Liturgjia e Fjalës – 16 janar – e mërkurë – Java I gjatë vitit

Written by on January 14, 2019

JAVA E I GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes
E pashë Zotin se po rrinte mbi fron të lartë,
e adhuronte një shumicë e madhe engjëjsh,
që së bashku këndonin: Ja ai që mbretëron për amshim.
Kolekta
Po të lutemi, o Zot, përcilli me dashuri qiellore
kushtet e popullit tënd që po të lutet:
të kuptojë çka i lypet të bëjë
dhe atë ta zbatojë me dashuri.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
I
 
  Leximi i parë  (Heb 2, 14-18)
 
  U desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë Kryeprift i mëshirshëm.
 
  Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
  Vëllezër, 14 mbasi fëmijët kanë te përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtar në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë, që kishte në dorë pushtetin e vdekjes – d.m.th. djallin, 15 për t’i çliruar ata që ishin të nënshtruar skllavërisë për tërë jetën prej frikës së vdekjes. 16 Sepse Ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por u vjen në ndihmë pasardhësve të Abrahamit. 17 Këndej u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik në ato gjëra që i përkasin Hyjit në mënyrë që t’i shpërblente mëkatet e popullit. 18 Dhe, vërtet, shi pse ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t’u ndihmojë atyre që janë në sprovë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 104 (103)
 
Ref.  ZOTI SE HARRON BESËLIDHJEN E VET
 
1 Lavdëroni Zotin e thirreni në ndihmë Emrin e tij
shpallni midis popujsh veprat e madhërueshme të tijat!
2 Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të tij,
kujtoni të gjitha mrekullitë e tij!
 
3 Mburruni me Emrin e tij të shenjtë:
le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.
4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,
kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!
 
5 T’ju bien në mend mrekullitë që bëri,
mrekullitë e tij dhe gjyqet e gojës së tij:
6 ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij,
ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!
 
7 Ai është Zoti, Hyji ynë,
në mbarë tokën gjyqet e tij!
8 Ai s’e harron Besëlidhjen e vet askurrë,
premtimin që ua bëri një mijë breznive,
9 lidhjen që e bëri me Abrahamin
dhe përbetimin që i bëri Izakut.
 
 
  Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 1, 29-39)
 
  Do të vije që të na vizitojë nga lart një Diel që shndrit.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, Jezusi 29 posa dolën nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut. 30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe.
  Menjëherë i treguan për të. 31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.
  32 Në mbrëmje, me të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurit dhe të djallosurit. 33 Mbarë qyteti u mblodh para derës. 34 Ai i shëroi të sëmurit – ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.
35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje thoshte uratë. 36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. 37 Kur e gjetën i thanë: »Të gjithë po të kërkojnë.«
  38. Ai u tha: »Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.«
  39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Të të pëlqejë, po të lutemi, o Zot, kushti i popullit tënd,
e me të na shenjtëro dhe na jep çka po të kërkojmë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 35, 10
Te Ti, o Zot, është burimi i jetës
dhe në dritën tënde ne e shohim dritën.
Apo:  Gjn 10, 10
Unë erdha që ta kenë jetën,
që ta kenë me plotësi, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Me përvujtëri, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm:
Ti, që na ushqeve me sakramentet e tua,
bëj që të të shërbejmë me jetën tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 

Current track

Title

Artist

Shkarkoni aplikacionin për telefon Android ose për Apple