Liturgjia e Fjalës – 14 nëntor – e mërkurë – Java XXXII gjatë vitit

Written by on November 12, 2018

JAVA E XXXII GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Lutja mbi dhurata
Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli,
që të fitojmë me përkushti
çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 22, 1-2
Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon;
më mballon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta.
Ose:  Lk 24, 35
Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.
Lutja pas kungimit
Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë,
dhe po i lutemi bujarisë sate
që, nën ndikimin e Shpirtit tënd,
të përshkuar me fuqinë qiellore,
të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
  Leximi i parë  (Tit 3, 1-7)
 
  Dikur ishim të pamend por na shpëtoi mirësia e Zotit.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit drejtuar Titit
 
Fort i dashur! 1 Përkujtoj vëllezërit se duhet t’i nënshtrohen pushtetit dhe autoritetit: t’i dëgjojnë, të jenë të gatshëm për të kryer çdo vepër të mirë. 2 Të mos fyejnë askënd, t’u shmangen grindjeve, të lëshojnë pe, të tregojnë butësi të vazhdueshme kundrejt të gjithë njerëzve.
3 Sepse edhe ne dikur ishim të pamend, të padëgjueshëm; endeshim larg së vërtetës, robër të dëshirave dhe të prirjeve të ndryshme; kemi jetuar, në të këqija dhe në smirë, të denjë për të qenë të përbuzur; kemi urryer njëri-tjetrin.
4 Por, kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve 5 Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, 6 të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, 7 që, të shfajësuar me anë të hirit të tij të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 23 (22)
 
Ref.  ZOTI ËSHTË BARIU IM, ASGJË NUK MË MUNGON
 
1 Zoti është bariu im,
asgjë nuk më mungon.
2 Më mballon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,
3 shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
 
4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’ trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
 
5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
 
6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
 
  Aleluja!
Të mbushur me Shpirtin Shenjt, gjithmonë dhe për çdo gjë falënderoni Hyjin Atë, në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit. (Krh. Ef 5, 18.20)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 17, 11-19)
 
  A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji?
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 11 duke urdhëruar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile.
12 Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 13 e filluan të bërtasin: »Jezus, Mësues, ki dhimb për ne!« 14 Kur i pa u tha: »Shkoni e paraqituni priftërinjve!« E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan. 15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. 16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas.
17 Jezusi mori fjalën e tha: »Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? 18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 19 Çohu e shko – i tha – feja jote të shpëtoi!«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli,
që të fitojmë me përkushti
çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 22, 1-2
Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon;
më mballon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta.
Ose:  Lk 24, 35
Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.
Lutja pas kungimit
Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë,
dhe po i lutemi bujarisë sate
që, nën ndikimin e Shpirtit tënd,
të përshkuar me fuqinë qiellore,
të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

 

 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist