Liturgjia e Fjalës – 17 qershor – e dielë – Java XI gjatë vitit

Written by on June 14, 2018

JAVA E XI GJATË VITIT
 
E DIEL
 
 
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 26, 7.9
Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime.
Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis,
mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty,
vështroji lutjet tona
dhe, pasi pa ndihmën tënde
ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë,
na përtërij vazhdimisht me hirin tënd,
që, në zbatim të urdhërimeve të tua,
të të pëlqejmë me vullnet të mirë e me veprim.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Ez 17,22-24)
 
  Zoti e zvogëlon lëndën e madhe e e lartëson të voglën.
 
  Lexim prej Librit të Ezekielit profet
 
  22 Kështu thotë Zoti Hyj: Edhe unë do ta marr prej majës së cedrit të madh prej majës së gemave të tij do ta këpus një gemëz e do ta mbëltoj mbi një mal të lartë e të madhërishëm. 23 Do ta mbëltoj në mal të lartë të Izraelit: do të shpërthejë në pinjolla e do të bëjë fruta: cedër do të jetë i madhërueshëm. Nën të do të banojnë të gjithë shpendët, çdo shpend nën hijen e gemave të tij çerdhën do ta bëjë.
  24 Të gjitha lëndët e fushës do ta dinë se unë jam Zoti që e zvogëlon lëndën e madhe e e lartëson të voglën, e thaj lëndën e njomë e e bëj të bulëzojë të thatën. Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 92 (91)
 
Ref.  BËJ TË RITEMI, O ZOT, NE FARA E FJALËS SATE
 
2 Është punë e mirë të shpallim dashurinë në mëngjes
e gjatë natës bësnikërinë tënde,
5 Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,
kënaqem për veprat e duarve të tua.
 
13 I drejti lulëzon si palma,
rritet porsi cedri i Libanit.
14 Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit
lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.
 
15 Japin fruta edhe në pleqëri,
janë të kërthndeztë e plot shëndet,
16 për të shpallur se Zoti është i drejtë:
Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!
 
  Leximi i dytë  (2 Kor 5, 6-10)
 
  Mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tonë, qoftë edhe duke e lëshuar atë.
 
  Lexim prej letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
  Vëllezër, 6 jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; 7 sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. 8 Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti. 9 Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tonë, qoftë edhe duke e lëshuar atë, 10 sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija.
 
  Fjala e Zotit
 
  Aleluja!
Hape, o Zot, zemrën tonë që të kuptojmë fjalën e Birit tënd. (Krh. Vap 16,14)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 4, 26-34)
 
  Kokrra e sinapit është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Markut
 
  Në atë kohë, Jezusi u thonte turmave të popullit: 26 »Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. 27 Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet – pa ditur ai se si. 28 Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcyllin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra. 29 E posa fryti piqet,i vë draprin, sepse është koha e korrjes.«
  30 Dhe thoshte: »Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? 31 Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; 32 por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet: lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.«
  33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me bukën e verën
na jep shujtën që na ushqen,
dhe sakramentin që na përtërin:
mos na lër kurrë, po të lutemi,
pa këtë ndihmë për trupin dhe për shpirtin.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 26, 4
Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë kërkoj:
të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime.
Ose:  Gjn 17, 11
Atë i shenjtë, ruaji në emër tënd ata që m’i fale
që të jenë një sikurse ne, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Hyj, bëj që ky kungim që morëm,
shenjë e bashkimit të besimtarëve në ty,
të sjellë edhe njësinë në Kishën tënde.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST