Liturgjia e Fjalës – 16 tetor – e martë – Java XXVIII gjatë vitit

Written by on October 14, 2018

JAVA E XXVIII GJATË VITIT

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes  Ps 129, 3-4

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,

o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.

Kolekta

Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt

dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm

të kryejmë vepra të mira.

Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,

që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,

për të gjithë shekujt e shekujve.

 

  Leximi i parë  (Gal 5, 1-6)

 

  Në Jezus Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por ‑ feja që vepron me dashuri.

 

  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve

 

Vëllezër, 1 Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë! 2 Ja, unë, Pali, po ju them: në qoftë se rrethpriteni, Krishti më s’do t’ju vlejë asgjë! 3 Përsëri dua t’ju vë në dijeni: çdo njeri që rrethpritet, e detyron vetveten ta zbatojë mbarë Ligjin. 4 I këputët marrëdhëniet me Krishtin, ju që e themeloni shfajësimin në Ligj: keni rënë nga hiri. 5 Sepse ne nëpër Shpirtin Shenjt e presim me anë të fesë drejtësinë që e shpresojmë. 6 E njëmend, në Jezu Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por ‑ feja që vepron me dashuri.

 

  Fjala e Zotit

 

  Psalmi 119 (118)

 

Ref.  LIGJI YT, O ZOT, ËSHTË GËZIMI IM

 

41 Ma jep, o Zot, mëshirën tënde,

shëlbimin tënd sikurse më premtove.

43 Kurrë mos e hiq prej gojës sime fjalën e së vërtetës,

sepse kam besim në gjyqet e tua.

 

44 E unë do ta mbaj Ligjin tënd përherë,

në shekuj e në jetë të jetës.

45 Do të eci udhës së madhe,

sepse i kërkoj urdhërimet e tua.

 

47 Do të kënaqem në urdhërimet e tua,

që aq shumë i kam për zemër.

48 Ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua që i dua,

e do t’i bluaj në mendje rregulloret e tua.

 

  Aleluja!

Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është kujdesi për të varfrit dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë. (Krh. Jak 1, 27)

  Aleluja!

 

  Ungjilli  (Lk 11, 37-41)

 

  Jepni, pra, për lëmoshë ç’është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.

 

  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 37 ndërsa Jezusi ende po fliste, një farise iu lut të shkonte tek ai për drekë. Ai hyri dhe u ul në tryezë. 38 Fariseu, kur pa se Jezusi nuk u la para buke, u çudit.

39 Zotëria i tha: »Po! Ju farisenjtë lani përjashta gotën dhe kupëzën, ndërsa brendinë tuaj e keni plot rrëmbime e prapësi. 40 Të marrë! A thua se ai që përftoi përjashtësinë, nuk e përftoi edhe brendësinë? 41 Jepni, pra, për lëmoshë ç’është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.

 

  Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve,

edhe flitë e kushtuara,

që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë,

të kalojmë në lumturinë qiellore.

Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Antifona e kungimit  Krh. Ps 33, 11

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,

ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

Ose:  1 Gjn 3, 2

Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të,

sepse do ta shohim ashtu si është.

Lutja pas kungimit

Po të lutemi me përvujtëri, o Zot,

që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë,

ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore.

Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 


Current track
Title
Artist