Liturgjia e Fjalës – 14 prill – e shtunë – Java II e Pashkëve

Written by on April 12, 2018

PASHKËT
 
JAVA E DYTË
 
E SHTUNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. 1 Pjt 2, 9
O popull që Hyji e fitoi për vete,
shpallni veprat e mrekullueshme të atij,
që ju nxori nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme, aleluja.
 
Kolekta
Largo prej nesh, o Zot,
dënimin që meritojmë nga ligji i mëkatit,
të cilin Ti e asgjësove në saje të ngjalljes së Krishtit, Birit tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 ose:
O Hyj, Ti deshe që me misterin e Pashkëve
t’ua hapësh besimtarëve derën e mëshirës sate,
priri mbi ne sytë e tu dhe ki mëshirë për ne,
që, me ndihmën tënde, të ndjekim rrugën e vullnetit tënd
dhe të mos shmangemi kurrë nga rruga e jetës.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 6, 1-7)
 
  I zgjodhën shtatë vetë plot fe e Shpirt Shenjt.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
1 Në atë kohë, me të rritur të numrit të nxënësve, filluan ankesat e hebrenjve që flisnin greqisht kundër hebrenjve vendas pse në shërbimin e përditshëm po i linin pas dore vejushat e tyre. 2 Atëherë të Dymbëdhjetët bashkuan në një mbledhje të përgjithshme nxënësit e u thanë: “Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë. 3 Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t’i caktojmë për këtë detyrë,  4 kurse ne do t’i kushtohemi krejtësisht lutjes dhe shërbesës së fjalës.” 5 Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, proselit prej Antiokisë. 6 Këta i vunë para apostujve. Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta. 7 Fjala e Hyjit vazhdonte të shtrihej. Shtohej shumë numri i nxënësve në Jerusalem dhe shumë priftërinj e pranonin fenë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 33 (32)
 
Ref.  KTHEHU DREJT NESH, O ZOT, SEPSE NË TY SHPRESOJMË.
 
1 Galdoni, o të drejtë në Zotin,
të drejtëve u ka hije lavdërimi!
2 Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
 
4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tija me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
 
 
18 Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
19 për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
 
  Aleluja!
Jezu Krishti u ngjall, dhe i shëlboi njerëzit në mëshirën e vet.
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 6, 16-21)
 
  E panë Jezusin duke ecur përmbi det.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
16 Kur u bë natë, nxënësit e tij zbritën në det, 17 hynë në lundër e u nisën për në anën tjetër të detit, për në Kafarnaum. Ishte errur e Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata. 18 Deti u trazua nga era e fortë që fryente. 19 Pasi rremuan reth njëzet e pesë apo tridhjetë stadje, panë Jezusin duke ecur përmbi det e po i afrohej lundrës. I kapi frika. 20 Ai u tha: “Unë jam! Mos druani!”  21 Deshën ta marrin në lundër, dhe ja, lundra përnjëherë preku tokën në atë vend ku ishin drejtuar.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Në mirësinë tënde shenjtëroji, o Zot, këto dhurata;
pranoje kushtin e kësaj flie shpirtërore
dhe na shndërro në dhuratë të përhershme për lavdinë tënde.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – IV
 
Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve
 
48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Me fitoren mbi mëkatin,
rimëkëmbet mbarë rruzullimi
e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – V
 
Krishti prift dhe fli
 
49. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai, duke e kushtuar trupin e vet,
flitë e vjetra i përmbushi
në flinë e vërtetë të kryqit
dhe duke u dorëzuar në duart e tua për shpëtimin tonë,
u dëftua prift, altar dhe qengj i vërtetë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Gjn 17, 24
Atë, dua që ata, të cilët m’i dhe,
të jenë aty ku jam unë, bashkë me mua,
që të kundrojnë lavdinë time që Ti ma dhe, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
E morëm, o Zot, dhuratën e misterit të shenjtë,
e po të lutemi me përvujtëri,
që kremtimi i Birit tënd,
të cilin na urdhëroi ta bëjmë në përkujtimin e tij,
ta shtojë në ne dashurinë e shenjtë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST