Liturgjia e Fjalës – 14 korrik – e shtunë – Java XIV gjatë vitit

Written by on July 12, 2018

JAVA E XIV GJATË VITIT
 
E SHTUNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 47, 10-11
E kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde
në mesin e tempullit tënd.
Sikurse emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote
arrin deri në skajin e botës,
e djathta jote është plot drejtësi.
Kolekta
O Hyj, Ti me përvujtërinë e Birit tënd
e ngrite botën që pati rënë poshtë:
jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë,
dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit,
bëj të gëzojnë me ty për amshim.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Is 6, 1-8)
 
  Mbretëria e Davidit do të mbetët për amshim.
 
  Lexim prej Librit të Isaisë profet
 
  1 Në vitin e vdekjes së mbretit Ozi, e pashë Zotin duke ndenjur në një fron të lartë e të madhërishëm. Kindat e petkut të tij e mbushnin Tempullin. 2 Serafinët qëndronin në këmbë përngjat tij; secili kishte nga gjashtë krahë: me dy mbulonin fytyrën e vet, me dy mbulonin këmbët e veta dhe me dy fluturonin. 3 I brohoritnin njëri-tjetrit: “Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me Lavdinë e tij!” 4 E u dridhën pragjet e shtatkave të dyerve nga zëri shungullues dhe Shtëpia u mbush me tym. 5 Unë thashë: “I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra, e me sy të mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!” 6 Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga lteri; 7 Me të ma preku gojën e më tha: “Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati yt u shlye, faji yt u fal!” 8 Atëherë e dëgjova zërin e Zotit që thonte: “Kë të dërgoj? Kush do të na shkojë?” Unë përgjigja: “Qe, ku më ke, ço më mua!”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 93 (92)
 
Ref.  O ZOT, DËSHMITË E TUA JANË PLOTËSISHT TË BESUESHME
 
1 Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!
Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.
Të palëkundshme e bëri botën;
assesi s’do të trandet!
 
2 I patundshëm është froni yt qysh prej fillimit,
ti je i amshueshëm!
 
5 Dëshmitë e tua janë plotësisht të besueshme,
shenjtëria i përket Shtëpisë satë
përgjithmonë e jetë, o Zot.
 
  Aleluja!
Mos druaj, o grigjë e vogël, thotë Zoti; sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua jap Mbretërinë. (Lk 12, 32)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 10, 24-33)
 
  Do të vije që të na vizitojë nga lart një Diel që shndrit.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 24 Nuk është nxënësi më i madh se mësuesi as shërbëtori më i madh se zotëria i tij. 25 Mjaftë është për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij edhe për shërbëtorin si zotëria i tij. Në qoftë se zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebul, aq më tepër do të thonë për shtëpiakët e tij!«
26 »Mos ua kini,pra frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet,as të fshehtë që s’do të dihet. 27 Çka ju them në errësirë, thoni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikoni nga pullazet!
28 Mos i droni ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin.
29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. 30 E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të njehura! 31 Pra, mos droni! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!«
32 »Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranojë para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. 33 E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
O Zot, na pastroftë kushti që po ia paraqesim emrit tënd
dhe na drejtoftë përditë kah jeta qiellore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 33, 9
Shijoni e shihni sa i mirë është Zoti.
I lumi ai që shpreson në të.
Ose:  Mt 11, 28
Ejani tek unë ju
të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë
dhe unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na mbushe me dhurata kaq të mrekullueshme:
na ndihmo ta fitojmë shpëtimin e amshuar
dhe kurrë të mos pushojmë duke të të lëvduar.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist