Liturgjia e Fjalës – 15 korrik – e dielë – Java XV gjatë vitit

Written by on July 13, 2018

JAVA E XV GJATË VITIT
 
E DIEL
 
 
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje;
do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate
atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde:
bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë,
të flakin çka i kundërshton këtij emri
e të pranojnë çka i përket.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Am 7, 12-15)
 
  Shko, o profet, tek populli im!
 
  Lexim prej Librit të Amosit profet
 
  Në atë kohë, 12 Amasia i tha Amosit:”Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judesë. Atje ha bukë e atje profetizo! 13 Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!” 14 Atëherë Amosi i përgjigji Amasisë: “Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam tubanik e vjelës fiqsh. 15 Por vetë Zoti më mori prej pas dhenve e më tha Zotynë: ‘Shko e profetizoj popullit tim, Izraelit!’ 16 Tash dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua:’Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!’ 17 Po për këtë arsye kështu thotë Zoti: ‘Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri.'”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 85 (84)
 
Ref.  NA E TREGO, O ZOT, MËSHIREN TËNDE DHE NA FAL SHELBIMIN TËND
 
9 Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj, ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.
10 Shpëtimi i tij është ngat atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
 
11 Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
12 E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
 
13 Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
14 Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.
 
  Leximi i dytë  (Ef 1, 3-14)
 
  Në Të na zgjodhi para se të krijohej bota.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
 
  3 Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. 4 Në Të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. 5 Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet 6 për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit: 7 në Të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij, 8 të cilin Hyji e ndikoi në ne bashkë me çdo urti e kuptim. 9 Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet ‑ synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të ‑ 10 kur të plotësohej koha: d.m.th. të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjithë qenësit që janë në qiell e në tokë. 11 Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë ‑ të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet ‑ 12 të jemi në nderë të lavdisë së tij ‑ ne që qysh më parë e vumë shpresën në Krishtin. 13 Po në Të edhe ju që e dëgjuat fjalën e së vërtetës ‑ Ungjillin e shëlbimit tuaj ‑ mbasi besuat në Të, u vulosët me Shpirtin Shenjt ‑ të Premtuarin ‑ 14 që është pengu i trashëgimit tonë: për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit ‑ në nderë të Lavdisë së tij.
 
  Fjala e Zotit
 
  Aleluja!
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit i shndritë sytë e zemrës sonë që ta kuptojmë shpresën për të cilën na ka grishur. (Krh. Ef 1, 17-18)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 6, 7-13)
 
  Filloi t’i dërgojë.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
 
  Në atë kohë, 7 Jezusi i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. 8 U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, 9 por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka. 10 Dhe u thoshte: »Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të mos largoheni nga ai vend. 11 Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.« 12 Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. 13 Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet
dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve,
të cilët do të ushqehen me këto dhurata.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet
edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet:
e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im!
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde,
do të të lavdërojnë për amshim.
Ose:  Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim,
ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua
dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri,
të na shtohet fryti i shpëtimit.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist