Liturgjia e Fjalës – 17 maj – e enjte – Java VII e Pashkëve

Written by on May 15, 2018

PASHKËT
 
JAVA E SHTATË
 
E ENJTE
 
Antifona e hyrjes  Heb 4, 16
T’i afrohemi plot guxim fronit të hirit,
që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir
për të pasur ndihmë në kohë të duhur, aleluja.
 
Kolekta
Shpirti Shenjt, o Zot, ndikoftë në ne dhuratat e veta,
na dhashtë një zemër që të mund të të pëlqejë ty,
e na bëftë përsosmërisht në përkim me vullnetin tënd.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 22, 30; 23, 6-11)
 
  Duhet të dëshmosh për mua në Romë .
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, 30 tribuni, duke dashur të dijë pikërisht të vërtetën, përse çifutët e paditnin Palin, e zgjidhi, dha urdhër të mblidhen në kuvend kryepriftërinjtë dhe mbarë Këshilli i Lartë, urdhëroi të sillet edhe Pali dhe e ballafaqoi me ta.
23,6 Pali e dinte se ata ishin një pjesë saducenj e një pjesë farisenj, prandaj tha me zë të lartë në Këshill: “Vëllezër, unë jam farise dhe bir farisenjsh. Për shkak të shpresës në ngjalljen e të vdekurve jam këtu para gjyqit!” 7 Posa Pali i tha këto fjalë, nisi grindja mes farisenjsh e saducenjsh dhe u bë përçarje në mbledhje. 8 Saducenjtë, në të vërtetë thonë se nuk ka ngjallje, s’ka engjëj, s’ka shpirt; kurse farisenjtë i besojnë të gjitha këto. 9 U bë zhurmë e madhe. Atëherë disa skribë të sektit të farisenjve, u ngritën dhe kundërshtuan me guxim: “Ne nuk gjejmë ‑ thanë ‑ kurrfarë faji në këtë njeri. Çka atëherë, nëse i ka folur ndonjë shpirt ose ndonjë engjëll?” 
10 Pasi zhurma shkonte duke u rritur, tribuni nisi të frikësohej mos po e kapin Palin e po e copëtojnë, prandaj urdhëroi të ulet ushtria, ta marrë prej mesit të tyre e ta çojë në kështjellë. 11 Natën më pas Zoti iu dëftua Palit dhe i tha: “Aspak mos u tremb! Si ke dëshmuar për mua në Jerusalem, po ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 16 (15)
 
Ref.  UNË SHPRESOJ NË TY, O ZOT, HYJI I GËZIMIT TIM.
 
1 Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
2 I thashë Zotit: “Ti je Zoti im!
5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,
në dorën tënde është fati im!
 
7 E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
8 Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
 
9 Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
10 S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
 
11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
 
  Aleluja!
Sikurse ti, Atë që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove (Gjn 17, 21)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 17, 20-26)
 
  Le të jenë të përsosur në njësi.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, Jezusi çoj sytë kah qielli dhe u lut kështu: 20 “Nuk po të lutem vetëm për këta, por edhe për të gjithë ata,  që, për shkak të fjalës së tyre, do të besojnë në mua: 21 që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove.
22 Edhe unë ua dhashë lavdinë që ti ma dhe që të jenë një sikurse ne jemi një 23 ‑ unë në ta e ti në mua, që të jenë plotësisht një, që bota ta dijë se ti më dërgove dhe se i deshe ata siç më deshe mua.
24 Atë, dua që ata, të cilët m’i dhe, të jenë aty ku jam unë, bashkë me mua, që të kundrojnë lavdinë time, lavdinë që ti ma dhe, sepse më deshe para se të krijohej bota. 25 Atë i drejtë! Bota nuk të njohu e unë të njoha. Edhe këta e kuptuan se ti më dërgove.
26 Këtyre ua dëftova Emrin tënd dhe do të vazhdoj t’ua dëftoj, që dashuria me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta ‑ dhe unë në ta.”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Në mirësinë tënde shenjtëroji, o Zot, këto dhurata,
pranoje kushtin e kësaj flie shpirtërore
dhe na shndërro në dhuratë të përhershme
për lavdinë tënde.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Prefacioni i Pashkëve ose i Ngjitjes së Zotit, fqq. 442-448.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – I
 
Misteri i Pashkëve
 
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I NGJITJES SË ZOTIT – I
 
Misteri i Ngjitjes së Zotit
 
50. Ky prefacion thuhet ditën e Ngjitjes së Zotit; mund të thuhet edhe në ditët pas Ngjitjes deri të shtunën para Rrëshajëve, në ato Meshë që nuk e kanë prefacionin e vet.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Sepse (sot) Jezusi Zot, Mbreti i lavdisë,
ngadhënjyesi mbi mëkatin dhe mbi vdekjen,
u ngjit në lartësitë qiellore
përballë engjëjve të mahnitur.
Ai është Ndërmjetësi midis Hyjit dhe njerëzve,
Gjykatësi i botës dhe Zotëruesi i fuqive.
Ai hyri para nesh në lavdinë tënde,
jo për t’u larguar nga gjendja jonë e përulur,
por që të kemi shpresë se edhe ne, gjymtyrët e tij,
do ta ndjekim atje ku është Ai, Kryet dhe Prijësi ynë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Ditën e Ngjitjes së Zotit, kur përdoret Kanoni Romak, thuhet Të bashkuar i veçantë.
 
Antifona e kungimit  Gjn 16, 7
Po ju them të vërtetën: është më mirë për ju të shkoj,
sepse, po s’shkova,
Mbrojtësi nuk do të vijë te ju, thotë Zoti, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, që këto sakramente
me fjalë të na mësojnë e me kungim të na përtërijnë,
që të meritojmë t’i fitojmë dhuratat shpirtërore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST