimilian Marisë,
të mësojmë të flijojmë jetën tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit  Krh Gjn 15, 13
Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë
është: të japë jetën e vet për miqtë e vet, thotë Zoti.
 
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me Trupin e Gjakun e Birit tënd,
bëj, o Zot, të ndizemi me atë dashuri
që shën Maksimilian Maria nxirrte prej kësaj gostie.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist