Liturgjia e Fjalës – 17 shtator – e hënë – Java XXIV gjatë vitit

Written by on September 14, 2018

JAVA E XXIV GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Sir 36, 18
Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty,
që profetët e tu të tregohen të vërtetë.
Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.
 
Kolekta
O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë,
priri sytë e tu mbi ne
dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër,
që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (1 Kor 11, 17-26)
 
  Nëse mes jush ka ndasi, ju nuk e hani Darkën e Zotit.
 
  Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
Vëllezër, 17 pasi jam duke i dhënë këto vërejtje, nuk mund t’ju lavdëroj: bashkimet tuaja nuk po ju sjellin dobi shpirtërore, por më tepër dëm. 18 Më së pari po dëgjoj e pjesërisht e besoj se kur bashkoheni në Mbledhje paska mes jush mosmarrëveshje. 19 Njëmend, duhet të jenë ndër ju dasi, në mënyrë që të dalin në shesh edhe ata që ndër ju janë të krishterë të vërtetë.
20 Kur ju, pra, mblidheni së bashku kështu, kjo gjë nuk do të thotë se hani Darkën e Zotit, 21 pasi, secili, kur merr pjesë në Darkë, kërkon të hajë një herë ushqimin që ka sjellë me vete, kështu që, dikush mbetet i uritur e tjetri dehet. 22 Po a thua nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? A mos doni të përbuzni Kishën e Hyjit e t’i turpëroni ata që nuk kanë? Çka t’ju them? T’ju lavdëroj? Në këtë gjë s’ju lavdëroj.
23 Vërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, 24 u falënderua, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” 25 Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” 26 Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 40 (39)
 
Ref.  ZOTI NA SHËLBOI ME GJAKUN E BIRIT TË VET.
 
7 Fli e dhurata ti nuk do,
vetë ma zbulove vullnetin tënd:
fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon,
8 atëherë thashë: “Ja, po vij unë.
 
Në Librin e Ligjit shkruan për mua:
9 Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj,
Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime”.
 
10 Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut,
shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.
 
17 Kurse le të gëzohen e le të galdojnë me ty,
të gjithë ata që të kërkojnë ty
e të thonë vazhdimisht: “I madhërishëm është Zoti!”,
të gjithë ata që e duan shëlbimin tënd.
 
  Aleluja!
Hyji aq fort e deshi botë sa që e dha një të vetmin Birin vet, që secili që beson në të ta ketë jetën e pasosur. (Gjn 3, 16)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 7, 1-10)
 
  As në Izrael nuk e gjeta një fe kaq të madhe.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 1 pasi Jezusi i kreu të gjitha këto fjalë të drejtuara popullit, hyri në Kafarnaum. 2 Një centurion e kishte shërbëtorin të sëmurë në fill të vdekjes. Shërbëtorin e kishte fort për zemër. 3 Centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, dërgoi disa kryepleq judenj që ta lusin të vijë e t’ia shërojë shërbëtorin. 4 Ata, kur arritën te Jezusi, zunë t’i luten e t’i përluten:
“Meriton t’ia kryesh këtë nder 5 sepse e do popullin tonë. Ai na e ndërtoi edhe sinagogën.”
6 Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo fort larg shtëpisë, centurioni dërgoi miqtë e vet për t’i thënë:
“Zotëri, mos u mundo më tepër se nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim 7 prandaj edhe nuk e çmova veten të denjë të të dal përpara, por vetëm jep urdhër me një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. 8 Sepse edhe unë, ndonëse jam vetëm njeri që varem prej tjetërkujt, prapë kam nën urdhër ushtarë dhe i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon, një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen; shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën.”
9 Jezusi, kur i dëgjoi këto fjalë, u mrekullua, u kthye kah populli që po e ndiqte dhe i tha: “Po ju them: as në Izrael nuk e gjeta një fe kaq të madhe.”
10 Kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, e gjetën shërbëtorin shëndoshë e mirë.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd
dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu,
që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd
të vlejë për shpëtimin e të gjithëve.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 35, 8
Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote!
Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.
Ose:  Krh. 1 Kor 10, 16
Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë,
është bashkim me Gjakun e Krishtit
dhe buka, të cilën ne e ndajmë,
është bashkim me Trupin e Krishtit!
Lutja pas kungimit
E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë
veprimi i kësaj dhurate qiellore,
që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore,
por veprimi i këtij sakramenti.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist