Liturgjia e Fjalës – 15 prill – e dielë – Java III e Pashkëve

Written by on April 13, 2018

PASHKËT
 
JAVA E TRETË E DIEL
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 65, 1-2
Toka mbarë le t’i broharasë Hyjit, t’i këndojë emrit të tij,
ta madhërojë me nderim lavdinë e tij, aleluja.
 
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
Le të galdojë përherë, o Hyj, populli yt,
sepse Ti ia përtërite rininë e shpirtit,
dhe pasi Ti ia ktheve dinjitetin e birësimit,
bëj të presë me shpresë të sigurt ditën e ngjalljes.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 3,13-15.17-19)
 
  Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, Jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, Pjetri i tha popullit: 13 ‘Hyji i Abrahamit, [Hyji] i Izakut, [Hyji] i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lironte. 14 Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjakësori 15 kurse Jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë. 16 Dhe në saje të fesë në Emrin e Jezusit, pikërisht Emri i Jezusit i dha forcë këtij njeriu që ju e njihni e po e shihni. Feja në Të ia ktheu shëndetin e plotë këtij njeriu në sy të të gjithë juve.
17 Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes. 18 Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte. 19 Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 4
 
Ref.  LE TEË SHNDRIS MBI NE, O ZOT, DRITA E FYTYRËS SATE
 
2 Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime!
Ti që më shpëtove në vështirësi:
ki mëshirë për mua e ma dëgjo lutjen!
 
4 Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet,
Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
6 Flijoni fli drejtësie
e shpresën kijeni në Zotin!
 
7 Shumë thonë: “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë”?
Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
9 Posa bie në shtrojëgjumi menjëherë më merr në qetësi,
sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.
 
Leximi i dytë  (1 Gjn 2,1-5a)
 
  Jezu Krishti është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës.
 
  Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull
 
1 Fëmijëzit e mi, po jua shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati – Jezu Krishtin, Të Drejtin. 2 Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës. 3 Me këtë gjë e dimë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tij. 4 Kush thotë: »Unë e njoh Atë«, por nuk i mban urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. 5 Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtet dashuria e përsosur e Hyjit.
 
  Fjala e Zotit
 
Aleluja!
O Zot Jezus, bej që t’i njohim Shkrimet, Zemra jonë ndizet flakë derisa ti na flet. (Krh. Lk 24,32)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 24, 35-48)
 
  Krishti duhej të pësonte e të ngjallej së vdekuri të tretën ditë.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Lukës
 
Në atë kohë, 35 pasi që u kthyen nga Emausi dy nxënësit u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën. 36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” 37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. 38 Jezusi u tha: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? 39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” 40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. 41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” 42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. 43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre. 44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme. ’“ 45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet 46 dhe u tha: “Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
  Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
 
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate në festë,
dhe pasi je Ti shkaku i gjithë këtij gëzimi,
jepi edhe frytin e haresë së përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – I
 
Misteri i Pashkëve
 
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – III
 
Krishti i ngjallur gjithmonë ndërmjetëson për ne
 
47. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai nuk pushon së flijuari për ne
dhe na mbron duke ndërmjetësuar përjetësisht para teje.
Një herë i flijuar, më nuk vdes,
një herë i vrarë, jeton për amshim.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit 
Viti A  Lk 24, 35
Nxënësit e njohën Zotin në ndarjen e bukës, aleluja.
 
Viti B  Lk 24, 46-47
Mesisë iu desh të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë,
në emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt
kthimi dhe falja e mëkateve, aleluja.
 
Viti C  Krh. Gjn 21, 12-13
Jezusi u tha nxënësve: Ejani e hani.
Dhe e mori bukën e ua dha, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
Shikoje me mirësi, o Zot, popullin tënd
që e përtërite me sakramentet e përjetshme,
bëj të arrijë ngjalljen e trupit në lavdi.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Mund të përdoret trajta e bekimit kremtor të Meshës në fq. 514.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST