Liturgjia e Fjalës – 14 tetor – e dielë – Java XXVII gjatë vitit

Written by on October 12, 2018

JAVA E XXVIII GJATË VITIT
 
E DIEL
 
 
Antifona e hyrjes  Ps 129, 3-4
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt
dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm
të kryejmë vepra të mira.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Urt 7, 7-11)
 
  Në krahasim më dije pasurinë e mbajta për asgjë.
 
  Lexim prej Librit të Urtisë
 
  7 U luta e më që dhuruar mençuria, u pulita e më erdhi shpirti i urtisë. 8 E çmova atë më shumë se mbretëritë e selitë, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të. 9 Gurin e paçmueshëm as që e krahasova më të, sepse i gjithë ari në krahasim më të është si pak rërë, e argjendi përkrah saj vlerësohet si baltë. 10 E desha më tepër se shëndetin dhe bukurinë dhe e parapëlqeva më fort se dritën, sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë. 11 Bashkë më të më erdhën të gjitha të mirat e nëpër duart e saja pasuri të panumërueshme.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 90 (89)
 
Ref.  NA JEP, O ZOT, URTINË E ZEMRËS
 
12 Na mëso ashtu t’i numërojmë ditët tona
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
 
14 Na e trego në mëngjes mëshirën tënde
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
15 Gëzona për ditët që na mundove,
për vitet që i kaluam në mjerim.
 
16 Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
17 Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,
të përparojë vepra e duarve tona.
 
  Leximi i dytë  (Heb 4, 12-13)
 
  Fjala e Hyjit shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës.
 
  Lexim prej Letrës së drejtuar Hebrenjve
 
Vëllezër, 12 vërtet, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës.
13 Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari.
 
  Fjala e Zotit
 
  Aleluja!
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, na dhashtë shpirtin e dijes dhe të zbulesës, sepse mund ta kuptojmë shpresën e madhe të thirrjes sonë. (Krh. Ef 1, 17-18)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 10, 17-30)
 
  Shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
Në atë kohë: 17 kur Jezusi doli në rrugë, një njeri u lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: »Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar Jetën e pasosur?« 18 Jezusi i përgjigji: »Pse më thua: i mirë? Askush s’është i mirë përveç Një Hyji të vetëm! 19 Urdhërimet i di: ‘Mos virt! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!’«
20 Ai u përgjigji: »Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.« 21 Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: »Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje22 Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë e, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta.
23 Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: »Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!« 24 Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tija. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: »Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! 25 Më lehtë është të përshkohet deveja nëpër veshë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!« 26 Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: »Atëherë kush do të mund të shëlbohet?« 27 Jezusi ua nguli sytë dhe tha: »Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin, Hyji mund të bëjë gjithçka.«
28 Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha: »Qe, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.« 29 Jezusi i përgjigji: »Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babën, ose fëmijët, ose arat 30 e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime – njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara – e në botën e ardhshme Jetën e pasosur.
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve,
edhe flitë e kushtuara,
që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë,
të kalojmë në lumturinë qiellore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 33, 11
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,
ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
Ose:  1 Gjn 3, 2
Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të,
sepse do ta shohim ashtu si është.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi me përvujtëri, o Zot,
që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë,
ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist