Liturgjia e Fjalës – 15 janar – java I gjatë vitit

Written by on January 13, 2019

JAVA E I GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes
E pashë Zotin se po rrinte mbi fron të lartë,
e adhuronte një shumicë e madhe engjëjsh,
që së bashku këndonin: Ja ai që mbretëron për amshim.
Kolekta
Po të lutemi, o Zot, përcilli me dashuri qiellore
kushtet e popullit tënd që po të lutet:
të kuptojë çka i lypet të bëjë
dhe atë ta zbatojë me dashuri.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
I
 
  Leximi i parë  (Heb 2, 5-12)
 
  I kishte hije ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre.
 
  Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
  5 Sepse Hyji nuk e ka vënë nën pushtet të engjëjve botën e ardhshme për të cilën po flasim. 6 Madje dikush diku e bëri këtë dëshmi: “Çka është njeriu që të bie ndër mend për të,
biri i njeriut që të kujdesesh për të? 7 E bëre për pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e nder, 8 çdo gjë vure nën këmbët e tija.” Dhe duke (i) vënë çdo gjë nën këmbë, ai s’la asgjë që të mos i jetë e nënshtruar. Vërtet, tani nuk shohim ende se gjithçka është nën pushtetin e tij, 9 por Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve.
  10 Dhe, vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij – ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. 11 Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër, 12 kur thotë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpaël Emrin tënd; do të lavdëroj në midis të mbledhjes.”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 8
 
Ref.  E VURE BIRIN TËND MBI GJITHÇKA
 
2 O Zot, Zoti ynë,
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
5 çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
 
6 E pra, e bëra pak më të vogël se engjëjt,
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
7 i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.
Gjithçka vure nën këmbët e tij.
 
8 Delet e kafshët të gjitha,
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
9 shpendët e ajrit dhe peshqit e detit,
të gjitha që përshkojnë udhët e detit!
 
 
  Aleluja!
E morët fjalën e Hyjit jo porsi fjalë njerëzish, por shih ashtu si në të vërtetë është, porsi fjalën e Hyjit. (1Sel 2,13)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 1, 21-28)
 
  I mësonte si ai që ka autoritet.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 21 në Kafarnaum, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. 22 Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo porsi skribët.
  23 Shi atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti: 24 »Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na zhbish? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!«
  25 Jezusi iu kërcënua: »Hesht dhe dil prej tij!« 26 Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij.
  27 Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri-tjetrit: »Ç’u bë kështu!? »Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet! »Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!«
  28 E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Të të pëlqejë, po të lutemi, o Zot, kushti i popullit tënd,
e me të na shenjtëro dhe na jep çka po të kërkojmë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 35, 10
Te Ti, o Zot, është burimi i jetës
dhe në dritën tënde ne e shohim dritën.
Apo:  Gjn 10, 10
Unë erdha që ta kenë jetën,
që ta kenë me plotësi, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Me përvujtëri, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm:
Ti, që na ushqeve me sakramentet e tua,
bëj që të të shërbejmë me jetën tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 

Current track

Title

Artist

Shkarkoni aplikacionin për telefon Android ose për Apple