Liturgjia e Fjalës – 15 shtator – VIRGJËRA MARI E DHIMBSHME

Written by on September 13, 2018

VIRGJËRA MARI E DHIMBSHME
15 shtator
 
 
Antifona e hyrjes  Krh. Lk 2, 34-35
Simoni i tha Marisë: Shih! Hyji e caktoi këtë fëmijë
të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael.
Do të jetë edhe shenjë, të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë;
edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin.
 
Kolekta
O Hyj, Ti deshe që Birit tënd të gozhduar në kryq
t’i rrinte pranë Nëna e të vuante bashkë me të;
bëj që edhe Kisha jote të bashkohet me Zojën
në mundimet e Krishtit
që të ketë pjesë në ngjalljen e tij,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Heb 5, 7-9)
 
  Kushdo që, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, ta shikojë gjarprin, do të shpëtojë.
 
  Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
Krishti, 7 në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi lutje me ofshama të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. 8 Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm 9 dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar.
 
  Fjala e Zotit
 
Psalmi 31 (30)
 
Ref.  Në dhimbjen time, më ndihmo, o Hyj.
 
2 Në ty, o Zot, shpresoj:
mos lejo të turpërohem për amshim,
më liro me drejtësinë tënde.
3 Prire drejt meje veshin tënd,
nxito të më shpëtosh!
 
Ji për mua qetë shpëtimi,
kështjellë mbrojtjeje!
4 Sepse forca ime e strehimi im ti je:
pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
 
5 Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë,
sepse ti je fuqia ime.
6 Në duar të tua po e porosis shpirtin tim,
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
 
15 E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt,
unë them: “Ti je Hyji im,
16 në duart e tua fati im”!
Më shpëto prej duarve të armiqve të mi
dhe prej atyre që më salvojnë.
 
20 Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot,
të cilën e ruan për ata që të druajnë,
e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty.
 
Kthesa (sipas dëshirës)
 
Rrinte Zoja tuj lotue,
afër kryqit tuj shikue,
Krishtin pezull kryqëzue.
 
Nanë e dashtun, t’lus pa pra,
varrët e t’birit tand pa da,
Gjurma n’zemër me m’i ba.
 
Heshta zemrën prej trishtimit,
 prej ezgjetit, prej idhnimit,
Zojës përshkue ia kishte shqimit.
 
Oh sa n’vaj e sa n’ankim,
qe n’atë çast pa pasë nji gëzim,
Nana krishtit me hyjrim.
 
Qante dneste e dhimshmja nanë,
mundue krishtin për gjithë anë,
Pa muj kush nji ndihmë m’ia dhanë.
 
Tuj kqyrë nanën e tenzot,
afër Krishtit me varrë plot,
S’asht njeri që nuk derdh lot.
 
Kush sheh zojën n’atë ezgjet,
gati dekun për djalë t’vet,
Pa dnesue, jo, nuk jet.
Ose
Cili njeri nuk dreson,
t’krishtit nanën kur shikon,
N’tanë atë dhimbë që për djalë pëson?
 
Mëkatet tona me i resitë,
e pa krishtin krejt molitë,
Prej së rrahnash t’ asaj ditë.
 
N’mal t’ kalvarit kur e lëshoi,
vetën kryq, e kur mbaroi,
Krishtin pau e dhimshmja zojë.
 
Deh ti nana më dashni,
dhimbjen tande ban ta ndijë,
Sa t’jetoj m’këtë shekull t’zi.
 
Tuj tu lutë gjithmonë po shkoj,
 ban që krishtin ta adhroj,
Hirin tand kurrë mos ta lëshoj.
 
Nanë e dashtun, t’lus pa pra,
varrët e t’birit tand pa da,
Gjurma n’zemër me m’i ba.
 
Ti pjestar m’ban për gjithmonë,
 n’atë mundim që për faj tonë,
Hoq mbi kryq shëlbuesi jonë.
 
Afër krygj’s t’birit tenzot,
ban, o zojë me derdhun lot,
Der’ sa t’kemi jetë e mot.
 
  Aleluja!
E lume është Virgjëra Mari, sepse pa e parë vdekjen, nën kryq meritoi, palmën e martirizimit.
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 19, 25-27)
 
  Qan Nëna e dhimbshme duke soditur plagët e birit hyjnor.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
 
Në atë orë 25 në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë.
26 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës: “Grua, ja, yt bir!” 27 Pastaj i tha nxënësit: “Ja, nëna jote!” Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.
 
  Fjala e Zotit
 
Ose
 
Ungjilli  (Lk 2, 33-35)
 
  Qan Nëna e dhimbshme duke soditur plagët e birit hyjnor.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 33 prindërit e Jezusit çuditeshin për sa thuhej për të. 34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. – 35 edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
O Hyj i mëshirshëm, Ti na dhurove
shën Marinë Virgjër për nënë të dashur
ndërsa qëndronte pranë Jezu Krishtit të kryqëzuar;
pranoji për lavdi të emrit tënd lutjet dhe kushtet
që po t’i paraqesim në nder të saj.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit  Krh. 1 Pjt 4, 13
Gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit
që edhe ditën e zbulesës së lavdisë së tij
të mund të galdoni me hare.
 
Lutja pas kungimit
Pasi e morëm sakramentin e shëlbimit të amshuar
ndërsa përkujtojmë Zojën e dhimbshme,
me përvujtëri po të lutemi, o Zot,
na ndihmo të plotësojmë për Kishën
çka u mungon mundimeve të Krishtit,
që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist