Liturgjia e Fjalës – 19 maj – e shtunë – Java VII e Pashkëve

Written by on May 17, 2018

PASHKËT
 
JAVA E SHTATË
 
E SHTUNË
 
Mesha e mëngjesit
 
Antifona e hyrjes  Vap 1, 14
Nxënësit ishin të përqendruar prore së bashku në uratë
me disa gra e me Marinë, Nënën e Jezusit
dhe me vëllezërit e tij, aleluja.
 
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
që krejt jeta jonë të jetë një dëshmi e vazhdueshme
e festave të Pashkëve që kemi kremtuar.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 28, 16-20. 30-31)
 
  Pali mbeti në Romë duke predikuar Mbretërinë e Hyjit.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
16 Kur arritëm në Romë, Pali e mori lejen të kishte banesën e vet të veçantë me një ushtar që e ruante. 17 Pas tri ditësh Pali i grishi në takim udhëheqësit e judenjve. Kur erdhën, u tha: “Vëllezër, edhe pse unë nuk kam bërë asgjë as kundër popullit tonë, as kundër traditave të të parëve, megjithatë në Jerusalem më kanë lidhur e më kanë dorëzuar romakëve. 18 Romakët, pasi më morën në pyetje, deshën të më lirojnë, sepse nuk kisha bërë kurrfarë vepre që të meritoja vdekjen. 19 Por, pasi judenjtë kundërshtuan, qesh i shtrënguar t’i drejtohem gjyqit të Cezarit: e jo, pra, që kam pasur për qëllim ta padis për ndonjë gjë timen. 20 Pra, për këtë arsye kërkova të takohem me ju e të bisedojmë, sepse për të vërtetë, këto pranga i mbaj për shkak të shpresës së Izraelit.”
30 Plot dy vjet jetoi Pali në banesën që vetë e paguante. Aty i pranonte të gjithë ata që shkonin në takim me të. 31 Predikonte Mbretërinë e Hyjit dhe mësonte me liri të plotë e pa kurrfarë pengese të vërtetën mbi Jezu Krishtin Zot.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi  11 (10)
 
Ref.  TË DREJTËT, O ZOT, E SHOHIN FYTYRËN TËNDE.
 
4 Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë,
Zoti fronin e ka në qiell.
Sytë e tij vëzhgojnë të vobektin,
qerpikët e tij shqyrtojnë bijtë e njerëzve.
 
5 Zoti shqyrton të drejtin e të paudhin,
ai e urren atë që e do paudhësinë.
7 Zoti është i drejtë e drejtësinë e ka për zemër:
të drejtët do ta shikojnë fytyrën e tij.
 
  Aleluja!
Do ta dërgoi tek ju Shpirtin e së Vërtetës, thotë Zoti; Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën (Gjn 16, 7.13)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 21, 20-25)
 
  Ky është nxënësi që i dëshmon këto gjëra, e dëshmia e tij është e vërtetë.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, 20 Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte nxënësi të cilin Jezusi e donte [posaçërisht], ai që në kohën e Darkës e mbështeti kokën në parzmën e Jezusit dhe e pati pyetur: “Zotëri, kush është ai që do të të tradhtojë?” 21 Kur Pjetri e vuri re këtë, i tha Jezusit: “Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë?” 22 Jezusi iu përgjigj: “Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë, ty ç’po të duhet? Ti eja pas meje!” 23 Këndej edhe u hap ndër vëllezër fjala se ai nxënës nuk do të vdiste. E pra, Jezusi nuk tha “Nuk do të vdesë!”, por “‘Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë [ty ç’po të duhet?’]”
24 Ky nxënës është ai që i dëshmon këto gjëra dhe vetë ai i shkroi. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. 25 Ka edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat po të renditeshin një nga një, më thotë mendja se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Bëj, o Zot, që Shpirti Shenjt që po vjen
t’i përgatitë zemrat tona për sakramentet e shenjta,
sepse ai është falja e të gjitha mëkateve,
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Prefacioni i Pashkëve ose i Ngjitjes së Zotit, fqq. 442-448.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – I
 
Misteri i Pashkëve
 
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I NGJITJES SË ZOTIT – I
 
Misteri i Ngjitjes së Zotit
 
50. Ky prefacion thuhet ditën e Ngjitjes së Zotit; mund të thuhet edhe në ditët pas Ngjitjes deri të shtunën para Rrëshajëve, në ato Meshë që nuk e kanë prefacionin e vet.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Sepse (sot) Jezusi Zot, Mbreti i lavdisë,
ngadhënjyesi mbi mëkatin dhe mbi vdekjen,
u ngjit në lartësitë qiellore
përballë engjëjve të mahnitur.
Ai është Ndërmjetësi midis Hyjit dhe njerëzve,
Gjykatësi i botës dhe Zotëruesi i fuqive.
Ai hyri para nesh në lavdinë tënde,
jo për t’u larguar nga gjendja jonë e përulur,
por që të kemi shpresë se edhe ne, gjymtyrët e tij,
do ta ndjekim atje ku është Ai, Kryet dhe Prijësi ynë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Ditën e Ngjitjes së Zotit, kur përdoret Kanoni Romak, thuhet Të bashkuar i veçantë.
 
Antifona e kungimit  Gjn 16, 14
Shpirti Shenjt do të më lavdërojë,
sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve,
thotë Zoti, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
Prano mirësisht, o Zot, lutjet tona
dhe, sikurse nga kremtimet e vjetra
na kalove në sakramentet e reja,
po ashtu, të liruar nga prishja që sjell mëkati,
të ripërtërihemi plotësisht me zemra të pastruara.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 

 


Current track
TITLE
ARTIST