Liturgjia e Fjalës – 16 prill – e hënë – Java III e Pashkëve

Written by on April 14, 2018

PASHKËT
 
JAVA E TRETË
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes
U ngjall Jezu Krishti, Bariu i mirë,
ai e flijoi jetën e vet për grigjën e vet,
ai pranoi të vdesë për shëlbimin tonë, aleluja.
 
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
të heqim dorë nga njeriu i vjetër mëkatar,
që të jetojmë në praninë e atij,
i cili me misterin e Pashkëve
na ka bashkuar me natyrën e vet.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 6, 8-15)
 
  Nuk mund ta përballonin dijen dhe Shpirtin Shenjt në Shtjefnin.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
8 Në ato ditë, Shtjefni, që ishte plot hir dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha në popull. 9 Po asohere disa prej të ashtuquajturës sinagogë e Libertinëve, Cirenianëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre nga Cilicia dhe Azia u çuan për t’u rragatur me Shtjefnin. 10 Por nuk mund ta përballonin dijen dhe Shpirtin Shenjt në fuqi të të cilit fliste. 11 Atëherë paguan disa njerëz që thanë: “Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë fyese kundër Moisiut e kundër Hyjit.” 12 Kështu e ngacmuan e pleqtë e skribët, pastaj iu afruan, e kapën dhe e çuan në Këshill. 13 Aty sollën dëshmitarë të rrejshëm, të cilët thanë: “Ky njeri vazhdimisht flet kundër Vendit të shenjtë dhe kundër Ligjit. 14 Vërtet e dëgjuam duke thënë: ‘Jezusi Nazarenas do ta rrënojë këtë vend dhe do t’i shndërrojë traditat që na i ka lënë Moisiu. ’”
15 Të gjithë ata që ishin në Kuvend i drejtuan sytë nga ai dhe panë se ishte në fytyrë si engjëll.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 119 (118)
 
Ref.  LUM AI QË JETON SIPAS LIGJIT TË ZOTIT.
 
23 Nëse edhe princat bëjnë mbledhje e flasin kundër meje,
shërbëtori yt ushtrohet në rregulloret e tua.
24 Sepse dëshmitë e tua janë kënaqësia ime,
rregulloret e tua këshilltarët e mi.
 
26 I kam treguar udhët e mia e ti më dëgjove:
m’i mëso rregulloret e tua.
27 Bëj ta kuptoj udhën e urdhërimeve të tua
e do t’i kujtoj mrekullitë e tua.
 
29 Më mbaj larg nga udha e gënjeshtrës,
më pajis me Ligjin tënd.
30 E kam zgjedhur udhën e së vërtetës,
në zemër i kam urdhërimet e tua.
 
  Aleluja!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. (Mt 4, 4)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 6, 22-29)
 
  Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
22 Të nesërmen, populli që kishte zënë vend matanë detit, pa se aty s’ishte veçse një lundër dhe se Jezusi nuk kishte hyrë në lundër bashkë me nxënësit e tij por nxënësit ishin nisur vetëm.
23 Ndërkaq, prej Tiberiadit erdhën disa lundra afër vendit ku hëngrën bukë (pasi Zotëria falënderoi). 
24 Kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin.  25 Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur erdhe këtu?”
26 Jezusi iu përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë,  por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë. 27 Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut,  sepse këtë e vulosi Ati‑Hyj.
28 Atëherë ata i thanë: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?”
29 Jezusi iu përgjigj: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai e dërgoi.”
 
  Fjala e Zoti
 
Lutja mbi dhurata
U ngjitshin te Ti, o Zot, lutjet tona
bashkë me kushtet e flisë eukaristike;
na pastro në mirësinë tënde
që t’u përgjigjemi sakramenteve të dashurisë sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – IV
 
Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve
 
48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Me fitoren mbi mëkatin,
rimëkëmbet mbarë rruzullimi
e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – V
 
Krishti prift dhe fli
 
49. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai, duke e kushtuar trupin e vet,
flitë e vjetra i përmbushi
në flinë e vërtetë të kryqit
dhe duke u dorëzuar në duart e tua për shpëtimin tonë,
u dëftua prift, altar dhe qengj i vërtetë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Gjn 14, 27
Po ju lë paqen, po ju jap paqen time;
jua jap jo ashtu siç e jep bota, thotë Zoti, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
O Hyji i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
me ngjalljen e Krishtit Ti na përtërin për jetën e përhershme,
shumëzoji në ne frytet e sakramentit të Pashkëve,
dhe na forco në saje të ushqimit të shpëtimit tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST