Liturgjia e Fjalës – 17 shtator – e mërkurë – Java XXVIII gjatë vitit

Written by on October 15, 2018

JAVA E XXVIII GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Shën Injaci i Antiokisë, ipeshkëv e martir
Përkujtim
 
Antifona e hyrjes  Krh. Gal 2, 19-20
U kryqëzova bashkë me Krishtin: jetoj, por jo më unë,
në mua jeton Krishti; jetoj në fenë e Birit të Hyjit,
i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
Ti e stolis Kishën, trupin mistik të Krishtit,
me dëshminë e martirëve të shenjtë:
bëj që mundimi i lavdishëm,
që i meritoi shën Injacit kezën e pavdekësisë,
të jetë edhe për ne burim qëndrese në fe.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Gal 5, 18-25)
 
  Ata që janë të Krishtit Jezus e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirje dhe dëshira të prujta.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve
 
Vëllezër, 18 nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit. 19 Tashti, veprat e mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastria, shfrenia, 20 idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, gërgasat, dasitë, mospërkimet, 21 zilitë, zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto. Lidhur me këto po ju vë në dijeni qysh tani, sikurse jua thashë më parë: kush i bën këto, nuk do ta trashëgojë Mbretërinë e Hyjit.
22 Kurse fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, 23 butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj.
24 Ata që janë të Krishtit Jezus e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirje dhe dëshira të prujta. 25 Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 1
 
Ref.  KUSH E NDJEK FJALËN E ZOTIT, SJELL FRYTE TË JETËS SË PASOSUR
 
1 Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve,
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve
e nuk rri së bashku me përqeshës,
2 por kënaqet në Ligjin e Zotit
dhe e kujton atë ditë e natë.
 
3 Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken:
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
 
4 Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve,
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
6 Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,
kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.
 
  Aleluja!
Kushdo e lartëson veten do të përvujtërohet, e kush e përvujtëron, do të lartësohet, thotë Zoti. (Lk 14, 11)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 11, 42-46)
 
  Vaj për ju, o farisenj. Vaj për ju, o mësues të Ligjit.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë Jezusi tha: 42 Vaj për ju, o farisenj që jepni të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por e qitni pas shpine drejtësinë dhe dashurinë e Hyjit! Këto të fundit është dashur të bëhen e ato të parat s’është dashur të lihen!
43 Vaj për ju farisenj, sepse jua ka ënda katedrën e parë në sinagoga dhe përshëndetjet në sheshe!
44 Të mjerët ju, sepse jeni porsi varret që nuk shihen e njerëzit paditur, ecin mbi to!« 45 Atëherë një mësues i Ligjit i tha: »Mësues, ti, duke folur kështu, po na fyen edhe ne!« 46 »Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit – i përgjigji Jezusi – sepse u ngarkoni njerëzve barrë që mezi mund të mbarten, ndërsa ju vetë as me gisht të dorës nuk i prekni!
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
O Zot, shën Injaci ka flijuar vetveten
si gruri që u bë bukë e pastër në martirizim;
pranoje tani flinë tonë, si ke pranuar flinë e tij.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit
Jam grurë i Krishtit:
le të më bluajnë dhëmbët e egërsirave,
që të bëhem bukë e pastër e Krishtit.
 
Lutja pas kungimit
Na përtëriftë, o Zot, buka qiellore
që morëm në ditëlindjen e shën Injacit
që të jemi të krishterë të vërtetë me emër e me jetë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist