Liturgjia e Fjalës – 18 maj – e premte – Java VII e Pashkëve

Written by on May 16, 2018

PASHKËT
 
JAVA E SHTATË
 
E PREMTE
 
Antifona e hyrjes  Zb 1, 5-6
Krishti na ka dashur
dhe me gjakun e vet na lau nga mëkatet tona,
ai na bëri mbretëri dhe priftërinj
për Hyjin, Atin e vet, aleluja.
 
Kolekta
O Hyj, Ti na e ke hapur derën e amshimit
me lavdinë e Krishtit dhe ndriçimin e Shpirtit Shenjt:
bëj që, si pjesëtarë të të gjithë kësaj mirësie,
të rritemi në fe e të shërbejmë më me gatishmëri.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap  25, 13-21)
 
  Fjala është për  një farë Jezusi që ka vdekur, por që Pali pohon se është i gjallë!
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, 13 kur erdhën në Cezare mbreti Agripa dhe Berenika për të përshëndetur Festin. 14 Pasi aty qëndruan për disa ditë, Festi ia paraqiti mbretit çështjen e Palit. I tha: “Është këtu një njeri, të cilin Feliksi e la në burg. 15 Kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë dhe paria e judenjve e paditën para meje dhe kërkuan ta dënoja. 16 Unë iu përgjigja se ndër romakët nuk është zakon të lëshohet ndokush në dorë të ndokujt para se i padituri të ndërsyhet me paditësit e ta ketë mundësinë të mbrohet prej akuzës. 17 Pasi zbritën së bashku me mua këtu, pa vonuar, ditën e nesërme, hipa ne selinë e gjykatores dhe urdhërova të sillej ai njeri. 18 Paditësit e rrethuan, por nuk e paditën për asnjë krim që unë mendoja; 19 kishin kundër tij disa gjëra lidhur me besimin e tyre e lidhur me një farë Jezusi që ka vdekur, por që Pali pohon se është i gjallë. 20 Dhe vetë, pasi s’dija si të bëja në një proces të tillë, e pyeta a mos dëshironte të përgjigjej për këtë gjë në Jerusalem, në gjyq. 21 Por, pasi Pali kërkoi të dalë në gjyq para Lartmadhërisë, urdhërova të ruhej derisa ta përcillja te Cezari.”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 103 (102)
 
Ref.  MBRETËRIA JOTE, O ZOT, PËRHAPET NË BOTËN MBARË .
 
1 Bekoje, shpirti im Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
2 Bekoje, shpirti im Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.
 
11 Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,
aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.
12 Sa është lindja larg perëndimit
aq larg i hedh prej nesh fajet tona.
 
19 Zoti e forcoi fronin e vet në qiell,
mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.
20 Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij,
ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij.
 
  Aleluja!
Shpirti Shenjt ‑ Mbrojtës, do t’jua mësojë të gjitha, thotë Zoti, dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë.  (Gjn 14, 26)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 21, 15-19)
 
  Kulloti qengjat e mi, kulloti delet e mia.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, pasi që Jezusi ju duk nxënësve  në breg të detit të Tiberiadit, 15 pasi hëngrën mëngjesin, e pyeti Simon‑Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri ‑ iu përgjigj ‑ Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi! ‑ i tha Jezusi.
16 Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” ‑ iu përgjigj Pjetri. “Kulloti delet e mia!” ‑ vijoi Jezusi.
17 I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe iu përgjigj: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”
I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia!” 18 Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë, ku ti nuk dëshiron.”
19 I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Pastaj i tha: “Më ndiq mua!”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Shikoje me mirësi, o Zot,
flinë e kushtuar prej popullit tënd,
dhe që të jenë plotësisht të pëlqyeshme,
bëj që ardhja e Shpirtit Shenjt
të pastrojë ndërgjegjet tona.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Prefacioni i Pashkëve ose i Ngjitjes së Zotit, fqq. 442-448.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – I
 
Misteri i Pashkëve
 
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I NGJITJES SË ZOTIT – I
 
Misteri i Ngjitjes së Zotit
 
50. Ky prefacion thuhet ditën e Ngjitjes së Zotit; mund të thuhet edhe në ditët pas Ngjitjes deri të shtunën para Rrëshajëve, në ato Meshë që nuk e kanë prefacionin e vet.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Sepse (sot) Jezusi Zot, Mbreti i lavdisë,
ngadhënjyesi mbi mëkatin dhe mbi vdekjen,
u ngjit në lartësitë qiellore
përballë engjëjve të mahnitur.
Ai është Ndërmjetësi midis Hyjit dhe njerëzve,
Gjykatësi i botës dhe Zotëruesi i fuqive.
Ai hyri para nesh në lavdinë tënde,
jo për t’u larguar nga gjendja jonë e përulur,
por që të kemi shpresë se edhe ne, gjymtyrët e tij,
do ta ndjekim atje ku është Ai, Kryet dhe Prijësi ynë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Ditën e Ngjitjes së Zotit, kur përdoret Kanoni Romak, thuhet Të bashkuar i veçantë.
 
Antifona e kungimit  Gjn 16, 13
Kur të vijë Shpirti i së Vërtetës
ai do t’ju mësojë tërë të vërtetën, thotë Zoti, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
Ti, o Hyj, me sakramentin e kungimit
na pastron e na i përtërit forcat shpirtërore;
bëj, po të lutemi,
që kjo shujtë shpirtërore
të na e fitojë jetën e pasosur.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST