Liturgjia e Fjalës – 19 janar – e shtunë – Java I gjatë vitit

Written by on January 17, 2019

JAVA E I GJATË VITIT
 
E SHTUNË
 
Antifona e hyrjes
E pashë Zotin se po rrinte mbi fron të lartë,
e adhuronte një shumicë e madhe engjëjsh,
që së bashku këndonin: Ja ai që mbretëron për amshim.
Kolekta
Po të lutemi, o Zot, përcilli me dashuri qiellore
kushtet e popullit tënd që po të lutet:
të kuptojë çka i lypet të bëjë
dhe atë ta zbatojë me dashuri.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
 
  Leximi i parë  (Heb 4, 12-16)
 
  T’i afrohemi plot guxim fronit të hirit.
 
  Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
  Vëllezër, 12 fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. 13 Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari.
  14 Prandaj,  mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt – të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! 15 Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.
  16 T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 19 (18)
 
Ref.  FJALËT E TU, O ZOT, JANË SHPIRT DHE JETË
 
8 I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
 
9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
 
10 E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njënjë të drejta.
 
15 Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime,
edhe mendimi i zemrës sime para teje,
o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im!
 
 
  Aleluja!
Hyji më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin. (Lk 4, 18)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 2, 13-17)
 
  Nuk erdha të grish të drejtë, por mëkatarët.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 13 Jezusi doli në breg të detit. Populli mbarë shkonte tek ai e Jezusi e mësonte. 14 Duke kaluar andej, pa Levin e Alfeut. Ishte në vendin e pagimit të taksave.
  Jezusi i tha: »Eja pas meje!«
  Ai u çua dhe shkoi pas tij.
  15 Kur, më vonë, Jezusi ishte në tryezë, në shtëpinë e Levit, bashkë me të e me nxënësit e tij ishin ulur në tryezë tagrambledhës e mëkatarë. Vërtet ishin shumë. E ndiqnin edhe 16 disa skribë të sektit të farisenjve. Këta, kur e panë se po hante me tagrambledhës e me mëkatarë, u thanë nxënësve të tij: »Pse ha me tagrambledhës e me mëkatarë?«
  17 Jezusi, kur i dëgjoi, tha: »Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtë, por mëkatarët.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Të të pëlqejë, po të lutemi, o Zot, kushti i popullit tënd,
e me të na shenjtëro dhe na jep çka po të kërkojmë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 35, 10
Te Ti, o Zot, është burimi i jetës
dhe në dritën tënde ne e shohim dritën.
Apo:  Gjn 10, 10
Unë erdha që ta kenë jetën,
që ta kenë me plotësi, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Me përvujtëri, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm:
Ti, që na ushqeve me sakramentet e tua,
bëj që të të shërbejmë me jetën tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 

Current track

Title

Artist

Shkarkoni aplikacionin për telefon Android ose për Apple