Liturgjia e Fjalës – 18 tetor – SHËN LUKA UNGJILLTAR

Written by on October 16, 2018

SHËN LUKA UNGJILLTAR
18 Tetor
 
Antifona e hyrjes  Is 52, 7
Sa të bukura janë mbi male
këmbët e kasnecit që sjell lajmin e paqes,
që sjell lajm të mirë, që shpall shpëtimin.
 
Kolekta
O Zot, Hyj, Ti e zgjodhe shën Lukën,
që, me anë të fjalës e të shkrimeve,
t’ua zbulojë të varfërve misterin e dashurisë sate,
bëj që ata, të cilët mburren me emrin e krishterë,
të jenë një mendjeje e një zemre
e të gjithë popujt ta shohin shpëtimin tënd.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Thuhet Lavdi.
 
Leximi i parë  (2 Tim 4, 10-17)
 
Me mua është vetëm Luka!
 
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut
 
Fort i dashur, 10 Dema, për dashuri të këtij shekulli, më la vetëm. Ai shkoi në Selanik, Kreshenci në Galaci, Titi në Dalmaci. 11 Me mua është vetëm Luka. Markun merre dhe bjere me vete sepse e kam të dobishëm për shërbesë.
12 Tihikun e dërgova për Efes. 13 Kur të vish, ma bjer tabaren që e lashë te Karpi në Troadë. Po ashtu edhe librat, sidomos pergamenat. 14 Aleksandri farkëtar më bëri shumë të këqija: Zoti do t’ia kthejë sipas veprave të tij. 15 Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i predikimeve tona. 16 Në mbrojtjen time të parën në gjyq askush nuk qe me mua: të gjithë më lanë në baltë: mos iu marrtë askujt për të keq!
17 Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 145 (144)
 
Ref.  MIQTË E TU, O ZOT, SHPALLIN MBRETËRINË TËNDE
 
10 Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
11 Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd.
 
12 Për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde
dhe lavdinë e madhërisë së Mbretërisë sate.
13 Mbretëria jote është Mbretëri e amshueshme,
pushteti yt prej breznie në brezni.
 
17 I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
18 Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi.
 
  Aleluja!
Zoti më dërgoi për t’ua shpallur skamnorëve Ungjillin. (Krh. Lk 7, 22)
  Aleluja!
 
Ungjilli  (Lk 10,1-9)
 
  Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak!
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
 
  Në atë kohë, 1 Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë. 2 U thoshte: »Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as të mbathura e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër! 8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot,
që me anën e këtyre dhuratave qiellore
të shërbejmë me lirinë e shpirtit
dhe flia që po kushtojmë në festën e shën Lukës
na vleftë për shërimin e shpirtit dhe për lumturinë e pasosur.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit  Krh. Lk 10, 1. 9
Zotëria i dërgoi nxënësit t’u lajmërojnë qyteteve:
Ju është afruar Mbretëria e Hyjit.
 
Lutja pas kungimit
Bëj, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që kungimi i shenjtë
që morëm prej altarit tënd
të na shenjtërojë dhe të na forcojë në fenë e Ungjillit
të shpallur nga shën Luka.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist