Liturgjia e Fjalës – 17 prill – e martë – Java III e Pashkëve

Written by on April 15, 2018

PASHKËT
 
JAVA E TRETË
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes  Zb 19, 5; 12, 10
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij,
të gjithë ju që droni, të vegjël e të mëdhenj,
sepse, ja, tani koha e shëlbimit,
e pushtetit dhe e sundimit të Krishtit të tij, aleluja.
 
Kolekta
O Hyj, Ti ua hap derën e Mbretërisë sate
atyre që i rilind me ujë e me Shpirt Shenjt:
shtoje në shërbëtorët e tu hirin e pagëzimit,
që, të pastruar nga mëkatet e tyre,
të mos e humbasin asnjë nga premtimet e tua.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 7, 51- 8,1)
 
  O Jezus Zot, merre shpirtin tim.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, Shtjefni i thoshte popullit, pleqve dhe skribëve: 51 O njerëz kokëfortë, me zemër e me veshë paganë! Gjithmonë i kundërshtoni Shpirtit Shenjt! Siç ishin etërit tuaj, të tillë jeni edhe ju! 52 Cilin prej profetëve nuk e salvuan etërit tuaj? Etërit i vranë ata që paralajmëruan ardhjen e të Drejtit e të Drejtin ju tani e tradhtuat dhe e vratë; 53 pikërisht ju, që prej duarve të engjëjve e morët Ligjin, por nuk e zbatuat!”
54 Kur i dëgjuan këto fjalë, griheshin në zemrat e tyre dhe kërcëllonin me dhëmbë kundër tij. 55 Por Shtjefni, plot me Shpirt Shenjt, i drejtoi sytë kah qielli, pa lavdinë e Hyjit e Jezusin duke qëndruar në të djathtën e Hyjit 56 dhe tha: “Ja, po e shoh qiellin e hapur dhe Birin e njeriut në të djathtën e Hyjit.”
57 Atëherë ata lëshuan një britmë të madhe, i mbyllën veshët dhe u vërsulën të gjithë së bashku kundër tij. 58 E qitën jashtë qytetit dhe e vranë me gurë. Dëshmitarët i ulën petkat te këmbët e një djaloshi që quhej Saul. 59 Dhe ndërsa po e mbytnin me gurë, Shtjefni lutej e thoshte: “O Jezus Zot, merre shpirtin tim!” 60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të madh: “O Zot, mos ua merr këtë për mëkat!” Posa i tha këto fjalë, ndërroi jetë.
8,1 Edhe Sauli e dha pëlqimin e vet për vrasjen e Shtjefnit.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 31 (32)
 
Ref.  NË DUAR TË TUA, O ZOT, PO E POROSIS SHPIRTIN TIM.
 
3 Ji për mua, o Zot, qetë shpëtimi,
kështjellë mbrojtjeje!
4 Sepse forca ime e strehimi im ti je:
pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
 
6 Në duar të tua po e porosis shpirtin tim,
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
8 Me gëzim do t’i brohoris mirësisë sate
se ti shikove me dhimbje mbi mjerimin tim.
 
17 Kthjelloje fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd:
më shpëto me mëshirën tënde.
21 Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate
larg nga ngatërresat e njerëzve,
i strehon në Tendën tënde.
 
  Aleluja!
Unë jam buka e jetës, thotë Zoti, kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri. (Gjn 6, 35)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 6, 30-35)
 
  Jo Moisiu, por Ati im jua jep bukën preje qiellit.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë turma i tha Jezusit: 30 “Çfarë shenje bën ti, që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote?  31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë si shkruan edhe në Shkrim e shenjtë: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit. ’
32 Jezusi iu përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: 33 sepse buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.”
34 Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” 35 Jezusi u përgjigj: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate në festë
dhe pasi je Ti shkaku i gjithë këtij gëzimi,
jepi edhe frytin e haresë së përhershme.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – III
 
Krishti i ngjallur gjithmonë ndërmjetëson për ne
 
47. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai nuk pushon së flijuari për ne
dhe na mbron duke ndërmjetësuar përjetësisht para teje.
Një herë i flijuar, më nuk vdes,
një herë i vrarë, jeton për amshim.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – IV
 
Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve
 
48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Me fitoren mbi mëkatin,
rimëkëmbet mbarë rruzullimi
e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Rom 6, 8
Në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin,
besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me të,  aleluja.
 
Lutja pas kungimit
Shikoje me mirësi, o Zot, popullin tënd
që e përtërite me sakramentet e përjetshme,
bëj të arrijë ngjalljen e trupit në lavdi.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST