Liturgjia e Fjalës – 17 shkurt – e shtunë – Pas të mërkurës së përhime

Written by on February 15, 2018

KRESHMET
 
E SHTUNË PAS SË MËRKURËS SË PËRHIME
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 68, 17
Na dëgjo, o Zot, sepse bujare është dashuria jote,
shiko mbi ne sipas mëshirës sate të madhe.
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
shikoje me mirësi ligështinë tonë,
shtrije të djathtën e madhërisë sate e na mbro.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Is 58, 9-14)
 
  Duke mos ndjekur udhët e tua do ta nderosh Zotin.
 
  Lexim prej librit të Isaisë profet
 
9 Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!” Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, 10 nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita.
11 E Zoti do të të prijë gjithmonë, do të të ngijë në vende të thata. Ai do t’i forcojë eshtrat e tu, do të jesh porsi kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave të gjalla që kurrë s’i mungojnë ujërat. 12 Populli yt do t’i rindërtojë rrënojat e vjetra, do t’i rindërtosh themelet e lëna brezni e brezni: do të quhesh: “Rindërtues i rrënojave, Ripërtëritës i rrugëve der’ në banim.”
13 Nëse do ta ruash këmbën të mos e shkelësh të shtunën, dhe në ditën time të shenjtë nuk do të punosh, nëse do ta çmosh për kënaqje të shtunën, të ndershme ditën e shenjtë të Zotit, do ta nderosh duke mos udhëtuar, duke mos kryer punët e tua e marrëveshjet, 14 atëherë në Zotin do ta gjesh kënaqësinë tënde; në karrocë do të të shëtis mbi malet e dheut, do të bëj ta gëzosh pronën e atit tënd Jakobit, sepse kështu foli goja e Zotit.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 86 (85)
 
Ref.  NA MËSO, O ZOT, UDHËN TËNDE.
 
1 Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo,
sepse jam i mjerë e skamnor.
2 Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt,
Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
 
3 Ki mëshirë për mua, o Zot,
se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
4 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd,
sepse tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
 
5 Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë,
plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
6 Dëgjoje, o Zot, lutjen time,
vështroje zërin e lutjes sime. 
 
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, por dua që të kthehet e të jetojë. (Krh. Ez 33, 11)
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
 
  Ungjilli  (Lk 5, 27-32)
 
  Nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Lukës
 
Në atë kohë 27 Jezusi doli dhe në vendin e tatimit pa duke ndenjur një tagrambledhës, që quhej Levi. I tha: “Eja pas meje!” 28 Ai la gjithçka, u ngrit e shkoi pas tij.
29 Pastaj Levi i bëri gati në shtëpinë e vet një gosti të madhe. Bashkë me Jezusin rrinin në tryezë shumë tagrambledhës e njerëz të tjerë.  30 Farisenjtë dhe skribët e sektit të tyre, murmurisnin dhe u thanë nxënësve të tij: “Pse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?”
31 Jezusi u përgjigj: “Të shëndoshët nuk kanë nevojë për mjek, por të sëmurit. 32 Unë nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët.”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e paqësimit dhe të lavdit
e bëj që, të pastruar me veprimin e saj,
të mund të të pëlqejmë me sjelljen tonë shpirtërore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
 
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
 
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
 
Pendesa shpirtërore
 
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Mt 9, 13
Unë kërkoj mëshirë e jo fli, thotë Zoti;
nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.
 
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me bukën e jetës, po të lutemi, o Zot,
bëj që misteri që kryhet tani në ne,
të na bëhet ndihmë për amshim.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja mbi popull (mund të përdoret sipas dëshirës)
Në mirësinë tënde, qëndro, o Zot, me popullin tënd
që ka marrë pjesë në misteret e shenjta,
që të mos rrëzohet nga rreziqet,
pasi ai ka besim në mbrojtjen tënde.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST