Liturgjia e Fjalës – 18 shkurt – e dielë – Java I e Kreshmeve

Written by on February 16, 2018

KRESHMET
 
JAVA E PARË E KRESHMEVE
 
E DIELE – B
 
Në këtë të diel kremtohet riti “i zgjedhjes” ose “i shënimit të emrit” për katekumenët që do të pranohen për sakramentet e fillimit të krishterë në Vigjiljen pashkore, duke përdorur lutjet e veçanta, si në fqq. 813-814.
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 90, 15-16
Do të më thërrasë dhe do ta vështroj,
do ta liroj dhe do ta madhëroj,
do t’i dhuroj një jetë të gjatë.
 
Nuk thuhet Lavdi.
 
Kolekta
Bëj, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
që me përjetimin e sivjetshëm të kreshmëve
të përparojmë në kuptimin e mistereve të Krishtit
dhe ta dëshmojmë me një jetë të denjë.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Zan 9, 8-15)
 
  Besëlidhja në mes të Zotit dhe Noehit të liruar nga përmbytja që shkreton tokën.
 
  Lexim prej librit të Zanafillës
 
8 Edhe këto i tha Hyji Noehit dhe bijve të tij: 9 “Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju dhe me trashëgimtarët tuaj, pas jush  10 e me çdo qenie të gjallë që është me ju, qoftë ai shpend, qoftë bagëti, qoftë egërsirë e tokës që është me ju, me të gjitha gjallesat që dolën prej arkës me ju ‑ me mbarë, gjallesat e tokës. 11 Unë po lidh besëlidhjen time me ju: nuk do të sharoset më asnjë gjallesë me ujërat e përmbytjes dhe nuk do të ketë më përmbytje që shkreton tokën”.
12 Dhe Hyji tha: “Kjo është shenja e besëlidhjes që unë po e bëj ndërmjet meje e juve dhe me çdo gjallesë që është me ju për të gjitha breznitë e ardhshme; 13 Ylberin tim do ta vë në re dhe do të jetë shenja e besëlidhjes ndërmjet meje dhe tokës. 14 Kur me re ta mbuloj qiellin,  në re do të duket ylberi im, 15 do të më kujtohet besëlidhja ime me ju e me çdo frymë të gjallë që mishit i jep jetë, ujë përmbytjeje më s’do të ketë për të zhdukur mbarë frymorët.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 25 (24)
 
Ref.  UDHËT E ZOTIT JANË E VËRTETA DHE MËSHIRA.
 
4 Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
5 Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,
në ty shpresoj gjithmonë.
 
6 Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
dhe dashuria jote që është e amshueshme.
7 Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:
të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate
‑ për hir të mirësisë sate, o Zot.
 
8 I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
9 të përvuajtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
 
  Leximi i dytë  (1 Pjt 3, 18-22)
 
  Arka është shëmbëllesë e pagëzimit që tani na shëlbon.
 
  Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull.
 
Fort të dashur, 18 Krishti një herë vdiq për mëkate tona, i Drejti për të padrejtët që t’iu shpiente te Hyji – njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit.
19 Në të edhe shkoi t’u predikojë shpirtrave në burg, 20 që nuk u bindën dikur, kur duresa e Hyjit priste gjatë, në kohën e Noehit ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë – vetëm tetë frymë – shpëtuan me ujë. 21 Ky ujë – shëmbëllesë e pagëzimit që tani ju shëlbon: ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por lutje e drejtuar Hyjit – për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit, 22 që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi Engjëjt, Pushtetet dhe Fuqitë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. (Mt 4, 4)
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
 
  Ungjilli  (Mk 1, 12-15)
 
  Jezusi qe tunduar prej djallit e shërbyer prej engjëjve.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Markut
 
12 Menjëherë pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi Jezusin të shkojë në shkretëtirë. 13 Në shkretëtirë qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.
14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. 15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
  Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
 
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot,
të bëhemi të denjë për të kushtuar këto dhurata,
me të cilat po kremtojmë
fillimin e këtij sakramenti të nderueshëm.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Prefacioni: Zotëria i tunduar.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, me agjërimin e tij për dyzetë ditë,
e ka përkushtuar këtë trajtë pendese
dhe, duke fituar mbi të gjitha kurthet e armikut tonë të vjetër,
na mësoi të mundim tundimet e së keqes,
kështu që, duke kremtuar me shpirt të denjë misterin pashkor,
më në fund të kalojmë në Pashkët e amshuara.
Dhe prandaj, me turmën e engjëjve dhe të shenjtërve,
po ta këndojmë himnin e lavdit,
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Mt 4, 4
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.
 
Ose:  Krh. Ps 90, 4
Zoti do të të mbulojë me pendët e vet,
do të strehohesh nën krahët e tij.
 
Lutja pas kungimit
Të përtërirë me bukën qiellore,
me të cilën ushqehet feja, rritet shpresa dhe forcohet dashuria,
bëj, o Zot, të kemi uri për Krishtin,
i cili është buka e gjallë dhe e vërtetë,
që të mund të jetojmë prej çdo fjale që del nga goja jote.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja mbi popullin
Zbraze mbi popullin tënd, o Zot,
bekimin tënd të begatshëm,
kështu që në vështirësi të rritet shpresa
e në tundim të forcohet virtyti
dhe të fitojmë shëlbimin e pasosur.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST