Liturgjia e Fjalës – 17 janar – e enjte – Java I gjatë vitit

Written by on January 15, 2019

JAVA E I GJATË VITIT
E ENJTE
SHËN ANTONI, ABAT
 
 
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 91, 13-14
I drejti do të lulëzojë porsi palma,
rritet porsi cedri i Libanit,
i mbjellë në shtëpinë e Zotit,
në banesat e Hyjit tonë.
Kolekta
O Hyj, Ti ia dhe hirin shën Antonit abat
të shërbejë në shkreti me një jetë heroike;
bëj që, me ndërmjetësinë e tij,
të dimë t’i biem mohit vetvetes
e të të duam ty përmbi gjithçka.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Heb 3, 7-14)
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo: “Sot”.
 
  Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
  Vëllezër, 7 sikurse thotë Shpirti Shenjt: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, 8 mos jini zemërgurë si në ditën e Kryengritjes, si në ditën e vënies në provë në shkretëtirë, 9 ku më ngucën etërit tuaj dhe më vunë në provë edhe pse i panë veprat e mia 10 gjatë dyzetvjetëve. Prandaj m’u ndy ajo brezni dhe thashë: Gjithmonë gënjehet zemra e tyre, e nuk i marrin vesh udhët e mia.
11 Kështu u përbetova në zemërimin tim: Kurrë s’do të hyjnë në pushimin tim!”
  12 Kini kujdes, o vëllezër, që ndonjëri prej jush të mos e ketë zemrën e keqe, të pafe që të shkëputet nga Hyji i gjallë, 13 por nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo: “Sot”, që të mos “ngurohet” ndokush prej jush i ngashnyjer prej mëkatit. 14 Sepse jemi bërë pjesëtarë të Krishtit – merret vesh – në qoftë se qëndrojmë të palëkundshëm në shpresë deri në fund ashtu si filluam.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 94 (93)
 
Ref.  BËJ, O ZOT TA DËGJOJMË ZËRIN TËND
 
6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
7 Sepse ai është Hyji ynë,
në jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai ruan.
 
8 Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
10 Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky,
11 që s’i njeh udhët e mia’.
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim:
‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!'”
 
 
  Aleluja!
Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë dhe duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi. (Mt 4, 23)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 1, 40-45)
 
  Aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 40 iu paraqit Jezusit një i gërbulur, ra në gjunjë dhe iu lut: »Nëse do, mund të më pastrosh!« 41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!” 42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. 43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë 44 por i urdhëroi rreptësishtë: 44 »Shih – i tha – mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushdo çka ka urdhëruar Moisiu – atyre për dëshmi.«
  45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.
 
  Fjala e Zotit
 
 
Lutja mbi dhurata
Të pëlqefshin, o Zot, dhuratat e shërbesës sonë
që po t’i kushtojmë mbi altarin tënd
në përkujtimin e shën Antonit
dhe bëj që, të lirë nga pengesat tokësore,
të të kemi ty si të vetmen pasuri.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Mt 19, 21
Nëse do të jesh i përsosur shko, shit çka ke,
falua skamnorëve dhe eja pas meje, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na ushqeve me sakramentet e tua,
na ndihmo t’i mundim përherë të gjitha pritat e armikut,
Ti që i dhe shën Antonit fitore të shkëlqyeshme
kundër pushteteve të errësirës.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 

Current track

Title

Artist

Shkarkoni aplikacionin për telefon Android ose për Apple