Liturgjia e Fjalës – 18 prill – e mërkurë – Java III e Pashkëve

Written by on April 16, 2018

PASHKËT
 
JAVA E TRETË
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 70, 8.23
Goja ime të lavdëron pa pushim, që të mund të të këndoj;
do të galdojnë buzët e mia duke të të kënduar ty, aleluja.
 
Kolekta
Ji pranë familjes sate, o Zot,
dhe ndihmoje me bujari,
Ti, që ia dhe hirin e fesë, bëje edhe pjesëtare
në ngjalljen e të Njëlindurit Birit tënd.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 8, 1b-8)
 
  Shkonin prej një vendi në vend tjetër dhe predikonin Fjalën e Hyjit.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
1 Po atë ditë u bë salvim i madh kundër Kishës në Jerusalem. Të gjithë, me përjashtim të apostujve, u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë e të Samarisë. 
2 Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Shtjefnin dhe bënë gjëmë të madhe për të. 3 Ndërkaq, Sauli bënte çmosin për ta asgjësuar Kishën: hynte nëpër shtëpi, merrte burra e gra dhe i dorëzonte në burg.
4 Ata, pra, të cilët qenë shpërndarë, shkonin prej një vendi në një vend tjetër dhe predikonin Fjalën.
5 Kështu Filipi zbriti në qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. 6 Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte.
7 E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të lartë, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. 8 Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 66 (67)
 
Ref.  TË MËDHA JANË VEPRAT E ZOTIT.
 
1 Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit,
2 këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
3 Thuajini Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!
 
4 Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd”!
5 Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
 
6 Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin
për këtë galdojmë me gëzim.
7 Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.
 
  Aleluja!
Kushdo beson në mua, do ta ketë jetën e pasosur, thotë Zoti, e unë do ta ringjall në ditën e fundit (Krh Gjn 6, 40)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 6, 35-40)
 
  Ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të,  ta ketë jetën e pasosur.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: 35 “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje. 36 Por ju thashë: më patë e prapë s’më besoni. 37 Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë, 38 sepse zbrita prej qiellit, jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. 39 E vullneti i Atij që më dërgoi është të mos humbë asnjë prej atyre që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit. 40 Po, ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të,  ta ketë jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, të gëzohemi gjithmonë
për këto mistere të Pashkëve,
që veprimi i vazhdueshëm shpëtimprurës
të bëhet për ne burim i pashtershëm hareje.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – I
 
Misteri i Pashkëve
 
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – V
 
Krishti prift dhe fli
 
49. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai, duke e kushtuar trupin e vet,
flitë e vjetra i përmbushi
në flinë e vërtetë të kryqit
dhe duke u dorëzuar në duart e tua për shpëtimin tonë,
u dëftua prift, altar dhe qengj i vërtetë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit 
Krishti u ngjall dhe na ndriçoi,
pasi na shëlboi me gjakun e vet, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
Dëgjoji, o Zot, lutjet tona,
që me pjesëmarrje në të mirat e shëlbimit
të fitojmë ndihmë për jetën e tanishme
e gëzimet e jetës së përhershme.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST