Liturgjia e Fjalës – 16 korrik – e hënë – Java XV gjatë vitit

Written by on July 14, 2018

JAVA E XV GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje;
do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate
atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde:
bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë,
të flakin çka i kundërshton këtij emri
e të pranojnë çka i përket.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Is 1, 10-17)
 
  Mbretëria e Davidit do të mbetët për amshim.
 
  Lexim prej Librit të Isaisë Profet
 
  10 Dëgjojeni fjalën e Zotit, o prijës të Sodomës! dëgjoje Urdhrin e Hyjit tonë, o populli i Gomorrës! 11 “Ç’më duhen flitë tuaja të panumërta?” – thotë Zoti. – “Jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh, me dhjamë bagëtish të majura; e gjak demash qengjash e edhash nuk dua! 12 Kur donit të dilni përpara meje, kush i kërkoi këto prej duarve tuaja që të shëtitni nëpër tremet e mia? 13 Pushoni të më sillni fli të padobi; në iri e kam kemin. Hëna e re, e shtuna dhe tubimet… s’duroj dot paudhëri e festime bashkë! 14 Hënat e reja e festimet tuaja i urren shpirti im, u bënë barrë e rëndë për mua, s’mund t’i duroj më! 15 Kur i shtrini duart tuaja në uratë, unë i largoj sytë e mi prej jush; edhe nëse i shumoni uratat tuaja, unë nuk ju dëgjoj. Duart tuaja pikojnë gjak. 16 Lahuni, pastrohuni, Hiqeni fajësinë tuaj prej syve të mi, pushoni të bëni keq! 17 Mësoni të bëni vepra të mira: kërkojeni drejtësinë, ndihmoni të shtypurit, jepni të drejtën bonjakut, mbrojeni të vejën!
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 50 (49)
 
Ref.  MË NDERON AI QË MË KUSHTON FLINË E LAVDIT
 
8 Nuk të qortoj për flitë e tua,
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
9 S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat,
as cjap prej tufave të tua.
 
16 “Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia?
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
17 kur ti e urren disiplinën,
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
 
21 “Kështu veprove e unë heshtova.
A mendon ti se unë jam si ti?
23 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit,
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit
atij që ecën udhës së drejtë.
 
  Aleluja!
Të lumt ju kur të ju salvojnë për shkak timin, thotë Zoti; sepse i madh do të jetë shpërblimi i juaj në qiell. (Krh. Mt 5, 11.12)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 10, 34 – 11,1)
 
  Do të vije që të na vizitojë nga lart një Diel që shndrit.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  Në atë kohë Jezusi u tha nxënesve te vet: 34 »Mos mendoni se erdha ta bie paqen mbi tokë. Nuk erdha ta bie paqen, po shpatën. 35 Sepse erdha të ndaj djalin prej t’et, vajzën prej s’ëmës, të renë prej së vjehrrës, 36 Njeriu do t’i ketë armiq shtëpiakët e vet. 37 Kush e do të atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua.Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! 38 Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua! 39 Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë,e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë.« 40 »Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. 41 Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin, pse është i drejtë,do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. 42 Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!« 11 1 Kur Jezusi i kreu porositë që deshi t’ua japë dymbëdhjetë nxënësve të vet, u nis së andejmi për të mësuar e për të predikuar në qytetet e atjeshme.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet
dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve,
të cilët do të ushqehen me këto dhurata.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet
edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet:
e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im!
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde,
do të të lavdërojnë për amshim.
Ose:  Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim,
ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua
dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri,
të na shtohet fryti i shpëtimit.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist