Liturgjia e Fjalës – 25 maj – e preme – Java VII gjatë vitit

Written by on May 23, 2018

JAVA E VII GJATË VITIT
 
E PREMTE
 
Antifona e hyrjes  Ps 12, 6
O Zot, unë shpresoj në mëshirën tënde.
Shpirti im galdon në shpëtimin tënd.
Do t’i këndoj Zotit, bamirësit tim.
Kolekta
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj që gjithmonë të jepemi pas së vërtetës,
kështu që me fjalë e me vepra
të kryejmë çka të pëlqen ty.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Jak 5, 9-12)
 
  Qe, gjykatësi është para derës!
 
  Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull
 
  9 Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit që të mos dënoheni! Qe: Gjykatësi qëndron para derës! 10 Merrni, o vëllezër, për shembull të vuajtjes dhe të duresës profetët që folën në Emër të Zotit.
  11 Ja, të lumtur i quajmë ata që qëndruan në duresë. Për duresën e Jobit dëgjuat edhe qëllimin e Hyjit e patë se Zoti është shumë i mëshirshëm dhe i dhimbshëm.
  12 Sidomos, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiell as për dhe, as me ndonjë betim tjetër. Po-ja juaj le të jetë “Po” edhe Jo-ja juaj “Jo”, që të mos të dënoheni.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 103 (102)
 
Ref.  LUM TË MËSHRISHMIT, SEPSE DO TË GJEJNË MËSHIRË
 
1 Bekoje, shpirti im Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
2 Bekoje, shpirti im Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tij.
 
3 Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;
4 Ai ta shpëton jetën prej varrit,
ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,
 
8 Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.
9 Nuk zemërohet gjithherë
as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.
 
11 Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,
aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë.
12 Sa është lindja larg perëndimit
aq larg i tret prej nesh fajet tona.
 
  Aleluja!
Duani njëri-tjetrin sinqerisht, me gjithë shpirt dhe me dashuri të vërtetë, sepse u rilindët jo me një farë që prishet por me fjalën e Hyjit të gjallë. (1 Pjt 1, 22-23)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 10, 1-12)
 
  Çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 1 Jezusi shkoi në krahinën e Judesë dhe në anën përtej Jordanit. Prapë u mblodh rreth tij një turmë e madhe populli dhe ai përsëri nisi t’i mësojë siç e kishte zakon. 2 Atëherë iu afruan farisenjtë e, për ta sprovuar, e pyetën: »A ka leje burri ta lëshojë gruan?« 3 Ai u përgjigji: »Çka ju urdhëroi Moisiu?«
  4 Ata i përgjigjën: »Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e ndarjes e të lëshohet.’« 5 Jezusi u tha: »Atë rregullore e shkroi për ju Moisiu për arsye të kryeneçësisë suaj. 6 Por në fillim të botës, Hyji i krijoi mashkull e femër. 7 Prandaj njeriu do ta lërë babën e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, 8 e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm. ‘Këndej pra, nuk janë më dy, – por një trup i vetëm.
  9 Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!«
  10 Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. 11 Ai u tha: »Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. 12 Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Po i kremtojmë, o Zot, me nderim të duhur,
misteret e tua
dhe po të lutemi me përvujtëri,
që çka kushtojmë në nder të madhërisë sate,
të vlejë për shpëtimin tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 9, 2-3
I shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Gëzohem dhe galdoj në ty,
i këndoj emrit tënd, o i larti Zot.
Ose:  Gjn 11, 27
Zotëri, unë besoj se Ti je Krishti,
Biri i Hyjit të gjallë, që ke ardhur në këtë botë.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj ta fitojmë frytin e shpëtimit,
pengun e të cilit sapo e morëm.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST