Liturgjia e Fjalës – 18 shtator – e martë – Java XXIV gjatë vitit

Written by on September 16, 2018

JAVA E XXIV GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Sir 36, 18
Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty,
që profetët e tu të tregohen të vërtetë.
Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.
Kolekta
O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë,
priri sytë e tu mbi ne
dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër,
që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë  (1 Kor 12, 12-14.27-31)
 
  Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush gjymtyrët e tija.
 
  Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
Vëllezër, 12 sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë nuk trajtojnë veçse një trup të vetëm ashtu edhe Krishti. 13 Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt. 14 E trupi nuk është prej një gjymtyre, por prej shumë gjymtyrësh.
27 Tashti, ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrë e tij.
28 Kështu Hyji disa në Kishë i caktoi: më parë apostujt, së dyti profetët, së treti mësuesit; pastaj vjen dhurata e mrekullive, pastaj ajo e shërimeve, e kujdesimit, e drejtimit shpirtëror, dhurata e gjuhëve të ndryshme.
29 A thua të gjithë janë apostuj? Të gjithë profetë? Të gjithë mësues? A thua të gjithë bëjnë mrekulli? 30 A thua të gjithë e kanë dhuratën e shërimeve? A thua të gjithë flasin gjuhët? Të gjithë shpjegojnë? 31Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshme!
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 100 (99)
 
Ref.  POPULLI YT, O ZOT, E LAVDËRON EMRIN TËND TË SHENJTË.
 
2 Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,
shërbejini Zotit me hare,
dilni para tij me brohoritje!
 
3 Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:
Ai na krijoi e atij i përkasim:
jemi populli i tij dhe delet e kullosës së tij.
 
4 Hyni nëpër dyert e tija duke i dhënë lavd,
hyni në treme të tija e këndoni himne,
lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
 
5 Sepse i mirë është Zoti,
e amshuar dashuria e tij,
nga breznia në brezni besnikëria e tij.
 
  Aleluja!
Ti, o Zot, ke dhembshuri ndaj të gjithëve dhe asgjë nuk përbuz prej atyre që vetë i krijove. (Krh. Ur 11, 23-26)
Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 7, 11-17)
 
  Djalosh, ty po të them: çohu!
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 11 Jezusi u nis për në qytetin që quhet Nain. Me të shkonin nxënësit e tij dhe turmë e madhe e popullit. 12 Kur iu afrua dyerve të qytetit, qe se po sillnin përjashta qytetit një të vdekur djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit.
13 Kur e pa Zotëria, pati dhembshuri për të dhe i tha: “Mos qaj”14 U afrua, preku vigun ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha: “Djalosh, ty po të them: çohu!”15 I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës.
16 Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë: “Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!” 17 Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap fjala për të.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd
dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu,
që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd
të vlejë për shpëtimin e të gjithëve.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 35, 8
Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote!
Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.
Ose:  Krh. 1 Kor 10, 16
Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë,
është bashkim me Gjakun e Krishtit
dhe buka, të cilën ne e ndajmë,
është bashkim me Trupin e Krishtit!
Lutja pas kungimit
E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë
veprimi i kësaj dhurate qiellore,
që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore,
por veprimi i këtij sakramenti.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist