Liturgjia e Fjalës – 19 prill – e enjte – Java III e Pashkëve

Written by on April 17, 2018

PASHKËT
 
JAVA E TRETË
 
E ENJTE
 
Antifona e hyrjes  Krh. Dal 15, 1-2
T’i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu.
Zoti është fuqia ime dhe lavdia ime,
ai është bërë shpëtimtari im, aleluja.
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
në këto ditë e kemi njohur më mirë bujarinë tënde:
bëj ta pranojmë plotësisht dhuratën e dashurisë sate,
që pasi na çlirove nga errësira e gabimit,
t’i mbahemi më ngultas së vërtetës.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 8, 26-40)
 
  Filipi ia shpalli oborrtarit lajmin e gëzueshëm të Jezusit.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, 26 engjëlli i Zotit iu drejtua Filipit dhe i tha: “Ngrihu e shko në jug udhës që shpie nga Jerusalemi për në Gazë; ajo është e shkretë.” 27 Ai u ngrit dhe shkoi. Dhe ja, një etiopas, oborrtar dhe funksionar i lartë i Kandacës, mbretëreshës së Etiopisë dhe mbarështues kryesor i të gjitha visareve të saj! Kishte qenë për shtegtim në Jerusalem 28 e po kthente. Ndenjur në karrocën e vet, po lexonte Isainë profet. 29 Atëherë Shpirti Shenjt i tha Filipit: “Shpejto e zëre atë karrocë!” 30 Filipi vrapoi dhe e dëgjoi se po lexonte Isainë profet. I tha: “Vallë a vërtet e merr vesh atë që po lexon?” 31 “E si mundem ‑ iu përgjigj ai ‑ kur nuk e kam atë që të më udhëzojë?” dhe e grishi Filipin të hipte e të ulej afër tij. 32 Pjesa që po lexonte prej Shkrimit të shenjtë ishte kjo: ‘E çuan porsi delen që çohet në thertore, ishte porsi qengji i pazë në duart e qethësit. Nuk e çeli gojën e vet. 33 Në përvujtërimin e tij iu mohua e drejta. Kush do ta përshkruajë fatin e tij? Sepse jeta e tij hiqet nga toka.’
34 Atëherë oborrtari iu drejtua Filipit: “Të lutem për kë e thotë këtë profeci? Për vetveten apo për ndokënd tjetër?” 35 Atëherë Filipi mori fjalën e, duke u nisur prej këtij teksti të Shkrimit të shenjtë, ia kumtoi Ungjillin e Jezusit.36 Duke udhëtuar kështu, arritën te një ujë dhe oborrtari tha: “Qe ujët! Çka më pengon të pagëzohem?” [37] 38 Urdhëroi të ndalet karroca dhe të dy, Filipi e oborrtari, zbritën në ujë e Filipi e pagëzoi. 39 Kur dolën nga ujët, Shpirti i Hyjit e rrëmbeu Filipin dhe oborrtari nuk e pa më. Ai e vazhdoi rrugën e vet me gëzim, 40 kurse Filipi u gjend në Azot. Vazhdoi prej andej udhën duke predikuar Ungjillin nëpër të gjitha qytetet derisa arriti në Cezare.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 66 (65)
 
Ref.  SHËLBIMI YT, O ZOT ËSHTË PËR TË GJITHË POPUJT.
 
8 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë
dhe shpalleni lavdinë e tij!
9 Ai i dha shpirtit tonë jetën,
këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.
 
16 Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.
17 Me gojën time e thirra në ndihmë,
dhe me gjuhën time e madhërova.
 
20 Qoftë bekuar Hyji
që s’ma hodhi poshtë lutjen time
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
 
  Aleluja!
Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi nuk e tërheq. (Gjn 6, 44)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 6, 44-51)
 
  Unë jam buka e jetës që zbret nga qielli.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: 44 Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit. 45 Profetët shkruan:‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. 46 Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! 47 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur.
48 Unë jam buka e jetës. 49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. 50 Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë. 51 Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është trupi im ‑ për jetën e botës.”
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
O Hyj, me shkëmbimin e mrekullueshëm të kësaj flie
Ti na bën pjesëtarë të natyrës sate hyjnore,
bëj, po të lutemi,
që sikurse e kemi njohur të vërtetën tënde,
po ashtu edhe ta dëshmojmë me jetë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – II
 
Jeta e re në Krishtin
 
46. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Nëpër të lindin bijtë e dritës për jetën e pasosur
dhe besimtarëve u hapen dyert e parajsës.
Me vdekjen e tij u shëlbua vdekja jonë,
e në ngjalljen e tij u ngjall edhe jeta e të gjithëve.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – IV
 
Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve
 
48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Me fitoren mbi mëkatin,
rimëkëmbet mbarë rruzullimi
e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  2 Kor 5, 15
Krishti vdiq për të gjithë,
në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete,
por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
O Zot, ji gjithmonë me popullin tënd
dhe, pasi e ushqeve me misteret qiellore,
bëj të kalojë nga ligështia e tanishme në jetën e re.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST