Liturgjia e Fjalës – 18 korrik – e mërkurë – Java XV gjatë vitit

Written by on July 16, 2018

JAVA E XV GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje;
do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate
atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde:
bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë,
të flakin çka i kundërshton këtij emri
e të pranojnë çka i përket.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Is 10, 5-7.13-16)
 
  Mbretëria e Davidit do të mbetët për amshim.
 
  Lexim prej Librit të Isaisë profet
 
  Kështu thotë Zoti: 5 Mjerë Asuri, thupra e felgrimt tim, shkop në dorën time, zemërimi im! 6 Unë e dërgojë kundër një kombi të pazot, i urdhëroj kundër një populli, në të cilin jam zemëruar që ta plaçkitë e ta bëjë pre, ta shkelë si baltën në rrugë. 7 Porse ai s’ka menduar kështu, mendja e tij kështu s’e ka çmuar: ka munduar veçse të shfarosë e të shuajë kombe jo të pakëta. 13 Sepse tha: “Veprova me fuqi të krahut tim e me urtësinë e mendjes sime, sepse jam i mençur; i zhduka kufijtë e popujve, pre i bëra vishtarët e tyre, si trim që jam për tokë i rrëzova ata që rrinin në frone të larta. 14 Dora ime porsi çerdhe i pushtoi pasuritë e popujve, siç mblidhen vezët e lëna e mblodha botën mbarë dhe s’u gjet kush të fluturojë me krahë as të hapë sqepin e të cicërojë!” 15 Vallë, a ka si t’i lavdërohet sakica atij që me të pret?! A mund t’i krenohet sharra atij që me të sharron?! Thua se thupra e sjell atë qe e vërtit ose shkopi e çon atë që dru nuk është! 16 Për këtë arsye Zotëruesi, Zoti i Ushtrive, do të çojë ligësinë në ushtrinë e zgjedhur të tij, e nën nderin e tij një zjarr që do të djegë porsi djeg zjarri.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 94 (93)
 
Ref.  ZOTI NUK E PËRBUZ POPULLIN E VET
 
5 E poshtërojnë popullin tënd, o Zot,
e ndrydhin pronën tënde,
6 vrasin vejushën e ardhacakun,
mbytin bonjakët
7 e thonë: “Zoti nuk sheh,
s’di gjë Hyji i Jakobit!”
 
8 Merrni vesh, o marrashat e popullit,
ju, o të marrë, kur do të zini mend?
9 Ai që krijoi veshin nuk do të dëgjojë?
Ai që përftoi syrin nuk do të shohë?
10 Ai që qorton popujt nuk do të ndëshkojë,
ai që ia mëson njeriut dijen?
 
14 Sepse Zoti nuk e përbuz popullin e vet,
as s’do të heqë dorë nga prona e vet,
15 sepse e drejta do t’i jepet drejtësisë
e pas saj do të shkojnë të gjithë zemërmirët.
 
  Aleluja!
Hyji i zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit; ata që nuk janë, që t’i asgjësojë ata që janë. (1 Kor 1, 27.29)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 11, 25-27)
 
  Do të vije që të na vizitojë nga lart një Diel që shndrit.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: »Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. 26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! 27 Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet
dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve,
të cilët do të ushqehen me këto dhurata.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet
edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet:
e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im!
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde,
do të të lavdërojnë për amshim.
Ose:  Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim,
ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua
dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri,
të na shtohet fryti i shpëtimit.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist