Liturgjia e Fjalës – 15 tetor – e hënë – Java XXVIII gjatë vitit

Written by on October 13, 2018

JAVA E XXVIII GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Shën Tereza e Avilës, virgjër dhe mësuese e Kishës
përkujtim
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 41, 2-3
Sikurse dreri e dëshiron burimin e ujit të gjallë,
po ashtu të dëshiron, o Hyj, shpirti im.
Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë.
Kolekta
O Hyj, Ti me frymëzimin e Shpirtit tënd
e mësove shën Terezën të tregojë në Kishën tënde
udhë të re të përsosmërisë,
bëj që edhe ne të gjejmë në mësimin e saj ushqimin shpirtëror
e të ndizemi flakë nga dashuria e shenjtërisë së vërtetë.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Gal 4, 22-24.26-27.31 – 5, 1)
 
Këndej, o vëllezër, nuk jemi bijtë e skllaves, por të lirës!
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve
 
Vëllezër, 22 në Shkrim shenjt është se Abrahami pati dy djem: njërin prej sllaves e tjetrin prej të lirës. 23 Ai prej skllaves është i lindur natyrisht, kurse ai prej gruas së lirë, në fuqi të premtimit.
24 Kjo është alegori: këto gra paraqesin dy Besëlidhjet: njëra Besëlidhjen që vjen nga mali Sinai ‑ e cila lind për skllavëri ‑ e paraqitur me Agarën; 26 Ndërsa Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë. 27 Sepse në Shkrim shenjt është: “Galdo, beronjë, ti që nuk lind fëmijë, gërthit në britmë hareje, ti, që nuk i sprovon dhimbjet e lindjes, sepse e përbuzura ka më shumë fëmijë se ajo që e ka burrin!” 31 Këndej, o vëllezër, nuk jemi bijtë e skllaves, por të lirës! 5 1 Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë!
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 113 (112)
 
Ref.  QOFTË BEKUAR EMRI I ZOTIT, TASH E DERI NË AMSHIM
 
1 Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit,
lavdërojeni, Emrin e Zotit!
2 Qoftë bekuar Emri i Zotit
qysh tash e deri në amshim,
 
3 Që kur lind dielli e derisa perëndon
qoftë bekuar Emri i Zotit!
4 I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt,
lavdia e tij i tejkalon qiejt.
 
5 Kush është si Zoti, Hyji ynë,
që fronin e ka në Lartësi,
6 e nga lart vrojton qiellin e tokën?
7 Nga pluhuri e ngre skamnorin,
nga llomi e lartëson të vobektin
 
  Aleluja
Hape, o Zot, zemrën tonë që të kuptojmë fjalën e Birit tënd. (Krh. Vap 16, 14)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 11, 29-32)
 
  Kësaj breznie nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës..
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 29 mbasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar Jezusi filloi të flasë: »Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.
31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni!
32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!«
 
  Fjala e Zotit
 
 
Lutja mbi dhurata
Të pëlqefshin, o Zot, dhuratat tona,
sikurse të pëlqeu kushtimi i krejt qenies së shën Terezës.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 88, 2
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,
brez pas brezi goja ime
do ta shpallë besnikërinë tënde.
Lutja pas kungimit
O Hyj, Zoti ynë, që na ushqeve me bukën qiellore,
bëj që, sipas shembullit të shën Terezës,
me gëzim t’i këndojmë për amshim dashurisë sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist