Liturgjia e Fjalës – 16 maj – e mërkurë – Java VII e Pashkëve

Written by on May 14, 2018

PASHKËT
 
JAVA E SHTATË
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes  Ps 46, 2
Duartrokitni, o popuj të gjithë,
brohoritni Hyjit me zë hareje, aleluja.
 
Kolekta
O Hyj i mëshirshëm, bëj që Kisha jote,
e bashkuar prej Shpirtit Shenjt,
t’i kushtohet plotësisht shërbimit tënd
e të jetë tok në kryerjen e vullnetit tënd.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 20, 28-38)
 
  Tani po ju lë në dorë të Hyjit që është i aftë t’ju edukojë e t’ju japë trashëgimin ndër të gjithë të shenjtëruarit.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, Pali u thoshte pleqve të Kishës në Efes: 28 “Kini kujdes për vete e për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e vet e fitoi për vete.
29 Unë e di se pasi të shkoj unë, mes jush do të hyjnë ujq grabitqarë, të cilët s’do ta kursejnë grigjën. 30 Po edhe mes jush do të ngrihen disa njerëz, të cilët do të shtrijnë mësime të rreme për të tërhequr pas vetes nxënësit.
31 Prandaj rrini zgjuar e mos harroni se për tri vjet, pa pushuar as natë as ditë, me lot për faqe, jam munduar ta mësoj secilin prej jush. 32 E tani po ju lë në dorë të Hyjit dhe të fjalës së hirit të tij, e cila është e aftë t’ju edukojë e t’ju japë trashëgimin ndër të gjithë të shenjtëruarit. 33 Nuk dëshirova as argjend, as ar as petka prej askujt. 34 Ju vetë e dini se për nevoja të mia e të shoqëruesve të mi kanë fituar këto duar të mia.
35 Në çdo pikëpamje ju tregova me shembull se duke punuar kështu, duhet t’u ndihmohet të paaftëve, duke na rënë në mend fjalët e Jezusit Zot: ‘Më i lum është ai që jep se ai që merr. ’”
36 Kur i kreu këto fjalë, u ul në gjunjë bashkë me të gjithë dhe u lut. 37 Të gjithë ia plasën vajit, e përqafuan dhe e puthën Palin, 38 të trishtuar thellë, sidomos për fjalën që u tha se nuk do ta shohin më fytyrën e tij. Atëherë e përcollën deri në barkë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 68 (67)
 
Ref.  FUQIA E ZOTIT ËSHTË DASHURIA
 
29 Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde,
përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,
30 prej Tempullit tënd në Jerusalem.
Mbretërit le të sjellin dhurata!
 
33 Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit,
këndoni Zotit, këndoni Hyjit,
34 që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm.
Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:
35 “Pranojeni gjithëpushtetësinë e Hyjit”!
 
Mbi Izraelin madhëria e tij,
përmbi re fuqia e tij!
36 I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote!
Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet.
Qoftë bekuar Hyji!
 
  Aleluja!
Fjala jote, o Zot, është e vërteta, na shenjtëro në të vërtetën. (Krh. Gjn 17, 17)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 17, 11b-19)
 
  Le të jenë një sikurse ne.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, Jezusi çoj sytë kah qielli dhe u lut kështu: 11 “O Atë i shenjtë! Ruaji në Emër tënd ata që ti m’i dhe që të jenë një sikurse ne!
12 Derisa unë isha me ta i ruajta në Emër tënd ata që m’i dhe, dhe vërtet i ruajta ‑ asnjë nuk u bor përveç birit të bjerrjes ‑  në mënyrë që të plotësohej Shkrimi i shenjtë. 13 Tani po vij tek Ti e këto po i them ndërsa ende jam në botë, që ata ta kenë në vetvete gëzimin tim të plotë. 14 Unë ua dorëzova fjalën tënde dhe bota i urreu, pse nuk janë të kësaj bote sikurse as unë nuk i përkas kësaj bote.
15 Nuk po të lutem t’i marrësh prej botës, por t’i ruash nga i Keqi. 16 Ata nuk i përkasin botës,  sikurse as unë nuk i përkas botës.
17 Shenjtëroji në të vërtetën: fjala jote është e vërteta. 18 Sikurse ti më dërgove në botë, po ashtu edhe unë i dërgova në botë. 19 Për ta e kushtoj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetën”.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë
që ti vetë na urdhërove ta kushtojmë,
e me anën e këtij sakramenti, të kremtuar në nderin tënd,
kryeje në ne veprën e shenjtërimit dhe të shëlbimit.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Prefacioni i Pashkëve ose i Ngjitjes së Zotit, fqq. 442-448.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – I
 
Misteri i Pashkëve
 
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I NGJITJES SË ZOTIT – I
 
Misteri i Ngjitjes së Zotit
 
50. Ky prefacion thuhet ditën e Ngjitjes së Zotit; mund të thuhet edhe në ditët pas Ngjitjes deri të shtunën para Rrëshajëve, në ato Meshë që nuk e kanë prefacionin e vet.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Sepse (sot) Jezusi Zot, Mbreti i lavdisë,
ngadhënjyesi mbi mëkatin dhe mbi vdekjen,
u ngjit në lartësitë qiellore
përballë engjëjve të mahnitur.
Ai është Ndërmjetësi midis Hyjit dhe njerëzve,
Gjykatësi i botës dhe Zotëruesi i fuqive.
Ai hyri para nesh në lavdinë tënde,
jo për t’u larguar nga gjendja jonë e përulur,
por që të kemi shpresë se edhe ne, gjymtyrët e tij,
do ta ndjekim atje ku është Ai, Kryet dhe Prijësi ynë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Ditën e Ngjitjes së Zotit, kur përdoret Kanoni Romak, thuhet Të bashkuar i veçantë.
 
Antifona e kungimit  Gjn 15, 26-27
Kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’jua dërgoj prej Atit,
Shpirti i së Vërtetës që rrjedh prej Atit,
ai do të dëshmojë për mua,
edhe ju do të dëshmoni për mua, thotë Zoti, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
Pjesëmarrja në këtë sakrament hyjnor,
e shtoftë në ne, o Zot, hirin tënd,
na pastroftë me fuqinë e vet
e na bëftë përherë të aftë për një dhuratë kaq të madhe.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST