Liturgjia e Fjalës – 19 gusht – e dielë – Java XX gjatë vitit

Written by on August 17, 2018

JAVA E XX GJATË VITIT
 
E DIEL
 
 
Antifona e hyrjes  Ps 83, 10-11
Shiko, o Hyj, mbrojtësi ynë,
shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd.
Vërtet, më e mirë është një ditë në shtëpinë tënde
se një mijë të tjera.
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
O Hyj, Ti u ke përgatitur të mira të padukshme atyre që të duan:
ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde,
që, duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka,
të fitojmë prej teje trashëgimin e premtuar,
që tejkalon çdo dëshirë.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Fu 9, 1-6)
 
  Hani bukën time, pini verën që e kam përzier për ju.
 
  Lexim prej Librit të fjalëve të urta
 
1 Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet dhe i latoi shtatë shtylla. 2 I kushtoi flitë e veta, e përzjeu verën dhe e shtroi tryezën e vet. 3 I dërgoi shërbëtoret e veta në qytezë, në vendet e larta për të grishur: 4 “Kush është i papërvojë, le të vijë tek unë”! e të pamendit i çoi fjalë: 5 “Ejani, hajeni bukën time, pijeni verën që e kam përzier për ju! 6 Lëreni marrëzinë e jetoni dhe ecni udhëve të mençurisë”!
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 34 (33)
 
Ref.  PËRHERË DO TA BEKOK ZOTIN, HYJIN TIM.
 
2 Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë lavdi i tij.
3 Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen.
 
10 Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij,
s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
11 Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,
ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
 
12 Ejani, o bij, e më dëgjoni:
do t’jua mësoj frikën e Zotit.
13 A e dëshiron jetën, o njeri?
A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?
 
14 Rrudhe gojën tënde prej së keqes,
gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.
15 Ik prej së keqes e bëj të mirën,
kërkoje paqen e ndiqe atë!
 
  Leximi i dytë  (Ef 5, 15-20)
 
  Dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
 
Vëllezër, 15 vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë, 16 të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija. 17 Prandaj mos jini të paarsyeshëm, por të dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit. 18 Mos u dehuni me verë, në të cilën është shfrenia, por mbushuni me Shpirtin Shenjt. 19 Thoni së bashku psalme, himne e këngë të përshpirtshme! Këndoni e lavdëroni Zotin në zemrat tuaja! 20 Gjithmonë dhe për çdo gjë falënderoni Hyjin Atë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit!
 
  Fjala e Zotit
 
  Aleluja!
 Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim, thotë Zoti, ai mbetet në mua dhe unë në të. (Gjn 6, 56)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 6, 51-58)
 
  Trupi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
 
Në atë kohë Jezusi i tha turmës: 51 Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është trupi im për jetën e botës.”
52 Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: “Si mundet ky të na japë trupin e vet për ushqim?” 53 Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! 54 Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. 55 Sepse trupi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë. 56 Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të.
57 Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua. 58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.”
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, këto dhurata,
me të cilat bëhet shndërrim i mrekullueshëm;
e ndërsa ne të kushtojmë atë që Ti na dhurove,
bëj të meritojmë të të marrim ty në zemrat tona.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 129, 7
Te Zoti është mëshira,
dhe i madh është tek ai shëlbimi.
Ose:  Gjn 6, 51-52
Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli, thotë Zoti:
kush ha këtë bukë, do të jetojë në amshim.
Lutja pas kungimit
O Zot, me këto sakramente jemi bashkuar me Krishtin;
me përvujtëri po kërkojmë mirësinë tënde,
na bëj të ngjashëm me të mbi tokë
dhe bashkëtrashëgimtarë në lumturinë e tij në qiell.
Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist