Liturgjia e Fjalës – 18 qershor – e hënë – Java XI gjatë vitit

Written by on June 14, 2018

JAVA E XI GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 26, 7.9
Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime.
Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis,
mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty,
vështroji lutjet tona
dhe, pasi pa ndihmën tënde
ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë,
na përtërij vazhdimisht me hirin tënd,
që, në zbatim të urdhërimeve të tua,
të të pëlqejmë me vullnet të mirë e me veprim.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (1 Mbre 21, 1-19)
 
  Nabotin e mbytën më gurë.
 
  Lexim librit të parë mbi Mbretër
 
  1 Në ato ditë, Naboti prej Jezrahelit kishte një vresht në Jezrahel afër pallatit të Akabit, mbretit të Samarisë. 2 Akabi i tha Nabotit: Ma jep vreshtin tënd, se dua ta bëj kopsht perimesh pasi e kam afër e pranë shtëpisë sime. Unë do të të jap për të një vresht më të mirë ose, në qoftë se ty të pëlqen më tepër, vlerën e tij ta jap në të holla”. 3 Naboti iu përgjigj: “Zoti mos e thëntë që unë të ta jap trashëgimin e të parëve të mi!”
  4 Akabi u kthye në shtëpinë e vet i zymtë dhe i vranët për shkak të fjalës që ia tha Naboti Jerzahelas: “Nuk do të ta jap trashëgimin e të parëve të mi”. Ra në shtrojën e vet, u kthy me fytyrë nga muri dhe nuk dëgjoi të haj bukë.
  5 Hyri tek ai Jezabela, gruaja e tij, dhe e pyeti: “Pse je prishur kështu? Pse s’ afrohesh për të ngrënë bukë?”
  6 Ai u përgjigj: “Sepse bisedova me Nabotin Jezrahelas e i thashë: Ma jep vreshtin tënd e merri paratë; ose, nëse ti do, të të jap një vresht tjetër për të. Por ai mu përgjigj: ‘Nuk ta jap vreshtin tim. ‘” 7 Atëherë Jezabela, gruaja e tij, i tha: “Hajt, o njeri! Po a s’ je ti mbreti i Izraelit? Çohu dhe ha e mos e vra mendjen, sepse unë do të ta jap vreshtin e Nabotit jezrahelas!”
  8 Jezabela mori e shkroi disa letra në emër të Akabit, i vulosi me unazën e tij dhe ua dërgoi krerëve dhe njerëzve me rëndësi që ishin në qytetin e tij dhe banonin me Nabotin. 9 Në letra ajo shkrunte kështu: “Shpallni agjërim dhe caktoni që në krye të vendit në mbledhje të rrijë Naboti. 10 Vini përballë tij dy veta, njerëz të poshtër, që të dëshmojnë kundër tij e të thonë: “Ti e ke mallkuar Hyjin dhe mbretin!’; atëherë qiteni jashtë e vriteni me gurë që të vdes”.
  11 Qytetarët e Nabotit, pleqtë e krerët e tij, që banonin me të në qytet, bënë sikurse u kishte urdhëruar Jezabela dhe si ishte e shkruar në letrat që u kishte dërguar. 12 Shpallën agjërimin, e vunë Nabotin në krye të mbledhjes, 13 dolën dy njerëz të poshtër, u ulën kundruall tij dhe këta, si njerëz të pashpirt që ishin, bënë dëshmi kundër tij para bashkësisë: “Naboti e ka mallkuar Hyjin dhe mbretin”. Për këtë arsye e nxorën jashtë qytetit dhe e mbytën më gurë. 14 Mandej i çuan lajmin Jezabelës: “Naboti u vra me gurë dhe vdiq”.
  15 Kur e mori Jezabela lajmin se Naboti ishte vrarë me gurë dhe se kishte vdekur, i tha Akabit: “Çohu e zotëroje vreshtin e Nabotit jezrahelas që nuk deshi të të dëgjonte dhe të ta shiste; Naboti nuk është më gjallë, na e mori të keqen!” 16 Kur e mori vesh Akabi se kishte vdekur Naboti, u çua e zbriti në vreshtin e Nabotit jezrahelas për ta marrë në zotërim.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 5
 
Ref.  DËGJOJE, O ZOT, TË MJERIN QË TË THËRRET
 
2 Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia,
kuptoje dënesën time!
3 Dëgjoje zërin e britmës sime,
Mbreti im e Hyji im, ty ta drejtoj uratën time, o Zot,
 
5 Sepse ti nuk je Hyj që i pëlqen padrejtësia,
pranë teje nuk ka vend bakeqi,
6 bakëqijtë nuk mund të qëndrojnë përpara syve të tu.
 
7 Ti i urren të gjithë ata që bëjnë keq
i zhbin të gjithë ata që flasin rrena;
Të neverit gjakësori e tradhtari.
 
  Aleluja!
Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej bares së rëndë e unë do t’ju çlodh, thotë Zoti; mësohi nga unë që jam zemër butë e i përvujtë. (Mt 11, 28-29)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 5, 38-42)
 
  Mos u kacafytni me të keqin.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 38 »Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhembin për dhëmb’. 39 Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. 40 Atij që do të qesë në gjyq për të marrë këmishën, jepja edhe mallotën. 41 E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; 42 atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me bukën e verën
na jep shujtën që na ushqen,
dhe sakramentin që na përtërin:
mos na lër kurrë, po të lutemi,
pa këtë ndihmë për trupin dhe për shpirtin.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 26, 4
Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë kërkoj:
të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime.
Ose:  Gjn 17, 11
Atë i shenjtë, ruaji në emër tënd ata që m’i fale
që të jenë një sikurse ne, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Hyj, bëj që ky kungim që morëm,
shenjë e bashkimit të besimtarëve në ty,
të sjellë edhe njësinë në Kishën tënde.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST